Ku shkuan 500 milion euro për rajonet e krizës
Modifikimi i fundit në Saturday, 27 February 2010 03:47 Publikuar nga admin Saturday, 27 February 2010 03:47
Vërshimi masiv i banorëve të komunës së Likovës dhe Kumanovës drejt vendeve të BE-së nxori në sipërfaqe gjendjen e rëndë dhe mosrevitalizimin e këtyre rajoneve, nëntë vite pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001. Mungesa e investimeve, mospërkrahja dhe zhvillimi ekonomiko-social, revitalizimi i improvizuar dhe papunësia e skajshme kërkojnë shpjegime dhe revizion se ku shkuan fondet e BE-së, SHBA-ve dhe vendeve tjera nga Konferenca Donatore e marsit të vitit 2002, për rajonet e krizës që dolën nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni
Më 12 mars të vitit 2002 në Konferencën Ndërkombëtare Donatore në Bruksel, Maqedonia përfitoi mbi 500 milion euro për përmirësimin e gjendjes pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Nga këto fonde të përfituara, 307 milion euro ishin mjete financiare që menjëherë shkuan në llogarinë e shtetit, prej të cilave 185 milion ishin paraparë për mbështetjen e bilancit pagesor në buxhet, që do të thotë para për rroga, pagesa dhe mbulim të zbrastirave të buxhetit, 85 milion euro për rikonstruimin e objekteve të rrënuara nga lufta dhe 49 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Qeveria e Maqedonisë atëherë në kërkesën e saj kishte kërkuar vetëm 50 milion euro për revitalizim dhe rindërtim, ndërsa 24,5 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo BE dhe SHBA-të dyfishuan buxhetin për këto dy çështje. Përveç kësaj, në Konferencën Donatore mbi 271 milion euro u siguruan për mbështetjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, të komunave, kryesisht të dëmtuara nga konflikti.
Pas kalimit të tetë viteve nga kjo konferencë, Qeveritë dhe institucionet në Maqedoni, por edhe zyrat e evroperëndimore nuk kërkuan asnjëherë llogari apo revizion të plotë lidhur me harxhimin e këtyre fondeve, sidomos 85 milion euro për revitalizimin dhe rindërtimin e zonave, 49 milion eurot për Marrëveshjen e Ohrit si dhe 271 milion euro për zhvillimin dhe revitalizimin ekonomik rajonal në Maqedoni, por që ishin paraparë me theks të veçantë zonat e goditura, ndër të cilat komuna e Likovës, e rrënuar në përmasa të mëdha, Haraçina, dhe vendbanime të rajonit të Pollogut që u përfshin drejtpërdrejt në konfliktin e vitit 2001.
Pas nëntë viteve të përfundimit të luftës, eksodi shqetësues masiv i shqiptarëve të rajonit të Karadakut, kryesisht nga komunat e Likovës dhe Kumanovës pasqyruan realitetin dhe varfërinë e skajshme që kanë përjetuar kjo zonë, kryesisht pjesët e vendbanimeve të banuara nga shqiptarët. Nëntë vite nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001, kjo zonë një nga më të goditurat nga kjo luftë vazhdimisht konsiderohej si një destinacion i “zi” nga institucionet vendore, ndërkombëtarët dhe organizatat e ndryshme.
Si delegacioni i Shkupit kërkoi më pak para
Në Konferencën donatore të 11 dhe 12 marsit të vitit 2002 ishin pjesëmarrës ish-kryeministri Lubço Georgievski, ministri i Financave, Nikolla Gruevski, kryeministër aktual i involvuar drejtpërdrejt në këto zhvillime si dhe ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Bedredin Ibrahimi.
Në kalkulimet dhe raportin e Qeverisë së Maqedoni në Bruksel, kërkoheshin 256 milion dollarë, prej të cilave 185 milion për mbulimin e defiçitit në bilansin pagesor dhe buxhet, 45 milion për revitalizim dhe rindërtim të dëmeve si dhe 25 milion dollarë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Këtij delegacioni, i`u premtua se një pjesë e vendeve të huaja, përveç donacioneve do të ofrojnë edhe ndihmë në formë të huadhënies dhe kredive tejet të volitshme. Delegacioni i Maqedonisë premtoi në Bruksel se do të realizojë në mënyrë transparente të gjitha mjetet e donacioneve.
Mirëpo, qeverisja e re e vitit 2002 vendosi zëvendëskryeministren Radmilla Sheqerinska për koordinatore të komitetit për ndihmat ndërkombëtare dhe mjetet nga konferenca donatore, në të cilin organ bënin pjesë edhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, Agjencia Evropiane për Rikonstruim. Në zyrat e vendeve evroperëndimore, kryesisht të BE-së nuk është dhënë ndonjë hollësi rreth kësaj çështje që sipas tyre, është përfunduar dhe janë shpalosur raportet e gjithë palëve të involvuara.
Ish-koordinatori i Bankës Botërore në Evropën Juglindore dhe përgjegjës për Maqedoninë pas konfliktit kishte kërkuar që vendet donatore të sigurojnë mekanizmat e tyre kontrolluese për të ndjekur harxhimin e parave.
Duraku: Do të kërkojë revizion nga Qeveria dhe ndërkombëtarët
Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku ka theksuar se lidhur me këtë problematikë për harxhimin e parave nga Konferenca Donatore Ndërkombëtare do të kërkojë revizion të patjetërsueshëm. “Unë kam filluar të zhvillojë takime me palë të caktuara zyrtare dhe do të kërkojë një revizion të tillë, se sa kanë qenë mjetet e dedikuara nga fondet e Konferencës Donatore për sanimin e gjendjes së pasluftës së vitit 2001 edhe në rajonin e komunës së Likovës dhe ku kanë shkuar dhe për çfarë kanë qenë të dedikuara”, ka theksuar Duraku. Sipas tij, vazhdimisht në komunën e Likovës pas konfliktit ka pasur proces rindërtimi të shtëpive, shtyllave elektrike dhe ka pasur vizita të shumë ambasadorëve, mirëpo në aspektin e zhvillimit ekonomiko-social nuk ka pasur ndonjë lëvizje konkrete, edhe kemi njohuri se janë premtuar sipas tij, mjete të posaçme.
Ish-deputeti i PPD-së, Ismet Ramadani vlerëson se në dy raste ka kërkuar që Qeveria të publikojë raportin se ku janë shpërndarë mjetet e Konferencës Donatore, mirëpo sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur përgjigje.
“Në kohën kur unë kam shtruar pyetjen në lidhje me realizimin e mjeteve të Konferenës Donatore të vitit 2001, duheshe pra të realizohen 500 milion euro, mirëpo ato mjete diku rreth 300 milion në atë kohë kishin ardhur në Maqedoni dhe shpërndarja e tyre kryesisht ka shkuar për të rregulluar bilancet financiare buxhetore, diçka mjete për Marrëveshjen e Ohrit, për rindërtimin e zonave të dëmtuara. Megjithatë unë mendoj se do të ishte mirë që Qeveria të jap një pasqyrë se si janë realizuar, sa nga ato mjete kanë ardhur sidomos nëpër rajonet e krizës, ku nga ajo do të konstatohet se a janë përdorur në vend të caktuar dhe vende të duhura ato mjete, dhe se a ekziston mundësia të keqpërdoren ato”, ka theksuar ish-deputeti Ramadani për agjencinë e lajmeve INA.
Për çka u parapanë 49 milion euro për Marrëveshjen e Ohrit
Nga Konferenca Donatore vendet dhuruese u njoftuan dhe miratuan aneksin që 49 milion eurot për Marrëveshjen e Ohrit të harxhohen për decentralizimin, përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, përdorimin e gjuhëve, ndërtimin e mirëbesimit, stacionet policore në zonat e prekura nga konflikti. Por në këtë aspekt ishte lënë e hapur mundësia që donatorët të intervenojnë me mjete shtesë rreth çështjeve ku nevojitet përkrahja e realizimit të plotë të kësaj marrëveshje. (INA)








