Në shenjë të triumfit të tyre

Kim MEHMETI

Gjithnjë e më pavullnetshëm e hapi postën elektronike. Jo vetëm pse shtohet numri i atyre që më shkruajnë, jo pse nuk jam mësuar t’i përballë kritikat dhe ofendimet e atyre që nuk pajtohen me qëndrimet e mia publike, por shkaku se të gjitha shkresat, si ato që lëvdojnë, po ashtu edhe ato që shajnë, kanë diçka të përbashkët, përcjellin një porosi të pashkruar, por që lexohet lehtë: ndjenjën se balta e pashpresës është bë ngulfatëse, se janë thënë të gjitha që duhet thënë, se të gjithëve sa jemi dhe me atë që bëjmë, si e arrirë më e dukshme na përshkruhet dështimin. Pastaj, aty ka letra të gjata, jetërrëfime rinore nga më të ndryshmet, nga ato që tregojnë për idealet e varrosura, deri te ato që gjurmojnë fajtorin dhe mbase me të drejt, të gjithëve na bëjnë bashkëfajtorë për situatën në të cilën ndodhen shqiptarët e Maqedonisë. E të gjitha ato shkresa së bashku, të çojnë të besosh se sot është fatkeqësi e madhe të jesh i ri, se sot nuk është për ta lakmuar atë që jeton stinën më të bukur të jetës. Me çka edhe fillon t’ia pranosh vetes se shoqëri më të dështuara janë ato ku të moshuarit nuk ua kanë zili të rinjve, ku paraardhësit ua kanë harxhuar ardhmërinë pasardhësve të vet, ku prindërit ua kanë mbyllur fëmijëve të tyre të gjitha shtigjet që çojnë drejtë një të ardhme më të mirë. Pra, fillon t’ia pranosh vetes se të gjithë ne të sotmit, politikanë apo shkrues, një ditë mbase do kemi turp të tregojmë se kemi qenë ata që jemi sot, se do vijë dita kur do e kuptojmë se ne ndoshta pa hile e kemi dashur popullin, por kemi dashur të flasim vetëm ne dhe atij kurrë nuk i kemi besuar. Me çka do u ngjamë politikanëve dhe shkruesve të ardhur nga e djeshmja, e të cilët sot e fshehin se janë marrë me politikë apo nuk duan t’ua përmendësh gazetat ku kanë shkruar.

Kohëve të fundit, gjithnjë e më pavullnetshëm më dilet rrugëve të Shkupit. Sepse aty gjithnjë e më qartë shihet numrit i pakësuar i të rinjve shqiptarë dhe gjithnjë e më të dukshëm janë autobusët që të rinjtë e këtushëm i çojnë drejtë ëndrrës së vet diku nëpër metropolet e Evropës. Pastaj, edhe kur shkon te miqtë apo të të afërmit, aty dëgjon emrat e atyre që mungojnë, të atyre që kanë braktisur vendlindjen. Dëgjon rrëfime si e kanë kaluar kufirin ata që kanë shkuar t’i bëjnë jetë ëndrrat që kanë ëndërruar këtu, për ata që u janë bashkangjitur familjarëve të tyre apo që me padurim presin të takohen me fatin e vet më të mirë. Rrëfimeve për ata që kanë shkuar, u bashkëngjiten ato për të rinjtë që me padurimin presin të marrin pasaportën biometrike, edhe atë me procedurë të përshpejtuar, pra duke paguar trefish më shtrenjtë se pasaportën që mund ta kërkosh sot e ta marrësh në vitin 2011. Dhe kur dëgjon rrëfimin për të rinjtë që marrin para borxh për të nxjerr pasaportën e ngutjes së tyre, s’ke si mos mendosh se pse këta abdallët tanë në pushtet nuk e pyesin Gruevskin si është e mundur ky shtet të ketë para për kisha e përmendore, e të mos ketë për pasaporta edhe në gjuhën shqipe, si nuk u kujtohet të bëjnë një kontroll e të shohin pse përnjëherë u plotësuan të gjitha afatet për marrjen e pasaportave deri në vitin e ardhshëm, të shohin mos vallë dikush ua paguan shqiptarëve edhe taksën e braktisjes së vendlindjes, mos vallë pasaportat dygjuhësorë u zhdukën vetëm që Maqedonia të rinjtë shqiptarë t’i përcjellë në gjuhën maqedonase. Dhe çka nuk të shkon ndërmend kur sheh lotët e nënave që lagin shtigjet e një shpërnguljeje të madhe, e cila nga pak ta rikujton atë të viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, kur me qindra mijë shqiptarë u nisën rrugës drejtë Turqisë, nga nuk u kthyen kurrë më. Mbase kjo mund të jetë edhe ndjenjë e gabuar, por shkurajua e tanishme e të rinjve shqiptarë në shtetet perëndimore, ka shijen e një shpërnguljeje masive, ka shijen e humbjes së madhe të asaj më të vlefshmen që ka ky popull.

Muajve të fundit më shkaktojnë trishtim të çuditshëm lajmet televizive. Mbase andaj i jam kthyer radios. E kam më lehtë kur nuk i shoh fytyrat e buzëqeshura të politikanëve të këtushëm që shesin optimizëm e ndërkaq tan kohën mbjellin vetëm premtime të kota dhe papërgjegjësi. Sa herë që i dëgjojë të flasin për rezultatet e arritura, nuk mundem të mos e pyes veten se vallë është e mundur ata të kenë shtegtuar aq larg këtij realiteti në të cilin jeton populli, është e mundur të mos shohin atë që shihet më qartë se kryqi mbi malin Vodno nga ana jugore e Shkupit, se vallë ata nuk shohin murin prej betoni që ndërton Gruevski nga bregu verior i Vardarit, me çka i ndan ata që duhet të mbeten këtu nga ata që bëhen gati të shkojnë, se është e mundur këta “dudukët” tanë në pushtet të mos e shohin se ky shtet dy dekada me radhë i ngjanë një salle për pritje, sallë ku shqiptarët presin dikush t’ua tregojë rrugën që i shpie drejtë të ardhmes më të mirë, e Gruevski pretë të përfundojë hapja e tunelit që Maqedoninë do e çojë drejtë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Pra, sa herë që i shoh ato fytyra të buzëqeshura që përhapin optimizëm për ardhmërinë e Maqedonisë në BE e NATO, nuk mund të mos e pyes veten se vallë këta përfaqësuesit tanë politik mund të jenë aq kokëtulë sa mos e kuptojnë sa shtrenjtë e paguajnë shqiptarët këtë pritje. Aq më shumë, mos shohin sa shtrenjtë e kushton të riun shqiptarë edhe ikja nga shtet, duke qenë i detyruar të paguajë pasaportën e marrë me procedurë të përshpejtuar.

Kohëve të fundit kamë ndjenjën se shoqëria e shqiptarëve të këtushëm është ndarë në dy botë që nuk komunikojnë mes veti: në botën e mirë ku jetojnë elitat politike dhe të gjithë të pëlqyerit dhe të dëgjueshmit e krerëve partiak, dhe në botën mjerane në të cilën banon populli. Këto dy botë të ndara, e që takohen mes veti vetëm gjatë fushatave parazgjedhore, janë brigjet e humnerës së pafundmë që i gëlltit gjeneratat e reja, brigjet e humnerë së thellë aq kilometrat sa ka mes vendlindjes dhe kryeqendrave evropiane ku shpërngulen të rinjtë e këtyre trojeve.

Ka kohë që më ikin fjalët kur vjen dita të shkruaj kolumnën javore për “Kohën Ditore”. Mbase shkaku se më ngulfat ndjenja se edhe shkrimet a mia e sforcojnë demokracinë shqiptare, demokraci e cila lindi dy lloje parazitësh që freskohen nga i njëjti burim – nga fatkeqësia kolektive e popullit: politikanët që angazhohen për të “mirën” e popullit dhe kastën e kritikuesve të politikanëve të papërgjegjshëm. Dhe mbase nga ky angazhim “patriotik” i partiakëve për të mirën e popullit dhe nga kjo zhurmë e vlerësuesve “objektiv” shqiptarë të situatës politike në Maqedoni, Gruevski e ushqen besimin e vet se s’ka çka e pengon në realizimin e projektit “Shkupi 2014″. Pra, të gjithë sa jemi dhe mënyra se si veprojmë, Gruesvkit i jep të drejtë të ngre “Portën Triumfale” në qendër të Shkupit. Më në fund, pse Gruesvki të mos e shënojë me diçka triumfin njëzetvjeçarë të elitave politike maqedonase mbi ato shqiptare, triumfin e një politike që ia doli dy dekada me radhë ta mbajë në pritje dhe të mposhtur një popull që përbën 30 për qindëshin e banorëve të Maqedonisë.

Shpërndaje artikullin:
  • Print
  • Facebook
  • Google Bookmarks
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Add to favorites
  • PDF
  • Twitter

KOMENTO ARTIKULLIN




Modifikimet e Fundit

Dëshmitë e spiunëve, loja e agjenturave me Shqipërinë komuniste.

Albert Kotini | 19/05/2010 | Dossier | 12

Nga Kim Filbi te Fulvio Martino. Loja e dyfishtë e Filbit që shpëtoi jetën e Enver Hoxhës dhe krenaria pse evitoi gjakderdhjen me dekonspirimin e aksioneve të deversantëve.

Rrëfimi i ishdrejtorit të SISM-it Italian për shqetësimet mbi bazën e nëndetëseve në Pashaliman dhe zgjidhja e krizës së familjes Popa që kishte hyrë në ambasadën italiane në Tiranë

Në vendet ballkanike të pushtuara, agjenturat ishin ndarë gjatë Luftës II Botërore për vende që konsideroheshin, si aleatët e gjermanëve dhe vende që ishin armiq të saj. Gjermanët e konsideronin, Shqipërinë dhe Kosovën, si aleate të saj dhe këtë vlerësojnë edhe mjaft zbulimet e vendeve kundërshtare.

Sandor Rado, hungarez, gjatë Luftës II botërore, ka qenë përgjegjësi i një rrjeti spiunazhi “orkestra e kuqe”, që ka vepruar në Zvicër në favor të Bashkimit Sovjetik. Mbas Luftës II Botërore, ka shkruar librin “Emri i luftimit -Dora”. Esenca e këtij libri për Shqipërinë, flet në lidhje me aktivitetin e tij në qytetin e Vlorës.

Mario del Pero, në librin e tij “CIA – historia e shërbimeve sekrete amerikane”, lidhur me operacionet klandestine në Shqipëri, i vënë në zbatim menjëherë, pas Luftës II Botërore, u quajt operacioni “Valuable”, i planifikuar në fund të vitit 1948 dhe i vënë në zbatim midis viteve 1949-1951, përbënte një operacion klandestin të llojit paraushtarak. Parashikoheshin infiltrime të grupeve të vogla të armatosura në territorin shqiptar.

Të koordinuara dhe drejtuara nga jashtë vendit, ato duhet të kryenin aksione ushtarake për të destabilizuar vendin dhe të përmbysnin liderin komunist Enver Hoxha Drejtori I i OPC (Office of Policy Coordination), Frank Ëisner, e quajti një “eksperiment klinik” (clinical experiment), me të cilin mund të verifikonte kapacitetin e perëndimorëve për të reduktuar zonën e influencës së BRSS.

Zgjedhja e Shqipërisë, si teatri i këtij eksperimenti u diktua kryesisht nga arsyeja gjeografike: Britania e Madhe dispononte bazat e saj në detin Mesdhe, dhe Shqipëria territorialisht nuk ishte ngjitur me pjesën tjetër të bllokut komunist duke u kufizuar vetëm me dy shtete kundërshtare të Moskës (Greqinë dhe Jugosllavinë).

Operacioni “Valuable” u zgjidh me një disfatë të zhurmshme nga shumë drejtime, ku u dyshua se brenda shërbimeve sekrete perëndimore ishte një informator i sovjetikëve. Ky spiun ishte Kim Filbi, para pak kohësh i emëruar, oficer ndërlidhës midis MI 6 dhe CIA-s në Uashington dhe një nga dy anëtarët britanikë të komisionit SHBA-Britani e Madhe, përgjegjës për operacionin klandestin në Shqipëri.

Në fund operacioni shqiptar u anullua.. Kim Filbi, nga ai pozicion i dha Moskës informacione të rendësishme operacionet klandestine, në veçanti, për operacionin “Valuable”në Shqipëri.

Kim Filbi

Në librin e tij “Lufta ime e fshehtë” Kim Filbi, ndër të tjera shkruan: “Shumë shpejt, pas mbërritjes time në Uashington, qeveritë amerikane dhe angleze sanksionuan në parim kryerjen e operacioneve të fshehta që kishin për qëllim të shkëpusnin një nga vendet e Europës Lindore nga blloku socialist. Sipas arsyes, radha ra mbi Shqipërinë. Kjo ishte më e vogla dhe më e dobëta nga shtetet socialiste.

Në Jug, ajo kufizohet me Greqinë, më të cilën, Anglia dhe SHBA, mbanin marrëdhënie aleate dhe që formalisht ende ndodhej në gjendje lufte me Shqipërinë. Shqipëria, dukej e izoluar në interesat tona, dhe përveç kësaj, atje mund të hyej lehtë nga Malta nëpëmjet ajrit dhe detit.

Duke llogaritur mundësinë e ndërlikimeve të shumta me karakter politik, lidhur me këtë projekt, departamenti i shtetit dhe ministria e Punëve të Jashtme, ngulnin këmbë në kontrollin e rreptë të këtij operacioni nga ana e tyre. Zbatimi i planit, iu ngarkua SIS-it dhe drejtorisë së koordinimit politik.

Si amerikanët, ashtu edhe anglezët, mbanin lidhje me grupet dhe emigrantët shqiptarë, prandaj të dy palët filluan të mobilizojnë njerëzit e tyre, për zbatimimin e përmbysjes kundërrevolucionare. Anglezët, dhanë Maltën, si bazë të përparuar për operacionet, si dhe anijet e vogla, të domosdoshme për zbarkimin e agjentëve.

Amerikanët e siguruan operacionin më tepër me të holla e materiale, si dhe caktuan aerodromin e Uilus-fild në Libi, me cilësinë e bazës së prapavijës dhe pikës së furnizimit., Mbretit Ideriz nuk ia treguan të fshehtën, dhe në këtë kohë ai ishte vetëm emir. Me diskutime të pafundme anglo-amerikane të mëvonshme, Malta, ishte streha e jonë kryesore.

“Ne duhet të mendojmë diku ndonjë operacion subversiv, -më tha njëherë mua Ëisner, -kur këtu zbulojmë, se anglezët, kanë pranë një ishull”. Diskutimet i përkisnin çështjes për udhëheqjen politike kundërrevolucionare.

Në këtë kohë, epoka e Dallesit, ende nuk kishte filluar dhe SHBA trembeshin të vepronin hapur në përkrahjen e regjimeve shumë reaksionare., Prandaj, departamenti i shtetit synonte ta rrethonte kundërevolucionin me atributet “demokratike”.

Për këtë qëllim, departamenti i shtetit, duke na paraprirë neve detyroi një grusht të arratisurish shqiptarë në Neë Jork, që të krijonin të ashtuquajturin Komitet Kombëtar, e në krye të tij të zgjidhinin një farë Hasan Dosti.

Dosti ishte jurist i ri, i cili sipas drejtorisë së koordinimit politik, kishte reputacion pa njollë të demokratit, megjithëse, unë nuk munda të gjej ndonjë provë të drejtësisë së kësaj pikëpamjeje. Megjithë, kërkesat e mia të përsëritura, unë nuk munda ta arrija të takohesha me Dostin. Drejtoria e Koordinimit Politik, siç më thanë mua, duhet të sillej me të me shumë delikatesë, sepse, ai ishte shumë frikacak. Kandidat i mirë për rolin e udhëheqësit!

Në qoftë, se Komiteti Kombëtar në Neë York, ngjallte dyshime, atëherë kandidati anglez për udhëheqës, me të vërtetë, mua më bregoste. Ky ishte prijësi i një klani të vogël me emrin Abaz Kupi, mik i vjetër i Xhulian Emerit. Duke gjykuar nga fotografia, ky njeri mbante mustaqe dhe ishte i armatosur deri në dhëmbë, ishte produkt tipik i kujdestarisë britanike.

Unë, nuk dyshoja se ai ishte i aftë, njësoj si stërgjyshërit e tij të kryente sulme mbi karvanet e paarmatosura, ose të qëllonte tinëz ushtarin turk të çmendur nga vapa, të lodhur e që fliste përçart në ndonjë Qafë Mali, por, unë asnjëherë nuk ndaj entusiazmin e xhentelmenit britanik, me pamjen e përfaqësuesit të fisit të egër.

Meqë ra fjala, në qoftë, se Dosti ishte një njeri i dobët, ateherë, Abaz Kupi, ishte kopuk i vjetër. Diskutime pa fund të anglezëve me amerikanët për meritat e të dy rivalëve, në qoftë, se lihen jashtë anët e tjera të çështjes, e ta shikosh vetëm si garë, problemi ishte, se kush duhej të zgjidhej, (?)- anglezët apo amerikanët, sepse do të përcaktonin politikën e qeverisë (në Shqipëri), në rast, se ajo do të formohej.

Kur më në fund, si njëra palë, ashtu dhe tjetra, u lodhën nga diskutimet dhe filluan të kërkojnë zgjidhje kompromisi, doli, se Dosti dhe Abaz Kupi, nën ndikimin e përkrahësve të tyre, zinin pozicione aq të ashpëra, sa asnjërit prej tyre, nuk do t’i mbushej mendja, që të shërbente nën udhëheqjen e tjetrit. Kontrolli i përditshëm për operacionin ishte në duart e komitetit të politikës speciale, i cili mblidhej në Uashington.

Ai përbëhej nga 4 anëtarë, të cilët përfaqësonin departamentin e shtetit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, drejtorinë e Koordinimit Politik dhe SIS-in.

Departamenti i shtetit caktoi në komitet Bob Xhojsi-n, djaloshin e shoqërueshëm, që kishte eksperiencë në problemet e Ballkanit, Erl Xheliko, nga ambasada angleze, gjithashtu, një djalosh simpatik, i cili përfaqësonte Ministrinë e Punëve të Jashtme; djaloshi i tretë ishte Frenk Lindsei, nga drejtoria e Koordinimit Politik dhe në fund anëtari i katërt i komitetit isha unë.

Nuk është e vështirë ta marrësh me mend, se në sajë të kësaj përbërjeje, takimet tona ishin shumë larg karakterit jo formal. Lindsei, jepte tonin duke deklaruar në takimin tonë të parë, se të vetmin shqiptar që ai kishte parë, qëndronte varur në paralele me kokën poshtë. (?)…

Bile në momentet më serioze, ne aglosaksonët, nuk harronim, se, agjentët tanë, vetëm para pak kohësh, binin nga pemët. Megjithëse unë thashë, se Komiteti i Politikës Speciale ushtroi kontroll mbi operacionin, ne asnjëherë nuk mundëm të vepronim si njerëz të lirë.

Shefat e mi në Londër, nuk më lejonin mua të harroja angazhimin e SIS-it, në lidhje me Abaz Kupin, ndërsa pas shpinës së shefave të mi, gjithmonë, dukej së largu formula e Bevinit: “Unë këtë nuk e duroj”, të cilën ai e përdorte kur donte të ndalonte diçka. Frenk Lindsei, gjithashtu, padyshim ishte i lidhur me kufizime të tilla.

Ndoshta e çuditshme, por megjithatë, operacioni filloi edhe në këto kushte. Më në fund SIS, arritit të zbarkojë një grup jo të madh agjentësh në bregun shqiptar me detyrë, që të depërtonte në thellësi të vendit, të grumbullonte të dhënat e duhura e duke lëvizur për në Jug, të dilte në Greqi. Anglezët, besonin se të dhënat e mbledhura rrugës nga agjentët, ndihmonin pastaj për të realizuar plane më të gjera.

Operacioni, kuptohet, ishte pa shpresë që në fillim. Agjentët e SIS-it, do mund të arrinin diçka vetëm duke depërtuar në qytete. Por qytetet ndodheshin nën kontrollin e fortë të autoriteteve shqiptare.

Prandaj, që të mbeteshin gjallë, agjentëve, ju duhej që të fshiheshin në male, ku ata mund të nxirrnin ndonjë përfitim në rast se vendi do të përfshihej nga kryengritja. Ndoshta në bazë të aventurës tonë, qëndronte pikërisht shpresa e pashprehur për kryengritje…

Si përfundim, megjithatë, disa agjentë mundën të kalonin në Greqi, ku ata me vështirësi shumë të madhe arrinin të shpëtonin nga putrat e shërbimit të sigurimit grek, i cili mund t’i pushkatonte si pa gjë të keq. Informacioni që ata sillnin pothuajse gjithmonë ishte negativ.

Të paktën ishte e qartë, se ata, në asnjë vend nuk i prisnin më krahëhapur. Me kalimin e kohës, pa bërë zhurmë operacioni u harrua, pa ndikuar dukshëm, zadopak në gjendjen e shqiptarisë.

Ndoshta doli për mirë për qeveritë angleze e amerikane, që përpjekja e tyre pësoi disfatë. Në rast të suksesit, ato do të kishin telashe të pafundme me njerëzit e rinj që mbronin, pa folur më për vështirësitë serioze me Greqinë e Jugosllavinë, e ndoshta edhe me Italinë. ..”.

Në intervistën që i ka dhënë gazetarit Filip Naitli, në janar të vitit 1988, lexojmë: “Naitli – dhe Ju, nuk ndjeni asnjë vrarje të ndërgjegjes për vdekjen e njerëzve, të cilët ju i ndihmuat? P.Sh. operacioni shqiptar? (filmi koordinoi operacionet e përbashkëta të CIA-s dhe SIS-it për futjen në fund të viteve ’40 dhe në fillim të viteve ’50 të agjentëve në Shqipëri, me qëllim, për nxitjen atje të një kryengritjeje. Për këtë operacion, Filbi, njoftoi KGB-në dhe agjentët pasi zbrisnin në tokë, kapeshin e pushkatoheshin).

Filbi: – Keqardhje nuk duhet të lindte.

Po, unë luajta rol vendimtar në prishjen e planit të përpunuar nga Perëndimi për kasaphanë të përgjakshme në Ballkan. Por, ata kush mendoi dhe planifikoi këtë operacion, si edhe unë, lejuan mundësinë e gjakderdhjes për qëllime politike. Agjentët që ata dërguan në Shqipëri ishin të armatosur dhe plot vendosmëri, që të kryenin akte sabotimi dhe vrasjeje. Prandaj, unë nuk ndjej keqardhje që ndihmova zhdukjen e tyre, ata nuk e dinin se ku shkonin.

Mos harroni, se më parë unë, gjithashtu isha përzier në likuidimin e një numri të rëndësishëm hitlerianësh, duke dhënë në këtë mënyrë kontributin tim modest në fitoren mbi fashizmin”. (to risky…!).

Librin “Spiunët e Kuq”, autori Italian Fabio Giovannini, në kapitullin për zbuluesin rus Kim Filbi, midis të tjerave shkruan: “…sigurisht pati një rol vendimtar në eliminimin e disa guerilierëve antikomunistë shqiptarë.

Në fakt, në fund të viteve ’40, Filbi, i ofron një ndihmë të papritur Enver Hoxhës, shef i partisë komuniste. Shërbimet sekrete angloamerikane kishin vendosur që të tentonin një aksion force për të përmbysur regjimin e Tiranës, dhe kishin organizuar një patrullë të armatosur të disidentëve të mërguar.

Në Uashington, Filbi, është komandant, pikërisht i komitetit anglo-amerikan për të koordinuar përmbysjen e qeverisë shqiptare, por i jep autoriteteve të Tiranës, të gjitha të dhënat për tentativën e grushtit të shtetit. Informatatat e Filbit, i lejojnë Hoxhës, që të shpartallojë komplotin: “13 të akuzuar, dënohen me vdekje pas një procesi të përshpejtuar në kinema “17 nëntori” në Tiranë, “me njerëz, të cilët, të grumbulluar përpara “gjykatës” dhe në sheshe, ndiqnin procesin gjyqësor nga altoparlantet”.

Filbi, megjithatë, nuk do të deklarohet kurrë i penduar për këto pasoja të veprimeve të tij. Do të mbetet i bindur, se e “ka evituar një derdhje gjaku deri në gjunjë në Ballkan….”. Kështu që, duke gjykuar nga natyra e operacionit, ajo që të bën përshtypje është bërja publike e tij nga vetë Filbi dhe organizata adresuese.

Rendësia, përcaktohet pikërisht, në këtë mënyrë, ku duket, se ngjarjet marrin vlerë logjistike, më shumë se operacionale me analizimin në detaje të një veprimtarie, të “mbrojtur” politikisht, e cila, po të lexohej në kohët e sotme, do të formulonte, padyshim, një “Top Sekret” të organizuar, ose një “danger area”, sikurse, ato mbi çështjet e ushtrimit të ndikimit terrorist, apo torturave profesionale për këtë qëllim.

Kjo, pasi për një çështje të tillë, kasaphane, me kopukë e dallkaukë, e me motive të paqendrueshme, deri më sot, nuk ka mbajtur askush përgjegjësi. Sepse, dihet, që çdo ngjarje në kohë lufte dhe paqe, e shoqëruar me viktima, autorizohet dhe përmendet, si e justifikuar në model. (Clinical experiment…?!).

Në librin “Historia sekrete e KGB-së”, botuar në vitin 1995, dhe ribotuar në vitin 2001, në Itali, autorët C. Andrejev, dhe Oleg Gordievskij, shkruajnë: “Suksesi i parë i madh i MGB-së (ministria e Sigurimit të Shtetit) në luftën sekrete me UDB-në jugosllave ishte përgatija e një grushti kundër Titos në Shqipëri. Deri në momenin e prishjes me Titon, Stalini, ishte dakord që Shqipëria të mbetej një satelit jugosllav.

Në Luftën II Botërore “këshilltarët” jugosllavë, kishin riorganizuar partinë Komuniste shqiptare nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, sekretar i përgjithshëm dhe të Koçi Xoxes, i cili u bë ministër i Brendshëm në qeverinë e kontrolluar nga komunistët. “Pa betejën e popujve të Jugosllavisë, -pohoi Hoxha, pas konfliktit, rezistenca e popullit të vogël shqiptar do të ishte e pamundur”.

Nën presionin e OZNA-s partia shqiptare u spastrua nga “disidentët” dhe nga “trockistët”: ndër këta ishin Anastas Lulo, shef i organizatës së rinisë komuniste, i pushkatuar për “devijacionizëm nga e djathta”; Llazar Fundo, një nga themeluesit e partisë, që u kthye i zhgënjyer nga mërgimi sovjetik më 1944 dhe u vra përpara misionit ushtarak britanik të tmerruar; dhe Mustafa Gjinishi, anëtar i byrosë politike i ekzekutuar, se kishte krijuar një front të bashkuar antifashist me grupet “borgjeze”. PKSH-ja që doli nga lufta praktikisht, ishte një filiale e partisë jugosllave.

Shërbimi i sigurimit shqiptar, “sigurimi”, kontrollohej nga OZNA me të njëjtën rreptësi me të cilën pjesa më e madhe e shërbimeve të sigurimit të Europës Lindore kontrollohej nga NKGB (komisariati i popullit për sigurimin e shtetit).

Hoxha, u bë gjithnjë e më i acaruar, kur pa pozitën e tij të kërcënuar nga rivali i tij Xoxe, i cili, si ministër i Brendshëm, ishte shef i sigurimit, dhe gëzonte simpatinë e Titos. Në maj të vitit 1947, organizoi një proces fars, kundër 9 anëtarëve antijugosllavë, të kongresit të populit; të gjithë të dënuar me burgime të renda për “veprimtari subversive”.

Në gusht të vitit 1947, në asamblenë për krijimin e byrosë informative, shqiptarët u përfaqësuan nga partia jugosllave. Katër muaj më vonë, Stalini i tha Gjillasit: “Duhet ta gëlltisni Shqipërinë, sa më shpejt aq më mirë”.

Konflikti ruso-jugosllav i 1948, i ofroi Hoxhës mundësinë të mundte Xoxen në luftë për pushtet, ndërsa këshilltarët sovjetikë tërhiqeshin nga Beogradi, Tirana, u pushtua nga njerëzit e MGB-së.

Pas prishjes së Titos me Moskën, Hoxha urdhëroi dëbimin e menjëhershëm të të gjithë personelit jugosllav, dhe sulmoi rivalin. Më kot, Xoxe u përpoq të shpëtonte duke deklaruar besnikërinë e tij ndaj Bashkimit Sovjetik.

U arrestua bashkë me idhtarët e tij dhe u zëvendësua në Ministrinë e Brendshme nga filo sovjetiku Mehmet Shehu, i cili futi në dikaster shumë konsulentë të M.G.B-së, për të spastruar dhe riorganizuar sigurimin.

Pas 5 muajsh hetimi e tortura nga ana e sigurimit, nën kontrollin e MGB-së, Xoxe dhe miqtë e tij, dhanë rrëfime të hollësishme. Në mars të vitit 1949, Hoxha, shkoi në Moskë për të diskutuar për përgatitjet për proçesin publik të “Koçi Xoxes dhe bandës së tij”, që filloi 2 muaj më vonë.

Xoxe, tregoi se ishte rekrutuar gjatë luftës nga shërbimi sekret britanik, ashtu dhe nga ai amerikan. Tregoi, se në vitin 1943, shefi i misionit ushtarak anglez, e kishte informuar, se Tito, ishte një agjent britanik. Pranoi, se kishte marrë pjesë në një komplot të organizuar bashkërisht nga Tito, dhe nga SIS (shërbimi sekret britanik), për t’i aneksuar Shqipërinë, Jugosllavisë. U pushkatua në korrik të vitit 1949, për këto krime të pakryera.

Procesi, dhe dënimi i Koçi Xoxes ishte preludi i një sërë proçesesh farse për bashkëpunëtorë të Titos, të vërtetë, ose më shpesh, imagjinarë, të inskenuar nga M.G.B praktikisht në të gjithë Europën Lindore. Deri në vdekjen e Stalinit, Tito, morri me vehte njollën e heretikut të madh, që kishte qenë e Trockit. Por, në ndryshim nga Trocki, Tito doli i pacënuar dhe fitimtar për 5 vjet, në një luftë kundër M.K.B-së-

Në librin e tij “Jeta ime në CIA”, Ulliam Colby, ish drejtor i CIA-s, ndër të tjera, shkruan edhe për Shqipërinë: “Gjithmonë kam pyetur veten, nëse “stay-behind nets”, të krijuara prej nesh do të funksiononin nën dominim sovjetik. Mësuam, se tratativat e kryera në momentin e fundit për të organizuar rrjete të tilla kishin dështuar në Kinë në 1950, dhe në Vietnamin e Veriut më 1954.

Mësuam, se tentativat për t’i organizuar nga jashtë u zbuluan dhe u ndëshkuan nga policia sekrete në Poloni dhe në Shqipëri në vitet ’50…”; “ishte në zbatim, një përpjekje e madhe për të shkëputur Shqipërinë nga perdja e hekurt, duke nxitur një revoltë kundër regjimit komunist…”; “revolucioni hungarez, pati për CIA edhe një kuptim tjetër.

Pas krijimit të OPC-së, të drejtuar nga Frank Ëisner, CIA, kishte patur, ose të paktën kishte besuar se kishte detyrën, për të ndihmuar ushtarakisht, sipas traditës së O.S.S-së, grupet e rezistencës, grupet e luftëtarëve për liri, në rastin e Hungarisë, që kërkonin të përmbysnin regjimet totalitare komuniste. Pa dyshim, kishte kërkuar ta bënte në Shqipëri në Kore dhe në Kinë”.

“Edhe publiciteti i dhënë rasteve, të disfatave të CIA-s, nuk ndryshonte në thelb kuadrin e përgjithshëm. Akuzat në lidhje me operacionet e spiunazhit dhe të sabotimit kundër Kinës, Shqipërisë dhe Europës lindore, interpretoheshin si retorikë e paevitueshme e “luftës së ftohtë”.

Admirali italian Fulvio Martino, drejtor i shërbimit sekret, të zbulimit italian (S.I.S.M.I), ka qenë për shumë vjet në këtë detyrë, dhe në librin e tij “Nome in codice: Ulisse” emri i koduar: Uliksi, i botuar në vitin 1999, midis të tjerave, ai përmend edhe Shqipërinë dhe disa detyra që kanë kryer ndaj vendit tonë.

Konkretisht në faqen 33 të librit origjinal, Martino shkruan: “Bëra shërbim, (punova) pranë shërbimit informativ të marinës, deri në vitin 1962. Ndërkohë, isha graduar kapiten korvete.

Në S.I.O.S (shërbimi informativ i marinës) bëja pjesë në njën grup, që merrej me marinën sovjetike, të vendosur në Detin e Zi e në Mesdhe dhe mbaja nën kontroll marinën shqiptare, atë jugosllave, dhe disa marina arabe”.

Në faqen 34, thuhet: “Në vitin 1958, ishim në mes të luftë së ftohtë. Italia, me zgjedhjen e saj të lirë, ishte futur në aleancën atlantike dhe bënte pjesë nën reshtimin perëndimor. Ekspansionizmi sovjetik, po fillonte të ishte konkret dhe i dukshëm në Azi e në Afrikë.

Ne kishim edhe problemin e Shqipërisë, sepse ai vend, atëherë komunist ortodoks, mbante një bazë detare sovjetike, e cila, duke u ndodhur përtej Kanalit të Otrantos, ishte një kërcënimn për lundrimin, si në Adriatik, ashtu dhe në Mesdheun lindor”.

Në faqen 35, shkruan: “Sovjetikët, kishin filluar të pajisnin me komar (mushkonja në rusisht) (motosiluruese), disa marina arabe. Edhe jugosllavët e shqiptarët ishin të interesuar për armatimin e ri dhe i’a kishin kërkuar Moskës…”.

Në faqen 144, admirali, shkruan: “Një tjetër rast i vogël, por i çuditshëm “paradiplomatik”, u zgjidh prej nesh në Shqipëri.

Në 12 dhjetor të vitit 1985, vëllezërit Popa (4 gra dhe 2 burra), bijë të një borgjezi të njohur të konsideruar kolaboracionist i italianëve arritën, duke i shpëtuar kordonit të sigurimit, e të futeshin në ambasadën italiane në Tiranë, ku kërkuan strehim politik. Për 18 vjet, vëllezërit Popa ishin mbyllur në një komunë bujqësore.

Midis, Italisë dhe Shqipërisë shpërtheu, një grindje diplomatike që zgjati deri më 16 maj 1990, ku vëllezërit Popa më në fund u autorizuan të largoheshin nga atdheu dhe të shkonin në Kanada, ku kishin të afërmit.

Sigurimi i njohur famëzi tentoi 2 herë që të vriste Popat, duke helmuar ushqimet e destinuara për ta. Nga sigurimi u vunë në zbatim edhe operacione të tjera, si përpjekja për të futur mikrofona, duke i vendosur në brendësi të bishtit të fshesës.

Pasi shteruan tentativat diplomatike, problemi na u kalua ne. Duke përfituar, edhe nga shembja e murit të Berlinit, vendosëm me sigurimin një kontakt në Zvicër. Zbuluam, se parku i tyre automobilistik ishte një sektor shumë i dobët. Me disa vetura e disa pjesë këmbimi çështja Popa u zgjidh…”.

“Shekulli”

Featuring Recent Posts Wordpress Widget development by YD