Eureka! U gjet fajtori i shpërnguljeve
Modifikimi i fundit në Monday, 1 March 2010 05:53 Publikuar nga admin Monday, 1 March 2010 05:53
Anila LIMANI
Duke u gjetur para presionit të mediave rreth eksodit që kaploi Maqedoninë e sidomos rajonin e Kumanovës dhe Likovës javëve të fundit, politikanët të cilët gjatë gjithë kohës merreshin “me punë të mëdha” nuk gjetën një minutë kohë për t’i pyetur votuesit e tyre, se ku shkoni. Pas alarmit të cilin “Lajm” e dha javë më parë, iu kujtua edhe politikanëve që ta hapin gojën, por dihet kur e hapin gojën se çfarë thonë ata. Si mjeshtër të shfajësimit edhe kësaj radhe ata ia hodhën fajin agjencive turistike, madje edhe iu kërcënuan agjencive turistike me të cilat komunikoi “Lajm” ditë më parë, ndërsa pasagjerëve nuk kishin guxuar tu dalin përpara. Fajtorë qenkan agjencitë turistike.
Eureka! U gjet fajtori. Por ç’faj kanë agjencitë turistike, kur ata punojnë për të transportuar udhëtarë. Edhe aeroplanët kanë qenë të mbushur plot e përplot me udhëtarë. Pse nuk shkuan politikanët dhe t’i ndalonin avionët, t’i anulonin fluturimet?
Pse nuk e morën të paktën një herë guximin dhe t’i dilnin përpara turmës dhe t’i shpjegonin se cila është e vërteta rreth “Tokës së Premtuar”- Belgjikës dhe nëse atje ekziston rregullativë e nevojshme ligjore për rregullimin e azilit. Këtë politikanët e kanë për borxh moral, kombëtarë madje edhe ligjor, sidomos ata të rajonit të Kumanovës e Likovës, qytete këto të cilët më së shumti u prekën nga ky fenomen. Le të marrin shembull nga politikanët e rajonit, të cilët janë në krye në çdo problem. Ndërsa te ne ndodhi e kundërta, jo vetëm që nuk dolën, por u përpoqën që me mënyra të ndryshme fajin e tyre t’ia hedhin të tjerëve, në rastin konkret agjencive turistike.
Por pse nuk dolën politikanët para qytetarëve? Ata nuk kishin guxim të përballen me ata, sepse shkaktarë të gjendjes së tyre të vështirë ekonomike që i detyron të ikin janë vetë politika dhe politikanët. Rajoni i krizës ka mbet sërish rajon krizë, me një emër tjetër. Që nga viti 2001 aty nuk është investuar asnjë cent, nuk është ndërtuar asgjë, nuk është hap asnjë vend pune, nuk është punësuar asnjë i ri, nuk është lëvizur asnjë gur. dhe që nëntë vjet askush nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta përmirësuar këtë gjendje. Politikanët nuk u dolën përpara qytetarëve që largoheshin me familje pasi nuk kishin fytyrë që tu dalin njerëzve përpara. Çfarë tu thoshin, mos shkoni se atje nuk mund ti rregulloni dokumentet, e këtu ç’të bëjnë ata, pa punë, pa bukë, pa kushte minimale të jetesës. Ata nuk guxonin, pasi ndonjëri do t’ua plaste në fytyrë të gjitha. Do t’ua thoshte troç: Kolltukët tuaja dhe të njerëzve që keni grumbulluar rreth vetes janë të ngrohtë, ndërsa fëmijët e mi s’kanë ç’të hanë.
Në këtë rajon politikanët shkojnë vetëm gjatë fushatave elektorale ku u premtojnë diçka qytetarëve dhe nuk realizojnë asgjë, pastaj gjithçka merr fund. Asnjëra ngjyrë, as e kuqja dhe as bluja nuk kanë bërë asgjë për ta.
Ky rajon vazhdon të përballet me kushtet e vështira sociale-ekonomike, shkak ky që i detyroi ata njerëz të shesin edhe ato pak gjëra që kishin, madje edhe floririn e nuseve dhe të marrin rrugën e gjatë, për të gjetur “Tokën e premtuar”. Dhe, meqë në vend të “Tokës së pretuar” ata mbetën rrugëve të Brukselit, kush do të përgjigjet tani për mjerimin e dyfishte të tyre. Sigurisht askush, por me çfarë fytyre politikanët tanë do të shkojnë të kërkojnë sërish votën e tyre. Një fjalë e urtë popullore thotë se “politika ka 100 fytyra”, ndaj…
(marë nga gazeta Lajm)








