Hoxha: Balluku e ka shthurur ministrinë dhe ushtrinë
Fjala e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike në dhjetor 1970 për situatën në ushtri dhe sjelljet e gjeneralëve Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako
Në pjesën e fundit të dosjes mbi gjyqin e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike gjashtë vite para pushkatimit të “gjeneralëve puçistë”, vjen pjesa ku ish-Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së, analizon gjendjen alarmante në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe në ushtrinë shqiptare.
Ai akuzon ministrin Beqir Balluku dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, në mbledhjen e Byrosë Politike në 8 dhjetor 1970, se përveç fshehjes së materialit të tij të titulluar “Tezat për Shkollën e Lirë Ushtarake”, kishte mbjellë frymën e çorganizimit në ushtri, duke mos u hapur rrugë moshave të reja dhe duke mos vendosur disiplinën në forcat e armatosura.Në fund të fjalës, Enver Hoxha premton se analiza do të kryhej mes bisedave dhe duke folur haptazi si komunistë. Por gjashtë vite më vonë, pasi ishin bërë edhe disa gjyqe të tjera, krerët e Ministrisë së Mbrojtjes do të përfundonin të ekzekutuar.
Në ministri ekziston mania e të shkuarit për inspektim në bazë, po kuadrot e qendrës atje nuk ngulen sa duhet, merren më shumë me gjetjen e gabimeve e me mbajtje shënimesh sa për të mbushur blloqet, konkluzionet i nxjerrin në këmbë dhe largohen shpejt, pa bërë në vend një analizë të thellë të problemeve, pa ndihmuar konkretisht, pa nxjerrë konkluzione të thella për forcimin e vazhdueshëm të punës. Shpesh ata bëjnë edhe mbledhje të shumta e të gjëra, po jo shumë të studiuara e jo të organizuara si duhet.
Ka gjithashtu, një punë të dobët në koordinimin e punëve ndërmjet drejtorive të Ministrisë së Mbrojtjes, konfuzion, liberalizëm, «indipendencë» e spontanitet, subjektivizëm, mungesë kolegjialiteti dhe familjaritet me njëri-tjetrin.
Me gjithë kritikën e bërë nga ana e Byrosë Politike lidhur me përqendrimin e shumë kompetencave në personin e ministrit të Mbrojtjes, nuk janë marrë akoma masat e duhura në këtë drejtim.
Unë mendoj se gjersa ekzistojnë të tilla dobësi të mëdha në dikaster, këto pa dyshim reflektohen edhe në punën e komandave dhe të shtabeve të njësive të larta me vartësit e tyre dhe me trupën.
Me këtë metodë pune, ku mungojnë kërkesa e fortë e llogarisë, disiplina e çeliktë proletare në zbatimin me rreptësi të detyrave e në zhvillimin e mësimeve, në teori dhe në praktikë, nga mjaft kuadro, e lidhur dhe e pleksur kjo me madhësinë dhe me gjerësinë e ushtrisë dhe me format e instancave të larta të njësive ushtarake, ku në përgjithësi janë grumbulluar kuadrot kryesorë ushtarakë që kanë mbaruar jo nga një, po mjaft prej tyre edhe nga dy akademi, nuk ka si të mos kultivohen megalomania, akademizmi, planet «e mëdha», nënvleftësimi i bazës, mungesa e përpjekjeve për zhvillimin dhe për thellimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe të eksperiencës që nxjerr baza, e cila na vjen lart shumë e zbehtë.
Të gjitha këto në disa kuadro na krijojnë, ku më shumë e ku më pak, njëfarë situate jo të shëndoshë, kur kushtet ekzistojnë për një gjendje më të mire.
Në raportin e mbajtur përpara kuadrove, që e këndova edhe unë, në pjesën ku flitet për përgatitjen e kuadrove e të shtabeve, në mes të tjerash bëhet fjalë edhe për disa kurse të zgjatura nga 15 ditë e deri në tre muaj për përgatitjen e disa kategorive kuadrosh, sidomos të hallkave repart e nënrepart.
Po atje nuk del qartë se me ç’kritere bëhen këto kurse tremujore, në kurriz të cilës lëndë, si planifikohen,apo nuk planifikohen fare?
Në ushtri edhe dokumentet e Partisë ose punohen përciptas, ose nuk punohen fare, kur ato nuk flasin
për ushtrinë.
Kjo do të thotë të nënvleftësosh edukimin marksist-leninist të kuadrove dhe të ushtrisë, të
neglizhosh ngritjen e tyre ideopolitike. Kështu «politika në plan të parë mbetet një formulë e thatë dhe
është pikërisht kjo që shkakton gjithë këto dobësi në stërvitje dhe në qëndrime. Edhe në shkollat ushtarake ka cektësi në punë.
Praktika nuk njihet mirë, nuk bëhet sa duhet në këtë drejtim dhe shumë teza të rëndësishme të artit tone të luftës nuk përpunohen e nuk zhvillohen më tej. Vetë pedagogët nuk bëjnë përpjekje këmbëngulëse të mjaftueshme për t’u ngritur. Edhe programet nuk janë të azhurnuara, mungon një kontroll i kualifikuar nga komandat dhe nga drejtoritë përkatëse të ministrisë.
Si konkluzion, mendoj, së pari, t’u rekomandojmë shokëve të ushtrisë, veçanërisht atyre të Ministrisë së Mbrojtjes, drejtuesve të saj e të Shtabit të Përgjithshëm, të marrin të gjitha masat për të forcuar seriozisht punën në ushtri dhe në udhëheqje të saj, në të gjitha nivelet, pra duke filluar që nga kuadrot e komandës e deri tek ushtari më i thjeshtë në të gjitha repartet…
Nuk mund të themi se ju nuk keni luftuar në këto drejtime, na kuptoni, ju jeni nga shokët me të cilët tok kemi luftuar prej një kohe të gjatë dhe së bashku po vazhdojmë, gjithashtu, të luftojmë, por, ja, ndodhi një situatë e vështirë dhe u bë mirë që kjo nuk shkoi më tej, pse Byroja Politike e kapi çështjen, e diskutoi atë në rrugë partie, kritikoi me radhë shokët që mbajnë përgjegjësitë kryesore, pastaj gjithë të tjerët.
Me këtë rast duhet thënë se as ne nuk mbetemi të larë e krejt pa faj, por, pa i hedhur ujë verës, kryesorët kanë qenë shokët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët duhet të kenë kurdoherë parasysh që, kur shohin diçka që nuk ecën, të mos hezitojnë, po të flasin haptazi me shokët, si komunistë. Ne besojmë se këto çështje ata do t’i kuptojnë drejt, çdo gjë do ta shtrojnë kurdoherë haptazi me njëri-tjetrin dhe kemi bindjen se, duke vepruar kështu, nuk do të na ngjasin më gjëra të tilla.
Dokumenti i Sigurimit
Materiali i hetuesisë, akuzat si në fjalën e Enver Hoxhës
Hetuesit nuk do ta kishin të vështirë të mbushnin dosjet kriminale për “puçistët” në ushtri në vitin 1975. Për gati dy vite 1973-1974 dhe më pas, të ashtuquajturat gabime të Beqir Ballukut dhe më pas edhe të Petrit Dumes dhe Hito Çakos, do të zbuloheshin në debatet e nxehta të mbledhjeve të organizatave të partisë, apo në debatet në ushtri.
“Siç vërtetohet nga gjithë provat që administrohen në dosjen hetimore, të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rahman Perllaku, si armiq të betuar, i janë kundërvënë prej kohësh vijës së përgjithshme të partisë në ushtri.
Duke sabotuar me mënyra e forma pune nga më të ndryshmet, këta kanë bërë çdo gjë për të mos lejuar zbatimin në ushtri të vendimeve të kongreseve e të plenumeve të KQ të Partisë dhe po ashtu të direktivave të vazhdueshme të dhëna nga KQ e Byroja Politike e PPSH. Me një veprimtari të theksuar konspirative, këta armiq kanë luftuar kundër vendimeve e direktivave të KQ që kanë për qëllim të revolucionarizojnë Partinë kudo.
Duke bërë çmos që të lënë në fuqi komandimin unik në ushtri, këta goditën rëndë rolin e organizatave bazë e të komiteteve të Partisë në ushtri shtrembëruan karakterin e Drejtorisë Politike në Ministrinë e MbrojtjesPopullore, duke e kthyer atë nga një organizëm me rëndësi e KQ në ushtri, në një aparat shtetëror që t’u shërbente planeve e qëllimeve të tyre; bënë çmos të izolonin KQ të partisë nga drejtimi i ushtrisë, sabotuan normat e udhëzimet e tij mbi politikën e kuadrit u përpoqen të zëvendësojnë në ushtri ideologjinë e partisë, m-l me ideologji borgjezo revizioniste.
Qëllimisht e në mënyrë sistematike, këta futën në ushtri norma të psikologjisë, moralit e rregullit ushtarak borgjezo revizionist, sidomos nëpërmjet marrjes, përhapjes dhe futjes në programet e përgatitjes politiko ushtarake të ushtrisë sonë popullore materiale ideologjike të ushtrisë revizioniste sovjetike dhe literaturë ushtarake revizionisto-kapitaliste duke e “ligjëruar”përhapjen e këtij helmi edhe me fjalime e urdhra të veçanta që lëshonin, kryen kështu diversion ideologjik e veprimtari të theksuar propagandistike në radhët e ushtrisë.
Siç del qartë nga zhvillimi i hetimeve, e gjithë kjo punë armiqësore është bërë sipas një plani e me metoda të përpunuara me kujdes. Për një kohë të gjatë dhe me metoda e forma të ndryshme, këta tradhtarë, të maskuar në udhëheqje të ushtrisë, kanë sabotuar në sistem masat për forcimin e ushtrisë e fortifikimin e vendit.
Në kundështim flagrant me parimet e kërkesat e artit ushtarak popullor, me vendimet e marra e detyrat e vëna nga KQ i PPSH e Këshilli i Mbrojtjes, këta kanë aprovuar e zbatuar në praktikë stërvitje e rregullore të ndryshme pune që ulen aftësinë luftarake të ushtrisë; kanë aprovuar e vënë në zbatim raporte të zhdrejta e të palejueshme midis armëve në strukturat e ushtrisë, duke dëmtuar rëndë forcën kryesore goditëse të saj (këmbësorinë), kanë sabotuar kudo fortifikimin, duke mos siguruar as si sasi dhe as si cilësi kërkesat që duhet të ketë ndërtimi i mbrojtjes së fortifikuar; kanë krijuar konfuzion e paqartësi në përgatitjen e kuadrove dhe të efektivit për përmbushjen e detyrave; kanë sabotuar tërësisht organizimin e shkollës së lirë dhe kanë penguar me çdo mënyrë aftësimin e forcave të vetëmbrojtjes popullore.
E gjithë kjo veprimtari ka pasoja me rrezikshmëri të madhe sepse dobëson ushtrinë e gjithë forcat e armatosura në përmbushjen e detyrave për mbrojtjen e atdheut e rendit socialist, i vë ato përpara vështirësish të pallogaritshme në teatrin e luftimeve, krijon mundësi për dëmtimin e asgjesimin e tyre dhe i hap rrugën dorëzimit të vendit tonë agresorëve të huaj”.