Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Fait

Xhevat Bislimi

Mediave të shkruara dhe elektronike

Letër e hapur- Pjesa e Parë

Zotërinj,Pas Veriut dhe strukturave të organizuara shtetërore të Serbisë në Kosovë, plaga më e madhe e këtij vendi është sisitemi i drejtësisë. Menjëherë pas Luftës Antipushtuese Clirimtare të UCK-së, në Kosovë u vendosë UNMIK-u. Vendosjes së tij i parapriu ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Realisht, për t’u qetësuar njëherë e mirë Ballkani, KFOR-i, misioni i OKB-së dhe misione të tjera ndërkombëtare do të duhej të vendoseshin në Serbi, në vendin që ishte shkaktari i të gjitha luftërave, shkatërrimeve, gjenocidit dhe holokaustit në Ballkan. Meqë, kjo nuk ndodhi (për shkak të raportit të forcave në botë dhe rajon), atëherë këto misione do të duhej që Kosovës së paku t’i garantonin tërësinë e mbetur tokësore, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Kaluan dhjetë vite nga vendosja e këtyre misioneve ushtarake e civile, por Kosova vazhdon ta ketë të kërcënuar tërësinë tokësore (një të katërtën e territorit të saj vazhdon ta kontrolloj Serbia), varfëria vazhdon të rritet, si pasojë e shkatërrimit sistematik të ekonomisë së saj të dobët nëpërmjet “privatizimit”, korrupcioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të fuqizohen dhe ta bëjnë “ligjin” e ta ndajnë “drejtësinë”. Kosova, e cila ishte me një mision civil dhe me një përfaqësues special, pas shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, u bë me dy misione civile ndërkombëtare dhe me dy përfaqësues specialë! Edhe pse Kosova është shpallur “shtet i pavarur dhe sovran”, UNMIK-u dhe përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë për t’i “mbrojtur” interesat e pakicës serbe (të Serbisë) në Kosovë!

Sistemi i “drejtësisë” u organizua dhe u ndërtua nga UNMIK-u, i cili u tregua tepër i kujdesshëm që në këtë sistem të mos përfshiheshin shqiptarë me të kaluar “nacionaliste”, “separatiste” dhe “irredentiste”! Një pjesë e mirë e gjykatësve dhe prokurorëve të rekrutuar nga UNMIK-u, jo vetëm që kishin shqiptuar qindra e mijëra vite dënime me burg për rininë dhe popullin e Kosovës, në emër të patriotizmit jugosllav, por, jam shumë i sigurtë, ata ishin të rekrutuar dhe u shërbenin edhe shërbimeve sekrete jugosllave-serbe. Po të hapeshin dosjet e tyre bindja ime do të vërtetohej katërcipërisht…

Këta prokurorë e gjykatës vazhdojnë ta bëjnë ligjin dhe ta ndajnë “drejtësinë” edhe sot në Kosovë! Askush, madje as ata që kanë vuajtur shumë nga “drejtësia” e tyre, në kohën e pushtimit të egër serbo-jugosllav, nuk ka kërkuar që këta njerëz të ndiqen apo të dënohen. Por, në cdo vend normal dhe demokratik, njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të drejpërdrejtë të shërbimeve sekrete, njerëz që kanë qenë në pozita dhe struktura të larta partiake e shtetërore të një sistemi socialist dhe për më tepër pushtues, nuk do të lejoheshin që ta ndanin drejtësinë, të merreshin me politikë, të drejtonin media të shkruara apo elektronike dhe të ushtronin funksione të tjera publike. Prandaj në Kosovë nuk lejohet të ketë ligj për pastërtinë (lustrifikimin) e figurave publike…

Zoti Fait dhe zoti Kermabo,

Popullit të Kosovës po i dhembin veshët nga fjalët dhe zhurma e madhe që prodhoni ju me misionet tuaja për gjoja sundimin e ligjit dhe të drejtësisë në Kosovë. Kjo zhurmë vjen e bëhet edhe më e madhe nga mediat që herë tërthorazi, herë drejtëpërdrejtë kontrollohen nga misionet tuaja dhe nga qendra të tjera të vendosjes vendore e ndërkombëtare. Por, askush nga ju dhe as nga institucionet e vendit nuk e vë dorën mbi plagë: Te shkaqet, shkaktarët dhe burimet e korrupcionit dhe të krimit të organizuar. Për mua, njëri prej shkaqeve dhe burimeve kryesore është edhe prona, sidomos ajo që në sistemin socialist jugosllav quhej “pronë shoqërore”, dhe mosdefinimi i qëllimshëm i saj, kurse njëri prej shkaktarëve kryesor është sistemi i drejtësisë.

Prona “shoqërore”, që qeverisej dhe shfrytëzohej nga komunat e atëherëshme, nga organizatat e punës së bashkuar, nga bashkësitë vetëqeverisëse të interesit, etj., pra nga shteti, pas lufte u konsiderua si pronë pa zot! Për qeversijen (administrimin) dhe privatizimin e saj, UNMIK-u themeloi AKM-në famëkeqe, sot AKP. Në fakt AKM-ja, e përkrahur nga UNMIK-u dhe nga segmente, qarqe e grupe të ndryshme formale e joformale, edhe vendore, më shumë e plackiti, e trafikoi dhe e kontrabandoi pasurinë e Kosovës, që e quanin “shoqërore” dhe e konsideronin më keq se një pasuri të huajën, e cila mbase për UNIMK-un edhe ishte e huaj, por të huaj e konsideronin edhe grupe të caktuara interesi me karakter dhe nuanca të theksuara mafioze e kriminale. Këto grupe bashkëpunonin dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me segmente të caktuara të shtetit serb dhe me grupe e rrjete mafioze e kriminale të Serbisë. Në mungesë të dokumentacionit kadastral, që ishte grabitur dhe po mbahet peng nga Serbia, prona “shoqërore” para se të “privatizohej” nga AKM-AKP-ja, “privatizohej” nga këto grupe të organizuara mafioze dhe kriminale me “dokumente” që prodhoheshin nga to nëpër bodrume të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë. Por këto “dokumente” do të mbeteshin “letra pa vlerë” sikur në këtë “biznes” të mos përfshiheshin gjykatat, qeveritë komunale dhe segmente të caktuara edhe të Qeverisë dhe institucioneve tjera qendrore (si AKM-AKP-ja). Dokumente të falsifikuara për toka dhe pasuri të tjera vërtetoheshin dhe vazhdojnë të vërtetohen si autentike (origjinale) nga gjykatat e Kosovës (UNMIK-ut, tash edhe të EULEX-it), pa asnjë problem! Mjafton të kesh para, mbështetje politike ose rrjetë, bandë të organizuar kriminale! Të gjitha këto transaksione kriminale të pronës në fund i “vulosin” komunat, duke i regjistruar në kadastër si prona të iksit apo ypsilanit! Për këto transaksione mafioze dhe kriminale pajtohej dhe vazhdon të pajtohet edhe AKM-AKP-ja! Mos e bënë zot që Komuna të marrë ndonjë pronë “shoqërore” për nevojat e saj, që edhe është e saj, për interesa publike a qytetare! Do të ngrihet në këmbë gjithë rrjeti kriminal i Komunës së caktuar, gjykata, AKM-AKP-ja, UNMIK-EULEX-i e kush jo tjetër! Prandaj, Ju zoti Fait dhe Ju zoti Kermabo, por edhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes, do të duhej të këmbëngulnit dhe ta detyronit Beogradin ta kthente dokumentacionin e grabitur kadastral. Kjo cështje e madhe për normalitetin në Kosovë dhe në cdo shoqëri do të duhej të shtrohej në bisedime me Serbinë para cështjes së “decentralizimit” të Kosovës. Por, qarqe të caktuara në botë nuk ishin të interesuara për zgjidhje të qëndrueshme dhe për vendosjen e një rendi demokratik dhe të drejtë në Kosovë. Shikojeni tokën që dikur ishte “shoqërore” nga Ferizaji e në Prishtinë. Ajo nuk u “privatizua” dhe as u administrua nga AKM-AKP-ja, por nga krimi i organizuar dhe rrjeti mafioz me anë të dokumenteve të falsifikuara, të cilat bëheshin “origjinale” nga gjykata dhe nga kadastri i komunës së caktuar! Në këto prona-toka “shoqërore”, jo vetëm në rrugën Ferizaj-Prishtinë, por anë e mbanë Kosovës ka lulëzuar një gjungël e ndërtuar nga hekuri, betoni dhe bllokat ose tullat! Toka e bukës po shkatërrohet në mënyrë sistematike! Askush nuk u dënua dhe nuk po dënohet për këtë trafikim kriminal të tokës dhe të pasurive të Kosovës, askush nuk u dënua dhe nuk po dënohet për korrupcion dhe shpërdorime të tjera. Përkundrazi. Krimi i organizuar dhe korrupcioni po ushqehen dhe inkurajohen nga “drejtësia” e organizuar, e ndërtuar, e mbikëqyrur, e kontrolluar dhe e zbatuar nga UNMIK-EULEX-i.

Pa dashur me i arsyetu institucionet dhe qeverisjen vazale vendore, kot ia hidhni fajin Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës, derisa “drejtësinë” e kontrolloni dhe e bëni Ju! Institucionet vendore kanë vetëm një faj: Dëgjueshmërin, servilizmin, hipokrizinë dhe vazalitetin pa kushte ndaj politikave të UNMIK-EULEX-it, në vend të ndërtimit dhe fuqizimit të politikave dhe të qeverisjes së pavarur në interes të vendit dhe në vend të ndërtimit të partneritetit e jo të vazalitetit.

Pjesa e Dytë

Se cfarë është drejtësia e UNMIK-EULEX-it dhe e gjykatave të tyre të quajtura të Kosovës dëshmon edhe rasti i Komunës së Vitisë dhe i “aferës” me objektin e Komunës, ku është vendosur Drejtoria e Arsimit.

Lexojeni me vëmendje këtë “histori” zoti Fait dhe Kermabo!

Në oborrin e Qendrës së Arsimit të Mesëm, ku është Gjimnazi dhe Shkolla e Mesme Profesionale, në vitin 1985, nga Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit (Komuna) ishte ndërtuar një objekt për Shoqatën e gjuetisë që mbante emrin “JELEN” (sërbisht). Vendimi për dhënien e kësaj prone të shkollës në shfrytëzim është i botuar edhe në gazetën zyrtare të KSAK (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës), më 15 nëntor të vitit 1985. A mund ta imagjinoni, zotërinj, se carë revolde do të provokonte vendosja e një shoqate të gjuetisë në një oborr shkolle në Holandën apo Francën tuaj?! Pas Luftës Antipushtuese Clirimtare të UCK-së dhe pas ndërhyrjes së NATO-s, Serbia me të gjitha formacionet e veta ushtarake, policore, politike e shoqërore u dëbua nga Kosova. Fat të njëjtë si të gjitha shoqatat tjera qeveritare, pati edhe Shoqata “Jelen”. Mirëpo, objektin që deri në përfundim të luftës e shfrytëzonte “Jelen”, e uzurpoi një qytetar, i cili më vonë, në vitin 2002, për ta “legalizuar” uzurpimin e këtij objekti, themeloi një Shoqatë me emrin “Dreni” e më vonë “Drenusha”. Në fakt, sic mund të dokumentohet me dosjet dhe informacionet që ka policia, këto lokale u shfrytëzuan për veprimtari ilegale, kryesisht për prostitucion. Kjo veprimtari e shëmtuar ushtrohej në oborrin e dy shkollave kryesore të Komunës së Vitisë! Për këtë ishin të njoftuar, sic thuhet, i madh e i vogël në Viti. Qeverisja komunale dhe policia nuk ndërmorën asnjë masë për ndalimin e këtyre aktiviteteve ilegale, por as nuk iu lejua de jure (me letra) asnjëherë shfrytëzimi i këtyre lokaleve. Në mars të vitit 2008, Kryetari i Komunës urdhëroi të lirohen lokalet nga uzurpatori i tyre, kurse Kuvendi i Komunës së Vitisë mori vendim që në ato lokale, meqë ndodheshin në oborrin e dy shkollave të mesme, të vendosej Drejtoria e Arsimit, e cila edhe sot është aty. Pas kësaj ndërhynë Gjykata komunale me një vendim për “pengim posedim”, sigurisht duke u thirrur në ligjin e janarit të vitit 1980, të RSFJ-së. Megjithëse, për rastet e uzurpimit të pronës ose të marrjes së saj me mashtrim (sic thuhet në atë ligj) nuk mund të vlej ky formulimi, “pengim posedim”, por kur ligjin e bënë Maliqi, edhe vlen! Më vonë pati disa vendime edhe nga Gjykata e Qarkut në Gjilan. Sponzorues dhe hartues direkt i këtyre vendimeve ishte Kryetari i Gjykatës së Qarkut, Ymer Huruglica, i njohur i uzurpatorit dhe njëri prej më të korruptuarve në Kosovë. Dyshohet edhe për bashkëpunim të ngushtë me pushtuesit serbë dhe shërbimet e tyre. Kjo mund të provohet me hapjen e dosjeve… Megjithëse, ky qytetar, dhe më vonë Shoqata e tij “Drenusha”, e kishin uzurpuar objektin e Komunës dhe nuk e kishin pasur asnjë minutë në shfrytëzim, gjyqëtari i EULEX-it, Vitor Hugo Pardal urdhëroi që ky objekt të lirohet nga Drejtoria e Aresimit dhe t’i jepet në shfrytëzim “Shoqatës” “Drenusha”! Kjo Shoqatë, që thotë se është trashëgimtare e “Jelenit” nuk arriti asnjëherë të dëshmoj me asgjë se është ose se mund të jetë trashëgimtare. Ajo ishte thjeshtë uzurpatore e këtij objekti të Komunës. Kjo shoqatë në fakt nuk është as Shoqatë gjuetie. Me zonën e gjuetisë në Viti menaxhon Shoqata e Gjuetisë “Karadaku”, e cila ka fituar tenderin tash e një vit për këtë qëllim. Kësaj Shoqate, Kuvendi Komunal ia ka ndarë edhe një truall për ndërtimin e objektit të saj. Nuk po zgjatem shumë me hollësi, sepse lëndën e kompletuar e kemi dorëzuar më herët te EULEX-i, në Këshillin Gjyqësor dhe në institucionet tjera.

Komuna e Vitisë nuk pranoi ta dorëzonte objektin, sepse kishte obligim ligjor që ta mbronte. Për këtë arsye u arrestuan rreth njëqindë zyrtarë komunalë, drejtorët e shkollave të Komunës së Vitisë dhe kryetarët e fshatrave, që nuk pranuan të largoheshin nga objekti! Ky ishte një skandal i pa paparë as në kohën e regjimit socialist jugosllav! Pas këtij skandali, i njëti gjyqtar i EULEX-it, sjell një vendim me të cilin Komunës i njihet e drejta që ta disponoj dhe shfrytëzoj objektin e saj! Para ca dite, i njëjti gjyqtar, Vitor Hugo Pardal, pas një vendimi që paska marrë Gjykata e Qarkut në Gjilan, alias Ymer Huruglica, urdhëron Komunën ta liroj objektin! Meqë Komuna nuk e ka liruar dhe as nuk ka të drejtë ta liroj, sepse ligji i jep të drejtë dhe e obligon Komunën të administroj me pasurinë e saj, EULEX-i merr një hap tjetër. Më 16 shkurt 2010, Kryetarja e Asmblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, “me kërkesë të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith (sic thuhet në atë letër), cakton shqyrtimin e rastit më 23 shkurt, në orën 10 e 30 minuta, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan! Nga kjo shkresë mësojmë se EULEX-i e paska “detyruar” AKP-në të bëjë padi për vërtetimin e pronësisë! Hajde AKP, hajde! Agjenci e Kosovës se jo mahi!

Nuk e di, zoti Piter Fait, a jeni i njoftuar për përfshirjen e emrit tuaj në këtë rast a jo? Por, të merreni Ju dhe EULEX-i me objektin e Komunës, ku është vendosur Drejtoria e Arsimit (dicka krejtë legale dhe në interes të shkollës e të qytetarëve të Vitisë), dhe të mos merreni me dhjetëra e qindra prona të trafikuara dhe të kontrabanduara në Komunën e Vitisë, me ndihmën e gjykatave dhe të pushtetarëve vendorë e ndërkombëtarë, me ndihmën e AKM-AKP-së dhe të avokatëve të tipit Shemsedin e Ekrem Pira dhe kolegëve të tyre, thënë më së buti është e papranueshme për këtë vend. Ju dhe EULEX-i do të bënit mirë të hetonit se si u “privatizua”, më saktë, si u shkatërrua bahqja (serra) e Vitisë, 12 hektarë, dhe shumë e shumë prona e pasuri tjera të Vitisë dhe të Kosovës. Rreth njëmijë e pesëqindë lëndë penale janë të pashqyrtuara (të pazgjidhura) në Gjykatën Komunale të Vitisë, mijëra të tjera në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, mbi njëzetë mijë në Gjykatën e Mitrovicës dhe Ju, me EULEX-in, gjeni kohë të merreni qe dy vjet me një objekt të Komunës, me një objekt të shkollës!! Pastaj, Ju nuk po arrini të vendosni edhe pas një viti minimumin e sundimit të ligjit në Veri dhe as kthimin e gjykatësve atje e po merreni me pasurinë komunale të Vitisë! Nëse Ju jeni këtu për ta ruajtur dhe thelluar ndarjen e Kosovës, nëse Ju jeni këtu për t’i përkrahur uzurpatorët, krimin e organizuar dhe trafikimin e pronës së Vitisë dhe të Kosovës, unë, dhe besoj cdo shqiptar i Kosovës, do të jetë kundër këtyre politikave dhe kundër kësaj drejtësie. Nëse Ju jeni këtu për të dënuar Albin Kurtin e jo kriminelët, krimin e organizuar dhe korrupcionin, mua dhe cdo qytetar të Kosovës do ta keni kundër.

Ju mund të më pyetni: Cfarë duhet të bëjmë? Përgjigjia ime: Të ndërpritet menjëherë ky proces absurd, korruptiv dhe i sponzorizuar nga krimi i organizuar. Sistemi i drejtësisë, gjykatat në Kosovë të pavarësohen nga krimi i organizuar dhe nga lidhjet e tyre të vjetra me Serbinë. Sistemi i drejtësisë të bëhet pjesë e pandashme e sitemit politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës. Gjkykatat, në bashkëpunim të ngushtë me pushtetet tjera në Kosovë, të angazhohen dhe ta luftojnë korrupcionin, krimin e organizuar dhe dukuritë tjera të dëmshme për vendin. UNMIK-u dhe Shefi i tij t’i bëjnë gati menjëherë valixhet e tyre dhe të largohen nga Kosova. EULEX-i ta kuptoj dhe pranoj se vepron në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Nëse EULEX-i nuk arrinë që brenda një kohe të shkurtër ta ndihmojë dhe përkrah vendosjen e kontrollit të plotë të Qeverisë së Kosovës në tërë territorin e Republikës, do të duhej të shqyrtonte arsyeshmërinë e qëndrimit të mëtejmë në Kosovë. Evropa e Bashkuar, SHBA-ja dhe qeveritë mike të Kosovës do të duhej të gjenin forma, rrugë dhe mjete tjera të përkrahjes së Kosovës. Populli i Kosovës dhe e ardhmja e tij nuk guxon të mbetet peng i këtij sistemi të drejtësisë, i krimit të organizuar dhe i korrupcionit që shpeshherë nxitet, inkurajohet dhe prodhohet nga ky sistem dhe nga misionet që e kanë ndërtuar dhe e kontrollojnë atë…

Viti, më 21 shkurt 2010

P.S. nga një kopje e kësaj letre do t’u dërgohet edhe ambasadave në Kosovë dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë jashtë Kosove…

Shefit të EULEX-it në Kosovë, Ivë dë Kermabo

Shpërndaje artikullin:
  • Print
  • Facebook
  • Google Bookmarks
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Add to favorites
  • PDF
  • Twitter

KOMENTO ARTIKULLIN




Modifikimet e Fundit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit- Organizimi ushtarak dhe shembuj të luftës së saj

Arbër Ahmeti:

Arbër Ahmeti: Lidhja Shqiptare e Prizrenit- Organizimi ushtarak dhe shembuj të luftës së saj

Arbër AhmetiKuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878, dhe ishte fillimi i organizimit te vetëm mbrëkombëtar që nga koha e Skënderbeut. Rreziku që i kanosej shqiptarëve ishte jashtëzakonisht i madh. Lakmitë e shteteve shoviniste fqinje dhe fitoret e aleatës së tyre Rusisë mbi Turqinë përbënin rrezik për ekzistencën e Kombit Shqiptar.Ministri i jashtëm serb Ilia Garashanin hartoi dokumentin “Naçertania” më 1844, projekt që synonte rritjen e Principatës së vogël serbe në “shtet të madh sllav sipas shembullit të perandorisë së Stefan Dushanit”. Poashtu edhe Greqia përmes programit të monarkut të saj Jani Koletit, hartoi programin i cili njihej me emrin “Megali Idea”(Ideja e Madhe) që synonte rritjen e mbretërisë së vogël greke në Perandori të madhe helenike me kryeqendër Stambollin. Në bazë të parimeve të këtij programi tërë Epiri deri në Shkumbin, dhe tërë Maqedonia deri në Korçë i takon Greqis. Po ashtu edhe Mali i Zi ëndërronte që për kryeqendër ta kishte Shkodrën, dhe kjo lakmi u tregua qartë me veprimet e Knjaz Nikollës kur vojvodët dhe bandat malzeze me ndihmën e turqve pushtuan Vraninën, ishull me pozitë strategjike në liqenin e Shkodrës i cili konsiderohet si urë për të marrë Shkodrën.

Gjatë bisedimeve greko-serbe që u zhvilluan në Stamboll më 1861, Athina dhe Beogradi u pajtuan për ta ndarë Shqipërin mes tyre, madje ato si kufi mes tyre caktuan rrugën e vjetër Egnatia(Durrës-Elbasan-Ohër). Edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete këto dy vende vazhdonin qëndrimin e tyre antishqitar.Këtë qëndrim për vitet që vijuan e shtjellon mirë profesori i nderuar Kristo Frashëri i cili në monografinë e tij për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit citon: “Më 1866, kur mardhëniet midis shqiptarëve dhe Stambollit ishin shumë të acaruara sa pritej,siç shkruante atë vit Dora D’Istria,që në rastin më të parë të ndodhin ndërlikim të rënda, Athina dhe Beogradi u vunë menjëherë në lëvizje për të shfrytëzuar momentin në interes të politikës së tyre ekspansioniste. Si më 1845

ashtu edhe tani,më 1866, banda andartësh grek hynë përsëri nga territori i Greqis në Vilajetin e Janinës për të ndezur flakën e kryngritjes antiosmane nën flamurin e Megali Idesë helenike. Në të njëjtën kohë, diplomacia serbe shpresoi se do të shfrytëzonte gatishmërinë e shqiptarëve për kryengritje antiosmane duke i premtuar njërit prej perfaqsuesve të fundit të feudalve separatist, Xhelal Pashë Zogut, krijimin e një shteti Shqiptar liliput në viset e Shqipëris qëndrore.”

Më 1867 dy monarkitë ballkanike, Serbia e Greqia u ulën sërish pëball njëra tjetrës për bisedime, rezultat i të cilave ishte Traktati i Aleancës Greko-Serbe, i nënshkruar në Vëslau, i cili parashihte luftën e përbashkët kundër perandorisë Osmane,duke i shikuar

Shqiptarët si ndihmesë të shkallës së lartë, por pa dalur jashtë kornizave të parimit të ndarjes së Shqipërisë të vendosur 6 vjet më parë në Stamboll.

Për 4 dekada rresht Lëvizja Kombëtare Shqiptare, punoi me vetëmohim për të vetëdijsuar popullin,dhe të rris gatishmërinë e tij për luftë kundër armikut. Tërë kryengritjet dhe revoltat (mbi 39 sosh) që ndodhën kundër Reformave të Tanzimatit dhe Pushtimit Turk gjatë viteve 1830-70, krijuan përvojën organizative-ushtarake, dhe pjekën kushtet për organizimin mbarëkombëtar që ndodhi më 1878 pë ti dhënë fund shtypjes shumëshekullore dhe tregtisë me tokat Shqiptare. Tërë ajo përpjekje u kurorzua më 10 qershor 1878, kur tërë populli shqiptarë iu përgjigj thirrjes për tu bashkuar në luftë për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të tokës Shqiptare. Historiani amerikan Ferdinand Schevill, në veprën e tij “Ballkani-Historia dhe qytetrimi” për pozitën e Shqiptarëve në shek XIX citon: ”Duke qenë një popull analfabet dhe i paorganizuar, shqiptarët nuk mundën të krijonin një propagandë dhe njihnin vetëm gjuhën e revolës dhe pushkës. Megjithatë ata ishin shumë të aftë në përdorimin e këtyre mjeteve dhe shpesh u përdorën nga turqit meqë kishin të njëjtën fe me otomanët”.

Propaganda e jashtme shumë e mefshtë shqiptare, sillte krijimin e opinionit të gabuar, të ndikuar nga propaganda greke e sllave shumë e zhvilluar, gjë që qonte intelektualë gjer në atë pike sa ta quanin Shqipërinë “shprehje gjeografike”, siç ndodhi me Bismarkun.

Përkundër propagandës së jashtme të pazhvilluar, Lidhja kishte propagandë të brendshme mjaftë të fuqishme, e cila ishte fryt i punës së Lëvizjes Kombtare Shqiptare, dhe populli nuk ndikohej fare nga njerzit me poste, apo shërbëtorët të portës, por u besonte trimave dhe mendjeve të shquara që prinin në çdo betej ndaj çdo armiku, u besonte bijve më

të mire të kombit që dilnin nga gjiri i tij në ditët më të vështira. Jeta dhe vepra tre vjeçare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), është një nga epopetë më të mëdha të popullit dhe historisë shqiptare, dhe ishte organizimi i vetëm politiko-ushtarak mbarëkombëtar që nga koha e Skënderbeut, madje ajo finalizoi krijimin e kombit Shqiptar. Ajo ishte tregues i vetëdijes së lartë të popullit shqiptar, dhe vullnetit të tij për të jetuar një jetë të lirë dhe të dinjitetshme.

Vendimet dhe planet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit synonin organizimin tërësor të forcës luftarake të popullit shqiptar. Ndër sukseset e Lidhjes është se në kuvendin e saj përballoi me sukses sabotimet e sulltanit, i cili përmes feudalëve vendas mundohej të merrte të drejtën për mobilizimin e forcave luftarake vullnetare të vetëmbrojtjes të cilët nën hijen e flamurit perandorak dëshironte ti dërgonte në Bosnje, dhe ti përdorte për interesa të veta. Po ashtu Lidhja zbatoi masa për të paaftësuar dhe izoluar skemat dhe shabllonet e ngurta organizativo-ushtarake feudale, të cilat ishin pengesë sepse kufizonin si në numër dhe cilësi forcën ushtarake vepruese të Lidhjes. Megjithatë në shumicën e rasteve ata janë vënë në shërbim të Lidhjes, dhe kjo gjë dëshmohet nga procesverbalet e gjygjeve që janë bërë ndaj feudalëve pjesmarrës të Lidhjes Shqiptare, pas shuarjes së saj, ku këta feudal dëshmonin se nuk guxonin të mos bëheshin pjesë e Lidhjes ( flasim për procesverbalet që gjenden në Arkivin e Kosovës dhe të cilat janë studiuar dhe përkthyer).

Synimi i Lidhjes për aspektin ushtarak ishte të bënte organizimin e plotë ushtarakë dhe format e luftimit ti fuste në binarët e veprimtarisë së rregullt dhe ti ngrinte në nivelin strategjik, duke mos harruar format organizative popullore e tradicionale,dhe përvojën e mire luftarake të së kaluarës. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e bëri planin e moblizimit dhe parashikimin e numrit të forcave të gatishmërisë që u bë në varësi me shkallën e rrezikut dhe mobilizimin e forcave armike që do të kalonin në agresion, si p.sh. Mali i Zi i cili vuri në gjendje gadishmërie të lartë gjithë forcën ushtarake (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria) .

Mirëpo një faktë jo i ditur shumë është se kuvendi i Lidhjes Shqiptare (10 qershor 1878- korrik 1878)  kishte ndodhur pas organizimit ne disa zona. E kemi si shembull zonën e Dibrës ku formacionet e ushtrisë jo të rregullt vullnetare Shqiptare u krijuan që në vitin 1877, dhe mbi këtë ngjarje na hedhë dritë Zëvendëskonsulli Anglez  Eduard Barker ( Edward B. B. Barker) i cili në raportin dërguar Zotëri Layardit nga Selaniku më 22 shtator 1877 shprehet: “ Kam nderin ti raportoj Ekselencës Suaj se informatat, të cilat i ceka në mënyrë të përciptë në letrën time të dt. 18 të muajit të kaluar nëpërmjet të postës së fundit, u vërtetuan plotësisht.

Selim beu udhëheqës, i cili ka pasurinë në Dibër, është angazhuar për të përgatitur trupin prej 4000 vetësh të ushtrisë jo të rregullt vullnetare Shqiptare për të qenë kufitarë në kufirin e Greqisë. Propozimi i tij është pranuar, dhe këta njerëz janë ndarë në 3 çeta prej 1.500, 1.300 dhe 1.200, duke marrë 3 drejtime të ndryshme (…)

Këta Shqiptarë (gegë) janë raca më e rreptë e Shqiptarëve, dhe se mu për këtë arsye janë zgjedhur për t’u dërguar kundër invazionit të supozuar grek. (The British Museum, London, Accounts and Papers (37). 1878 LXXXII. 82, 285, 286)”. 

Si rrjedhoj shohim se Lidhja Shqiptare kishte formacione të gatshme të krijuara, pa marrë parasysh mënyrën e krijimit dhe ideatorin, ato forca kanë kryer detyrën patriotike dhe në momentet e duhura janë futur nën ombrellën e organizimit zyrtar te forcës së Lidhjes.  

Ushtria e Lidhjes- Ushtria Kombëtare Shqiptare

Sistemin e plotësimit të rradhëve dhe mobilizimin Lidhja e ngriti në një shkallë më të lartë, të bazuar në kriteret zakonore krahinore dhe mbarëkombtare, pa harruar të servirej me metodat e përdorura në vendet e tjera. Lidhja vendosi kritere normative dhe rregulluse

(“Kanuni i Lidhjes”-1 korrik 1878), duke krijuar një varg organesh për këtë qëllim (Komiteti i Lidhjes, Komiteti i Luftës apo siq quhet ndryshe Komiteti i Mbrojtjes).

Mobilizimi shtrihej në popullsinë e Shqipërisë pa përjashtime. Hapi i parë i Lidhjes në këtë drejtim ishte regjistrimi i popullsisë, qëllimi i të cilit ishte që të dihej saktësisht numri i njerëzve të aftë për të mbajtur armë.

Dëshmi janë raportet e konsullit austro-hungarez Lippih i cili nga Shkodra i raportonte më 20 korrik 1878 qeverisë së tij se komitetet e Lidhjes Shqiptare ne sanxhaqe, siç citonte ai, “po punojnë me zell për regjistrimin e të gjithë burrave prej moshës 15-70

vjeç,pjesërisht për ti inkuadruar në milicinë efektive,pjesërisht për ushtrinë

e saj rezervë”.

Dëshmi tjetër për këtë është edhe një dokument tjetër i nxjerrë nga Lidhja i cili nëpër dokumente gjendet me emrin Talimat ( rregullore, udhëzim, instruksion, Dekretligj), i cili ne Nenin III shprehet: “Çdo rreth (kaza) do ti marrë masat një orë e më parë dhe do ta hetoj numrin e njerëzve që janë të aftë ti përdorin armët, dhe ti dërgojn si ushtarë të rregullt, atje ku ta lyp nevoja, sipas urdhërit të kshillit qëndror (K.A. Dako, Liga e Prizrenit, Bukuresht,1922. A.K. Fondi L.P. fot. Nr. 1)”.

Lidhur me këtë përcaktohet me rregullore se kushdo që të jetë dhe pa marrë parasysh cilit besim e krahinë i takon, detyrohej ti përgjigjej në kohë thirrjes së atdheut. Rregull shumë e përdorur e mobilizimit ishte “një luftëtar për shtëpi”, mirëpo në raste të jashtëzakonshme në krahina kufitare, numri arriti edhe në “tre burra për shtëpi” e madje edhe gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë, siç ndodhi në Malsinë e Madhe.

Sipas regjistrimit që bëri Lidhja, në gjitha viset ky plotësim përfshinte rreth 260’000 veta, që ishte baraz me 15-16% të popullsisë.

Vilajeti i Kosovës me Shkupin, Manastirin dhe rrethet nxirrte rreth 130’000 luftëtarë. Vilajeti i Janinës përfshirë Beratin, Prevezën,Artën, së bashku me rrethet e tyre arrinin shifren 70’000 luftëtarë.

Shkodra me Shqipërinë e mesme deri në Ohër do të jepte deri 60’000 luftëtarë(Gazeta Ushtria).

Ndërsa prof. dr. Kristo Frashëri kur përmend dispozitata e Talimatit(Urdhërsë/17 qershor 1878) në të cilat Kuvendi i përgjithshëm synon të ngrijë në këmbë ‘një ushtri të rregullt të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme’ citon: “Forcat ushtarake të Lidhjes do të përbëheshin nga ushtarë të mobilizuar, të cilët do të qëndronin në frontin e luftës, dhe nga ushtarë rezervë , të cilët do të rrinin në gatishmëri pranë shtëpive të tyre. Si bazë territoriale për ushtrinë do të shërbente sanxhaku, kurse nga pikpamja operative, të gjitha repartet do të vareshin nga komiteti qëndror. Kuadrot ushtarake do të caktoheshin nga instancat eprore, por do të miratoheshin nga popullsia e bazës territoriale të repartit (nenet 2-15)”

Sipas “Talimatit” njësia bazë ishte kompania prej 100 vetash me në krye një Kapiten. Do të kishte kompani këmbësorësh dhe kalorësish, të inkuadruar në batalione prej 500 vetash me në krye një Major. Disa batalione do formonin një regjiment (brigadë) me 2’000-2’500 luftëtarë të komanduar nga një Kolonel, ndërsa dy regjimente me rreth 5’000 ushtarë do krijonin një divizion të komanduar nga një Gjeneral(Kapedan).

Njësia më e lartë do të ishte korparmata që do mbulonte një front luftarak, e cila do përbëhej nga një numër i caktuar divizionesh sipas rëndësisë së frontit.

Përshkrim edhe më të plotë të organizimit ushtarak të Lidhjes Shqiptare na jep Xhafer Belegu ne verpën e tij kur citon dokumentet e botuara ne “Liga e Przrenit” të Kristo Dakos publikuar me 1922 në Bukuresht. Në pikën e 19 ku flitet pikërisht për organizimin ushtarak thuhet: 19) Në çdo vend ushtria do të ndahet në kompani; çdo kompani do të ketë 100 burra e do të komadohet prej nji kapidani, nji nëntogeri 5 aspirantave, 10 rreshtereve dhe nji llogaritari. Nji batalion formohet prej 4 kompanive këmbësorësh dhe nji kompanie kalorësish nën urdhërin e nji majori. Do të ketë nji imam, nji sekretar dhe në rasë nevoje  dhe nji flamurtar. Nji batalion do të ketë 500 vetë, 4 bataliona do të komandohen prej nji kolloneli, e nji nënkolloneli me nji sekretar. Për çdo dy regjimente do të ketë nji gjeneral brigade… ( Xhafer Belegu- Lidhja e Prizrenit, fq. 38/ Trianë 1939)

Moblilizimi u planifikua  dhe u krye në periudha kohe të shkurtëra nga një deri dy javë, e në raste të jashtzakonshme edhe brenda 3-5 ditësh, siç është rasti i mbrojtjes së Hotit dhe Grudës(prill 1880).

• Kufitarët e Lidhjes, Sistemi i Gatishmëris

Shifrat e mëposhtme janë të nxjerra nga studimi i dy ushtarakeve shqiptar me teme studimi “Çështje ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” . Sipas këtij studimi Lidhja planifikoi 25’000 luftëtarë për ruajtjen e kufirit shqiptar. Drejtimin Mal i Zi-Shkodër me 50-60km gjatësi forcat e ruajtjes apo mbrojtjes arrinin në 5000-6000 luftëtarë, dhe ishte drejtimi më i rrezikuar për shkak të mobilizimit të tërësishëm të Malit të Zi. Për ruajtjen e kufirit në drejtimet verilindore dhe lindore, përballë Serbisë dhe Bullgarisë, me gjatësi deri 200 km, u caktua një forcë prej 6000-7000 veta. Në drejtimin jugor, sektori i Prevezës dhe Artës, rreth 30-40 km i gjatë u parashikua ta mbronin forcat ekzistuse shtetrore, sepse eprorët dhe ushtarët ishin Shqiptarë dhe Valiu apo autoriteti i Portës së Lartë nuk kishte ndikim mbi ta si pasojë e dezertimeve që ndodhnin, por rasti i Vilajetit të Janinës qe diqka e veçantë sepse forcat ushtarake turke, që ishin të mbushura me Shqiptarë nuk patën nevoj të shpërbëhen për shkak të dezertimit, sepse ato u futën si tërësi organizative nën pushtetin e Lidhjes.

Forcat e ruajtjes dhe gadishmërisë morën forma të formacioneve të rregullta, dhe pikat e përqëndrimit i kthenin në kampe ushtarake, ku bëhej përgatitje dhe stërvitje ushtarake, pajisej, furnizohej dhe organizohej trupa etj.

Sistemi i gatishmërisë i planifikuar nga “Komiteti i Luftës” (diku paraqitet edhe Komiteti i Mbrojtjes) i Lidhjes Shqiptare, kishte koordinuar futjen e veprimit të forcave sipas radhëve të caktuara. Duke u varur nga veprimet e kundërshtarit dhe largësisë së rajonit të

grumbullimit të forcave, kategorizimin e rradhëve sipas studimeve të eprorëve të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë e bënë kështu:

-Të rradhës së parë ose sigurimit

luftarak;

-Të rradhës së dytë ose forcat e

mbrojtjes fillestare; dhe

-Të rradhës së tretë ose të

mbrojtjes së plotë, rezervat apo përforcimet e mbrojtjes (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit)

Forcat e rradhës së parë dilnin prej popullsive të rajonit kufitar, në brez kufitar të thellë 10-20 e më tepër kilometra. Ato nuk arrinin arrinin numër të lartë të luftëtarëve, për sektore shifrat e mobilizimit të forces luftarake vullnetare arrinin në nivelin e batalionit (200-500 luftëtarë). Në Plavë, Guci, Hot, Grudë dhe Ulqin për secilin sektor numri i forcës së armatosur arrin 300-400 vullnetarë. Në gjithë vijën e kufirit me Malin e Zi, numri i këtyre forave vullnetare të dala nga rradha e parë arrinte në 2500-3000 luftëtarë.

Rradha e dytë përbëhej nga forcat e zonave më të thella të vendit, në një distance nga brezi kufitarë që fillonte nga 20km dhe shkonte deri në 80 km në thellsi.Krijimi i formacioneve të rradhës së dytë bëhej me urdhër të udhëheqjes qëndrore të Lidhjes.

Rradha e tretë ose forcat e mbrojtjes së plotë, rezervat dhe përforcimet e mbrojtjes, plotësohej nga forcat që vinin nga zonat më të thella të vendit. Të tilla ishin Dibra, Mati, Kavaja, Tirana, Elbasani, Berati, Vlora etj. Disa nga grupimet apo formacionet e kësaj kategorie përbënin rezervat e mirfillta strategjike, të cilat parimisht do të përdoreshin si përforcime për formacionet e rradhës së dytë, dhe plotësim në forcat mësymse. Parashikohej se me rastin e luftës në veprim të forcave të rradhës së tretë raporti i forcave rritej së tepërmi. Sipas disa përllogaritjeve të përafërta,raporti do të arrinte në 1.5me1(1.5:1) ose më tepër në favor të Lidhjes Shqiptare, duke llogaritur vetëm

forcën e gjallë, pa u llogaritur bateritë e artilerisë që parimisht në ato kohë një grykë topi rrahte 10 veta, pavarsisht se kjo qëndronte vetëm në teorin ushtarake sepse shpërndarja e forcave dhe vendosja e tyre në terren i pamundësonte artilerisë të bënte dëme të konsiderushme përveqse në rastet e mësymjes, kur forcat ekspozoheshin.

• Forcat Mbrojtëse dhe  Kundër-mësymse

Sistemi ushtarak i Lidhjes, duke u orientuar nga forca vullnetare dhe duke pasur mbështetje ekonomike të dobët, nuk mundi të formonte një ushtri të rregullt e të përhershme. Sipas programit të Lidhjes u realizua vetëm mobilizimi, plotsimi dhe organizimi pjesor për të kundërvepruar në drejtimet e kërcënuara e të veçanta(Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria) .

Po në të njëjtin dokument të përmendur më parë, lidhur me organizimin e trupës në terren dhe përbërjen e saj thuhet si më poshtë: 6) Prej Jenipazarit (Treut të Ri) do të formohet nji ushtri e pëtbërë prej 20000 Shqiptarësh  .7) Në Kosovë do të formohet nji ushtri prej Shqiptarësh e cila do të mbrojë viset prej Mitrovice deri në Gillan ; Kjo ushtri në këto Krahina do të bashkohet me atë të shkupit dhe numri i saj do të arrij deri më 70’000 shiprtë. 8) në Shkup do të formohet nji ushtri e cila duke u-bashkue me ate të Kosovës, do të shkojë në Pallanka dhe në Vrajë… ( Xhafer Belegu- Lidhja e Prizrenit, fq. 39/ Trianë 1939)  

Ndërsa në lidhje me organizimin ushtarak në pjesët Jugore të Shqipërisë, ky sektorë nxirrte mbi 70’000 burra nën armë. Madje Lidhja e projektoi një forcë e cila do ishte e gatshme për çdo rast. Kjo forcë do mblidhej nga kryetarët dhe anëtarët e degëve të Lidhjes.

Personat që do kontribonin në organizimin e kësaj force ishin: Mustafë Pashë Vlona Kryetar i degës së Vlorës 10’000 shpirtë, Mehmet Ali Pashë Vrioni kryetar i degës së Beratit 3000 shpirtë, e anëtarët Hasan Bej Vrioni, 1000, Ymer Beu i Kahreman Pashës 3000, Telha Situmi 500, Emin Telha Beu 1000, Zeqi Hysen Plenotniku 5000, Rrustem Celo Picari 1000, Sabri Bej Gjata 1000, Hysen Beu 1000, Mehmet Beu 1000, Baba Mustafai 5000, Demo Likoja 500, të gjithë anëtarë të Lidhjes së Gjinokastrës, Baba Hysen Mamlia 5000, Myslim Ago Vasjari e të vëllaznit 3000, Latif Zeqi 1000, Kaso Tefiku 500, Osman Tahiri 1500, Ibrahim Bej Dragoti 2000, të gjithë anëtarët e Lidhjes në Tepelenë; Ahmet e Daljan Bej 5000, Abdyl Bej Frashëri 1500, Ymer Metko nga Luzati 500, Ismail Bej Velishti 500, Nexhip Aga 500, të gjithë anëtar% të Lidhjes në Përmet, Jahja Bej Zavalani 300, Iljaz Be Kolonja 3000 të Kolonjës; Myslim Gjoleka prej Kurveleshit 2000. Çamëria u zotue në rastë nevoje me ngritë 10000 burra. Me kto fuqina do të bashkoheshin edhe 4000 ushtarë shqiptarë të ushtrisë turke n’Epir e Thesali…. ( Xhafer Belegu- Lidhja e Prizrenit, fq. 149/ Trianë 1939). 

Duke parë këtë program, të hartuar nga Lidhja, në bazë të parimit të vullnetarizmit, me suksesin e arritur në vetëdijsimin e Popullit, Ushtria Kombëtare Shqiptare do përbëhej nga “180’000 burra me 38 batalione (142000 kambësor dhe 38000 kalorës)”(Xh. Belegu-Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fq.39/ Tiranë 1939).

Por në mungesë të mjeteve ky program nuk u arrit të plotësohej tërësisht, dhe efektivi i vërtet i forcave ushtarake të Lidhjes nuk i kaloi të 25 mijë luftëtarët në tërë trojet e Shqipëris veri-lindore, dhe të 30 mijë luftëtarët në Shqipërinë e Poshtme. Nga këta vetëm disa mijëra u ndeshën (midis 10-15 mijëve) u ndeshën frontalisht me armikun në disa pika, në veri e veri lindje, ndërsa të tjerët u mbajtën rezervë ose në gatishmëri (Ligor Mile- Rreth Oreganizimit Politik, Pushtetor dhe Ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/Artikull).

Në përshtatje me mundësitë e mësymjes së armikut nga disa drejtime e gjithë fuqia e armatosur e Lidhjes sipas urdhëreses së saj do ndahej në pesë korpuse. Këto grupforca të mëdha ndërkrahinore të quajtura korpuse (ushtri krahë) ndahen: Korpusi i Kosovës, i Tregut të Ri, i Shkodrës, i Shkupit dhe ai i Janinës dhe këto ishin struktuarat më të avancuara të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për shkak se ofronin mundësinë e mësymjes. (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria) .

-Korpusi i Kosovës do mund të përbëhej prej 70 mijë vetash. Ai do të kishte si detyrë të mbrohej ndaj mësymjes serbe, kurse në kuadrin e veprimeve mësymse për çlirimin e tokave të pushtuara prej Serbisë do përbënte forcën kryesore. Gjithashtu do të ndihmonte

korpusin e Shkodrës dhe Tregut të Ri në luftën kundër Malit të Zi, dhe kjo gjë ndodhi madje z. Kirby Green i shkruan Kontit Granville më 29 korrik 1880 nga Shkodra i cili tregonte mbërritjen e një kontigjenti vullnetarësh nga Prizreni dhe thotë: “ …duke ju lajmëruar ardhjen e një kontigjenti vullnetarësh nga Prizreni, kam nderin t’ju raportoj se kjo forcë si thuhet përbëhet prej afro njëqind vetash nga çdo krahinë kryesore e Vilajetit të Kosovës, dhe se, ajo vjen si një lloj premtimi shqiptarëve të veriut pse Shqipëria Verilindore do t’i ndihmojë me gjithë forcë në momentin e nevojshëm.” (Public Record Office, London, F. O 195/ 1303) The British Museum, London, Accounts and Papers (43) 1880. LXXXII. 82, 582-583)    

-Korpusi i Tregut të Ri do formohej nga 20’000 veta dhe përbënte forcën ndihmëse e përforcuese ndaj Malit të Zi dhe Serbisë.

-Korpusi i Shkupit përbëhej nga 40’000 veta dhe do merrej me mbrojtjen në drejtimin strategjik lindor.

-Korpusi i Shkodrës mund të arrinte deri në 60’000 luftëtarë por natyrisht duke u plotësuar nga rrethet e Tiranës, Elbasanit, Matit, Ohrit, Dibrës etj. Përbënte forcën kryesore për mbrojtjen dhe kundërmësymjen në drejtimin strategjik verior përballë Malit të Zi.

-Korpusi i Janinës formohej nga 25-30 grupe luftëtarësh që llogariteshin afërsisht 70’000 veta. Kishte për detyrë mbrojtjen ndaj agresionit grek.

Numri i njësive të secilit korpus ishte i ndryshëm. Në Korpusin e Kosovës dhe Janinës mund të formoheshin 15-18 regjimente(brigada) këmbësorie, në atë të Shkodrës prej 14-15 regjimente këmbësorie, në të Shkupit 8-9 regjimente dhe në atë të Tregut të Ri 5-6 regjimente këmbësorie. Korpusi si njësi strategjike mund të plotsohej në varësi me situatat.

Duke i pasur këto struktura, në rastet e mësymjes do të bashkoheshin Korpuset që kanë përputhje të terrenit mes vete. Si shembull mund të marrim Korpusin e Tregut të ri të përbërë prej 20’000 trupash. Ai ishte si force përforcuese në rast mësymje, dhe mund të përforconte Korpusin e Shkodrës në rast ofensive ndaj Malit të Zi dhe Korpusin e Kosovës në rast ofensive ndaj Serbisë. Natyrisht që korpusi si njësi operative është shumë efektiv dhe funksional në mbrojtje, ndërsa në rast ofensive, korpuset do operonin të ndara në regjimente dhe divizioni, për arsye si të tilla do ishin më operacionale dhe efektive në terren në rrethanat e mësymjes.

Për mbrojtjen e Plavës, Gucisë dhe Hotit e Grudës u plotësuan 2-3 regjimente apo afërsisht një division në secilin drejtim. Formacionet e plotësuara në gjitha drejtimet marrur së bashku arritën afërsisht 40’000 veta prej të cilëve 9’000-10’000 në Plavë e Guci, deri 12’000 në Hot e Grudë, rreth 3’000 në Ulqin, 5’000 në Janinë, po kështu 7’000-8’000 në vitin 1881 në luftën kundër osmanve. Korpusi dhe njësitë taktike të hyra në varësi të tij ishin të përkoshme. Ato mund të plotësoheshin e të qëndronin në këto përmasa aq kohë sa do të zhvillohej lufta dhe me efektiv të zvogluar për periudhën sa do të vazhdonte kërcënimi dhe duhej mbajtur gatishmëria luftarake në drejtime të caktuara. Efektivi i regjimentit të përkohshëm (që do të plotësohej) do të ishte 2’000 veta ndërsa i divizionit 4’000 veta, në rast të ngutshme efektivi i njësive të plotësuara do të ishte më i vogël, i batalionit 200 dhe i regjimentit më i ultë se 2’000. Këtu shihet se Lidhja ka vënë themlet organizativo-ushtarake të rregullta dhe përgatitje e drejtim ushtarak me baza shkencore. (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria)

 “Organi më i lartë i Lidhjes ishte Seksioni i Finanacave dhe Mbrojtjes i cili mori formën e një këshilli dhe Shtabi ushtarak madhor i cili si i tillë veproi deri në shtypjen e Lidhjes. Seksioni i mbrojtjes ishte ngarkuar me detyrat e hartimit të planeve dhe urdhrave për mobilizim të formacioneve të armatosura, të organizimit dhe kontrollit të gatishmërisë, dhe drejtimin veprimeve luftarake strategjike.” (Po Aty -Gazeta Ushtria)

Ky organ kishte kryetar Sylejman Vokshin (kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes), pak anëtar dhe personelin. Edhe pse ishte organ i udhëheqjes qëndrore të Lidhjes mbeti në nivelin e grupit drejtues operativ. Organe drejtuese në shkallë më të vogël ishin “Komietet Mbrojtëse” të degëve të Lidhjes në sanxhaqe.

Komitetet që paten funksione kryesisht ushtarake morën përsipër barrën e organizimit dhe drejtimit të luftës mbrojtse.

• Doktrina e Mbrojtjes

Thelbi i konceptit strategjik që përcaktoi Lidhja, pëbënte kryesisht idenë e luftës mbrojtse dhe çlirimtare. Tipari kryesor mbrojtës do të ishte mbrojtja me këmbëngulje e çdo pëllëmbe toke. Për rrjedhoj skena të luftës do të bëheshin krahinat buzë kufirit dhe ato të

afërta. Në kuadër të luftimeve mbrojtëse, përpos asgjësimit të forcave armike që mund të futeshin në brendësi të tokave Shqiptare, Lidhja parashikonte të ndërmerrte edhe veprime kundërmësymse, gjë që do të tregonte se mbrojtja nuk do të ishte aspak pasive mirpo plotësisht aktive. Duke qenë aktive në terren Lidhja do karakterizohej nga “vrulli dhe dinamizmi, nga tendenca për t’ia rrëmbyer iniciativën armikut dhe për ta mbajtur atë vazhdimisht për vete”.

 “Veprimet kryheshin ditën dhe natën, në mënyrë të fshehtë dhe të befasishme, dhe karakterizoheshin në veprime me reparte, nënreparte e deri në grupe të vogla, nga luftimi i afërt me armë zjarri dhe të ftohta, deri në luftimin trup me trup”. (Kadri Cenolli- Arti Ushtarak në Lidhjen Shqiptare të themeluar në Prizren/Artikull )

Kolonat në mësymje shfrytëzonin terrenin, dhe gjatë sulmit përhapeshin në terren përgjat kurrizeve malore, pllajave dhe pjerrësive  duke sulmuar me vrull armikun nga lart.

Në mbrojtje formacionet e luftimit ndërtoheshin të thella, duke i vendosur forcat të shkallëzuara në një ose disa skalione, por gjithmonë duke mbajtur rezerva. Skalionet e dyta dhe rezervat përdoreshin për dhënien e kundërsulmit që zhvillohej gjithmonë nga lart poshtë (K.C.- Po aty ).

 Në përshtatje me terrenin, Lidhja Shqiptare, si veprimet ushtarake mbrojtëse edhe ato kundërmësymse i kreu në praktikë me drejtime apo vija strategjike. Drejtimet strategjike kryesore të veprimeve luftarake ishin Mal i Zi-Shkodër, Mal i Zi-Rrafsh i Dukagjinit, Serbi-Tregu i Ri, Serbi-Fushë Kosovë dhe Greqi-Çamëri.

Planet mbrojtëse të përpiluara me kujdes dhe nga ushtarakë të regjur paraqiteshin në programet politike e ushtarake të Lidhjes si në nivelin e udhëheqjes qëndrore ashtu edhe në ato të udhëheqjeve të degëve kryesore të Lidhjes (Komitetet që u vendosën pranë sanxhaqeve).

Mbrojtja e tërsisë territoriale të tokave shqiptare u vë në plan të parë në planet strategjike që hartoi Lidhja. Madje Lidhja krijoi edhe një forcë të llojit të Reagimit të Shpejtë që do ndërhynte menjëherë në drejtimin e sulmuar, pa pritur thirrjen për mobilizim që do bënin Komitet e Mbrojtjes pranë Sanxhaqeve. Këto forca u krijuan me vendim në fund të vitit 1878 dhe do përbëheshin nga tri brigada në krahinën e Matit dhe 5-6 brigada në krahinën e Dibrës (Kadri Cenolli- Arti Ushtarak në Lidhjen Shqiptare të themeluar në Prizren/Artikull ).

Ndërsa menjëherë pas mbrojtjes së trojeve shqiptare si detyrë në planet e Lidhjes hynte çlirimi i tokave të pushtuara më parë, siç janë tokat e shpopulluara dhe pushtuara të Kosovës veriore e verilindore nga principata serbe dhe atyre të pushtuara nga Mali i Zi. Secila grupforcë (korpus) do mbronte e kundërsulmonte në drejtimin e caktuar në një front të gjerë prej 100 e më shumë kilometrash. Poashtu sipas planeve të Lidhjes u planifikua një mbrojtje në një front të përgjithshëm rreth 500-600 km të gjatë, vijë fronti e cila nuk kishte gjasë të mbulohej me forca në tërë gjatësinë e saj, për shkak të terrenit malor të ashpër e shumë të thyer, por natyrisht nuk ekzistonte as frika dhe mundësia e sulmit të armikut në një vijë të tillë.

Në këto plane strategjike të Lidhjes natyrisht shqyrtohej edhe vendosja e trupave në terren dhe në rajonet e duhura e sa më afër sektorëve të mbrojtjes. Rajonet e përqëndrimit të forcave kryesore shtriheshin në një brez kufitar të thellë që fillonte rreth 20 km pas vijës kufitare dhe nuk kalonte më thell se 50 km. Rajonet e grumbullimit të korpuseve veriore ishin: Prizreni, Peja, Gjakova, Prishtina, Mitrovica, Tregu i Ri dhe Shkodra, ndërsa në Jug ishin Janina, Preveza, Arta etj. Sipas planit strategjik të lidhjes organizimi dhe veprimet e shpejta të mbrojtjes me forca të mjaftueshme realizoheshin në një afat kohor të shkurtër prej 1-4 ditë.

Në aspektin e kundërmësymjeve të forcave të Lidhjes, ajo në fund të vitit 1880, parashikoi çlirimin e viseve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi para vitit 1878, duke specifikuar në programin politik e strategjik se nëse Serbia nuk do ti lëshonte trojet e pushtuara prej saj, atëherë ndaj saj do ndërmerreshin ekspedita ushtarake deri në çlirimin dhe zbrazjen e atyre viseve. Në të njëjtën mënyrë do të veprohej edhe ndaj Malit të Zi (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria) .

Për tu arritur një gjë e tillë Qeveria e përkohshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit hartoi një plan strategjik në bazë të të cilit për tu realizuar kundërmësymja për çlirimin e tërë viseve veriore dhe verilindore (këto të fundit ishin ende nën administratën turke) të Shqipërisë duheshin krijuar dy grupforca të mëdha me nga 40’000 ushtarë dhe një rezervë prej 20’000 vetash. Ky operacion i madh do fillonte me veprimin e dy grupforcave, njëra e përbërë prej 12’000 vullnetarësh që do marshonte në drejtimin Fushë Kosovë-Shkup-Manastir dhe tjetra njësi operacionale në drejtimin Dibër-Ohër-Manastir, gjë që do të shthurte administratën turke nga këto pjesë e sidomos nga Shkupi ku do fitohej përparsi se do mbyllej mundësia e një ekspedite turke të befasishme(pasi portat për hyrje në Kosovë konsiderohen Shkupi dhe Presheva) dhe njëkohësisht do krijohej

mundësia për përballimin e ekspeditave turke në Shkup apo përgatitja e mbrojtjes në grykë të Kaçanikut (pa harruar të sigurohet lugina e Preshevës pasi shumëherë ekspeditat ndëshkimore turke janë ndarë në dy pjesë duke qarë drejt Rrafshit të Kosovës përmes këtyre dy drejtimeve).

 Në anën tjetër forcat vullnetare të Kosovës në bashkëveprim me popullsinë e Tregut të Ri dhe Shkodrës do mësynin në drejtimin Shkodër-Podgoricë për të çliruar Ulqinin dhe Podgoricën nga pushtimi Malazez. Këto plane kundërmësymse që Lidhja i hartoi me një kujdes dhe seriozitet të veçantë nuk u realizuan për shkak të ngjarjeve të mëvonshme. Pengesë kryesore ishte sundimi osman edhe pse në pjesën më të madhe të vendit ishte i paralizuar përshkak të strukturave paralele dhe fenomenit të mbylljes së forcave turke nëpër kazemrma që ruheshin nga luftëtarë të Lidhjes. Po ashtu një ndër shkaqet janë edhe forcat reaksionare, shabllonet organizativo ushtarake feudale që në momente të caktuara me dredhi çorientuan dhe penguan forcat e Lidhjes për organizimin e mbrojtjes ndaj forcave osmane (Prill 1881).

• Problemi i Logjistikës

Në kuadrin e logjistikës, problemi kryesor u bë furnizimi dhe pajisja me armatim dhe municione i formacioneve ushtarake. Lidhja kërkoi të siguronte shumë armë të reja këmbsorie.Vetëm kontigjenti i parë i pushkëve i kërkuar për nevojat e mbrojtjes së sektoreve në Vilajetin e Janinë ishte 20’000 deri 30’000 copë. Po kështu edhe nga pjesët e tjera të vendit u kërkua numër i madh i pushkëve. Për plotësimin e nevojave të mbrojtjes së vendit Lidhja parashikoi edhe rrëmbimin me forcë të armëve nga depot shtetrore dhe ushtarake osmane. Ndër masat e para për sigurimin e armëve që bëri Lidhja ishte ndalimi i qarkullimit të armëve nga administrate shtetrore turke si brenda ashtu edhe nxjerrja e tyre jashtë Shqipërisë. Modelet e armëve që përdori Lidhja janë pushkë të punuara në vend me gurë stralli, por edhe armë moderne që iu morën armikut ose u blenë si Peabody Matini-Henry, Snider, Enfield etj. Lidhja si bazë furnizimi me armë konsideronte edhe qendrat tradicionale Shqiptare të prodhimit të armëve. Të njohura për prodhimin e armëve ishin Shkodra, Prizreni,Tetova, Gjakova, Peja, Dibra, Mati, Lezha, Tirana, Elbasani, Vlora, Delvina, Janina, Preveza, Gjirokastra etj ( G. Ushtria). Furnizimi me ushqim dhe veshmbathje kryesisht u mbështet në burimet e vendit dhe mundësit vetjake të luftëtarëve. Nuk duhet harruar të ceket se gjatë kohës sa veproi Lidhja Shqiptare e Prizrenit populli në përgjithsi nuk i paguante taksat e papërballueshme administrates turke (e cila ishte pasivizuar dhe izoluar gjatë viteve 1878-1881) dhe të korrat ishin të bollshme madje thuhet se duhej ndërtuar hambarë të rinjë kudo nëpër vendet fushore në Shqipëri (Kjo ndodhë vetëm në vitin 1878 sepse në vitin 1879 plas një zi urie në gjithë Shqipërinë). Por ishin edhe udhëheqësit e Lidhjes ata qe kontribuan shumë për anën ekonomike, për shkak se ata shkrinë tërë pasuritë e tyre për mirëqenien e Lidhjes.

• Drejtimi Strategjik Kritik

Lufta mbrojtëse e Lidhjes, më e organizuar dhe më e rreptë u zhvillua kundër mësymjeve të ushtrive malazeze. Veprimet luftarake të Forcave të Lidhjes karakterizoheshin me vendosmëri të pashoq dhe moral të lartë të luftëtarëve të saj.

Lufta për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë zgjati nga tetori 1879-janar 1880, dhe është një ndër betejat më të organizuara nga Lidhja e Prizrenit. Përplasjet e para ndodhën në fillim të tetorit. E tërë historia e tensionit dhe betejave që u zhvilluan në Plavë dhe Guci, filloi me rastin kur Princi i ri Knjaz Nikolla vendosi ti zbatonte përfitimet që i jepte Konferenca e Berlinit.

Në fillim të tetorit të vitit 1879, forcat ushtarake malazeze kryen një mori provokimesh dhe sulmesh gjatë vijes kufitare duke vrarë disa fshatarë dhe duke ua grabitur bagëtitë.

Pas këtyre ngjarjeve, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes dhe Shtabi Ushtarak me në krye Ali Pashë Gucinë, të krijuara nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, morën vendim për shpalljen e gjendjes së luftës në Plavë e Guci. Të gjithë burrat e aftë për armë të Plavës e Gucisë u shpallën luftëtarë në gatishmëri, siç rregullohej me Kanunin e Lidhjes. Por ata nuk ishin të vetëm, pas disa ditësh u nisën për në Guci 2000 gjakovarë të armatosur, dhe sipas vendimeve që u morrën në Gjakovë, me fillimin e luftës edhe dy mijë vullnetarë të tjerë do niseshin nga Gjakova për në skenën e luftës. Ndërkohë rrethet fqinje, qëndronin në gatishmëri për të nisur trupa ushtarake të organizuara në njësi vullnetarësh drejt Plavës dhe Gucisë.

Ndërsa zhvillohej lojë e madhe diplomatike, vazhdonte presioni i madhë i Cetinës për ta zbatuar vendimin e fuqive të mëdha, më 14 tetor 1879, Safet Pasha e njoftoi ambasadorin austro-hungarez në Stamboll, Ziçi, se malazezët me përgatitjet e ethshme ushtarake që po bënin përball Gucisë dhe me provokimet që po kryenin me bandat e tyre të armatosura (të cilët kalonin kufirin, vrisnin njerëz, grabisnin bagëti, plaçkisnin fshatra), po e acaronin aq tepër gjendjen, sa që Porta e Lartë nuk ishte më në gjendje ti përmbante shqiptarët (Kristo Frashëri-Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fq. 205). Ndërkohë duke e parë gjendjen e acaruar dhe gatishmërinë e vendosmërinë e shqiptarëve, shumë herë, disa prej Fuqive të Mëdha i propozuan Malit të Zi kompensim të territorit, përderisa princi i ri këtë gjë e kundërshtonte kategorikisht, madje edhe kalonte në ofensivë duke bërë presion tek Fuqitë e Mëdha dhe Porta e Lartë për dorëzimin sa më të shpejt të Plavës dhe Gucisë malazezëve, e këto të fundit duke e parë situatën dhe tensionimin e shqiptarëve e dinin se nuk kishte mundësi që Plava dhe Gucia të dorëzoheshin në mënyrë paqësore. Mali i Zi, këmbëngulte në përdorimin e dhunës, dhe kjo vendosmëri i egërsoi tej mase shqiptarët, madje nga tensionet e krijuara në kufi, në Shkodër u përhapën lajme sikur malazezët kishin kaluar vijën kufitare dhe kishin pushtuar Gucinë. Si pasojë Shkodranët që fillimisht e besuan lajmin, u ngritën në këmbë dhe kërkuan të shkonin në front për ti zbuar forcat malazeze. Kaq tepër u shqetësua knjaz Nikolla nga ky rast saqë, kërkoi nga konsulli britanik Grin, të ndërhynte për të qetsuar shkodranët, duke ia përcjell atyre mesazhin e knjaz Nikollës që Cetina nuk mendonte të sulmonte Gucinë, kështu që konsulli t’u kërkonte shqiptarëve që të mos i sulmonin forcat malazeze (K. Frashëri-Po aty, fq. 207).

Knjaz Nikolla nuk duronte dot, dhe etja e tij për të pushtuar Plavën dhe Gucinë dërgoi ushtritë malazeze deri në zhvillimin e operacioneve luftarake për të matur pulsin e Shqiptarëve. Më 31 tetor 1879 forcat malazeze duke e parë veten në pozicione më të favorshme se të Ali Pashë Gucisë, vendosën të kryejn një inkursion ushtarak kundër vijës mbrojtëse të shqiptarëve që ishte organizuar përball fshatit Pepaj (Pepiç).Ky inkursion pati përgjigjen e menjëhershme të forcave shqiptare, dhe doli se pozicionet e Ali Pashë Gucisë nuk kishin qenë aq të “jofavorshme” sa u dukej malazezëve. Të nesërmen më 1 nëntor forcat malazeze sërish përsëritën inkursionin e tyre afër fshatit Arzhanicë, duke vrarë rreth 30 fshatarë dhe duke djegur disa shtëpi, mirëpo pas ca orësh u dëbuan nga forcat e Lidhjes, përderisa për këtë ngjarje foli edhe shtypi evropian, duke i fryrë gjërat. Cetina e tronditur u detyrua ti ndërpriste operacionet e saj ushtarake në kufi me Shqipërinë. Në atë kohë Lidhja Shqiptare ishte forcuar jashtëzakonisht, duke e bërë jofunksionale adminstratën turke, dhe duke vepruar si një organizim shtetëror që kishte edhe organet e drejtsisë dhe administratën, të ndërtuara në bazë të Talimatit apo si mund ta quajm Kanuni i Lidhjes. Këtë forcim na e dëshmon edhe letra e veçantë e Ymer Prizrenit kur njoftonte valiun e Kosovës se Lidhja Shqiptare kishte konfiskuar armët që gjendeshin në depot e garnizoneve qeveritare të Shkupit, Prishtinës dhe Mitrovicës, duke përfshirë dhe armët e rënda ( topa dhe mitroloza). Ai njoftonte se mytesarifi i Shkupit që kishte tentuar ta pengojë këtë veprim u dëbua nga qyteti. Si duket Lidhja kishte shtrirë pushtetin e saj gjithandej dhe kishte krijuar kushtet për ti përballuar dhe përgjigjur një sulmi ushtarak në shkallë të gjerë nga ana e Malit të Zi.

Më 27 nëntor 1879 i gjithë shtabi i malazez u vendos në Andrejevicë, 10 kilometra në veriperëndim të Plavës. Shtabi Shqiptarë selinë e vet e vendosi 5 kilometra larg kufirit, dhe përbëhej nga Ali Pashë Gucia(kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Çel Shabani, Kurt Asllani nga Nokshiqi, Riza Kryeziu dhe Bajram Curri nga Gjakova, Mic Sokoli nga Bujani, Filip Çeka e Isuf Sokoli nga Shkodra, dhe prijës të tjerë të malsisë.

Sipas dëshmive dhe konstatimeve të nxjerra përball Plavës e Gucisë ishin rreshtuar 12 batalione malazeze, që kishin në përbërje rreth 6 mijë luftëtarë. Ndërsa në sektorin Shqiptarë ishin vendosur 4’800 luftëtarë, prej të cilve 1’500 vendas, dhe 2 mijë luftëtarë nga Gjakova, 1’000 vullnetarë Pejanë dhe 300 luftëtar nga trevat e Shkodrës duke përfshir edhe 50 vullnetar nga qyteti.

 Forcat malazeze në fillim të dhjetorit ishin rreshtuar gjatë vijës kufitare , në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, ndërsa forcat shqiptare përball në fshatrat  Martinaj, Kolenivicë, Plavë e Nokshiq, dhe këto dy ushtri i ndante lumi Lim i cili kishte vetëm një urë druri. Nuk duhet lënë pa përmendur se atë vit dimri ka qenë ndër më të ftohtit dhe niveli i Limit ka qenë i rritur. Tensionet ishin tepër të rënda dhe Knjaz Nikolla ushtarëve të tij dhe opinionit botëror u deklaronte se Shqiptarëve do i jepnin një “mësim shembullor”.

Këto tensione shpërthyen më 4 dhjetor 1879 kur Teodor Milani lëshoi pozicionet në Pepaj dhe u hodh në sulm me dy batalione në drejtim të Nokshiqit, duke i kapur në befasi 500 shqiptarët që mbronin kufirin, të cilët u detyruan të tërhiqeshin. Me këtë rast forcat malazeze marshuan në drejtim të Plavës. Por njëkohësisht, me të dëgjuar krismat, forcat vullnetare të Plavës dhe Rugovës me rreth 1000 luftëtarë me në krye Jakup Ferrin e Çel Shabanin u nisën me shpejtësi drejt veriut në ndihmë të luftëtarëve nokshiqas. Nën udhëheqjen e kapedanëve Kurt Asllani dhe Nure Kurti këto forca synonin të kapnin Velikën për tu marrë krahët forcave malazeze, të cilët vazhdonin depërtimin drejt Plavës pa e kuptuar se po rrethoheshin. Mirëpo këto veprime u vërjetën nga vojvoda Mark Milani i cili vëzhgonte nga Arazhnica rrjedhën e përparimit të forcave të udhëhequra nga vëllau i tij, e me këtë rast u sul në sulm me 4 batalione për të shmangur rrethimin e forcave që depërtonin drejt Plavës. Forcat e tij ju drejtuan me shpejtësi Nokshiqit pasi që kaluan lumin Lim, veprim që i siguronte shpinën forcave të Theodor Milanit. Me marrjen e Nokshiqit, plavianët rugovasit dhe nokshiqasit u kthyen për ta shpëtuar atë duke mos e ditur se është marrë nga Mark Milani. Si pasojë ata vrapuan të shkujdesur tatëpjetës së malit të Velikës duke u ndodhur të zbuluar dhe nën zjarrin armik, ku pati shumë humbje nga ana e Shqiptarëve. Pasi ndodhi kjo gjë sipas dëshmive ( i referohem prof. Kristo Frashërit i cili citon kujtimet e Ymer Shabës-pjesmarrës në luftë) shqiptarët e egërsuar në kulm u turrën me tërbim kundër forcave malazeze që gjendeshin në luginën e Nokshiqit.

Burimet malazeze dëshmojn se, “në një truall të ngarkuar me borë të madhe dhe me ngricë të egër, shqiptarët dhe malazezët u përleshën egërsisht me njëri tjetrin”. Kjo ishte përleshje e e rreptë, ku lufohej trup më trup. Përderisa zhvilloheshin këto luftime të përgjakshme kishin filluar lëvizjen forcat e tjera shqiptare që ndodheshin në Guci, të cilat të ndara në dy kolona vrapuan të kapin lumin Lim dhe urën e vetme ekzistuese duke u bërë kurth vdekjeprurëse me rastin e tërheqjes së forcave të Mark Milanit. Shefi i shtabit ushtarak Bozho Petroviq Njegoshi, teksa ndiqte me dylbi veprimet luftarake në fushëbetej nga kodrat e Andrejevicës, nisi menjëher në ndihmë të Mark Milanit dy batalione pasi situata i dha të kuptonte se forcat e Mark Milanit gjendeshin para asgjësimit të plotë. Sektori i Nokshiqit, vlonte nga lufta e 4’000 malazezëve përball 2 mijë shqiptarëve. Beteja u stërndez pasi erdhën përforcimet e dy palëve ndërluftuse, Lugina e Nokshiqit u kthye në një arenë ku luftëtarët përlesheshin aq egërsisht, sa të dy palët hodhën plotësisht hutat duke i nxjerrur jataganët si kaherë. Pas disa orë luftimesh Mark Milani arriti ta qajë rrethimin por kur forcat e tij arritën tek ura e Limit ranë në pritën e shqiptarëve, të cilët bënë kërdi mbi armiqtë gjersa malazezët u detyruan të kalonin lumin me not ku edhe shumë u morrën nga rrjedha e tij dhe u mbytën me dhjetra sosh. Për këtë ngjarje dëshmon edhe konsulli anglez Kirbi Grin ( Kirby Green) kur i raportonte Marquis of Salisburyt dhe shprehej me këto fjalë: “..dy batalione malazeze kanë kaluar lumin Lim dhe kanë pushtuar fshatin Novshiq, banorët e Plavës dhe të fshatit Përnjavor , të ndihmuar nga vullnetarët e anës së Prizrenit , arritën në mëngjes të enjten, më 4, dhe u vendosën në mes të lumit dhe të malazezëve, dhe u kacafytën gjoks për gjoks. Pasojat dhe rezultatet e saj janë masakrimi i plotë i forcave malazeze. Niveli i rritur i lumit Lim i pengoi dy palët që të ikin” dhe më tej po në të njëjtin ekstrakt shtonte “..malazezët duke i besuar fuqisë së qeverisë turke për ta mbrojtur konfliktin, i lejuan vetes që të befasohen dhe përjetuan humbje të rëndë” ( Public Record Office, London, F. O. 195 / 1236; The British Museum, London, Accounts and Papers (43). 1880. LXXXII. 82.389).

Dëshmi tjetër për këtë betej na vie nga kujtimet e pjesmarrësit të saj Ymer Shaba i cili tregon, “Shumë malazez i gjetëm të vrarë atë ditë, porse edhe mbi ne ishte bërë kërdia. Jakup Ferrin e gjetëm të vrarë, me hundë dhe buzë të prerë. Mbasi arritëm ne u ndez luftë e madhe. Ne luftuam më shumë me jataganë dhe me shula pushkësh, sepse u rrasëm fyt më fyt me malazezët”  ( Kristo Frashëri e citon dëshmitarin në veprën e tij).

Sa i përket numrit të të vrarve ka shumë kontradita, malazezët falsifikojn shifrat duke thënë se janë vrarë e plagosur 1 mijë shqiptarë dhe janë vrarë 85 malazez e janë plagosur 105, ndërsa sipas Beto Qoshjes që i dërgonte letër Halil Kërpallës 4 ditë pas betejës tregonte se shqiptarët sollën në Guci më tepër se 100 krena armiqsh me një flamur malazez, ndersa nga ana shqiptare pati pak humbje. Këtu nuk thuhet numri i humbjeve të shqiptarëve. Ka variante në raportet e konsujve të ndryshëm ku humbjet e malazezëve i ngrisin deri në 700 të vrarë.

Por në të vërtet mendohet se në këtë betej mbetën të vrarë mbi 300 malazez, ndersa shqiptarët patën 300 të vrarë e të plagosur, edhe sot e kësaj dite nuk dihet numri i shqiptarëve të vrarë. Në anën tjetër gazeta Ruse “San-Pjeterburshke vjedemosti” më 14 dhjetor 1879, boton lajmin e shpallur në gazetën, “Deutsche Zeitung”, më 9 dhjetor, se “janë bërë luftimet midis shiqiptarëve dhe malazezëve në Velikë, në lumin Lim; kështu më 2 dhjetor, u sulmuan pozitat e malazezëve nga shqiptarët dhe ushtarët malazez u detyruan të tërhiqen pas disa orë luftimesh. Më 4 dhjetor u erdhën në ndihmë malazezëve 3 batalione nën komandën e Mark Milanit qëu zbrapën nga shqiptarët. Lufta vazhdoi deri më 6 dhjetor; humbjet e malazezëve në të vrarë e të plagosur nuk janë më shumë se 300 njerëz; humbjet shqiptare janë gati po në këtë numër.  Në qytetet e Plavës dhe Gucisë po arrin pa ndërprerje forca të reja të armatosura shqiptare”…( San-Pjeterburshke vjedemosti, Nr. 331, 2 (14) dhjetor 1879).

 Kjo betej ishte një humbje e madhe për malazezët, dhe një fitore e madhe për shqiptarët edhe pse me dhimbje si shkak i humbjeve të konsiderushme.

Por si duket Mali i Zi nuk i kishte pëmbyllur përpjekjet për pushtimin e Plavës dhe Gucisë, por do të vazhdonte deri në humbjen e vetë të plotë në këtë sektor. Shqiptarët po përgatisin “mësimin shembullor” për Knjaz Nikollën.

 ….

Featuring Recent Posts Wordpress Widget development by YD