BDI e mban fjalën se jo mahi!

Në Emisionin “Rruga Drejtë “ të Alsat –M,  deklaruat se “Ja kemi dhanë fjalën Nikolla Gruevskit se nuk do t’i hapim këto çështje dhe ne nuk mund të bëhemi të pafytyrë me te”!

Po. Këtu e keni dëshmuar veten! Ju e mbani fjalën dhe nuk mund të jeni të pafytyrë karshi atij që shtyp shqiptarët!

Po me çfarë fytyre do të dilni të kërkoni edhe një herë mandatin e popullit?!!

 

Pas mandatit të parë qeveritar në koalicion LSDM, udhëheqësit e BDI-së deklaruan  se nuk i kishte realizuar asnjë nga premtimet e veta elektorale për shkak të gjoja “sugjerimeve të ndërkombëtarëve që të mos ia ulë rejtingun LSDM-së”.

Në këtë shkrim nuk do të analizoj implikimet e këtij arsyetimi sepse hapen hipoteza të shumta për motivet e krijimit të kësaj partie politike. Po kufizohem vetëm në disa fakte që patën implikime të drejtpërdrejta në jetën e popullit shqiptar në Maqedoni.

-          Në vend të respektimit të ligjit për amnisti, term që nuk është adekuat për luftëtarët e lirisë, burgosje masive të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;

-          Në vend të rregullimit të statusit të dëshmorëve të kombit dhe përkujdesjes  institucionale të familjarëve të dëshmorëve të tyre, privilegje të panumërta për “branitelët”;

-          Në vend të riparimit të dëmeve materiale të luftës, zhdukët gjurmët e 500 milion euro që Konferenca e Donatorëve në Bruksel i ndau Maqedonisë për zonat e dëmtuara nga lufta e vitit 2001;

-          Në vend të ndarjes proporcionale të buxhetit, asnjë investim në vendbanimet shqiptare;

-          Në vend të paqes dhe sigurisë, dhunë e paparë (mbi 500 shqiptarë u vranë dhe u plagosën në rrethana ende të pandriçuara gjatë mandatit tuaj katërvjeçar);

-          Në vend të lirisë së premtuar……Maqedonia u shndërrua në një burg të vërtetë kolektiv për shqiptarët.

Pas refuzimit që Nikola Gruevski ta merr në qeverisjen e tij të parë, BDI-ja  aktivizoi kartën nacionaliste dhe nga një parti qytetare u shndërruat në “parti radikale” për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

-          Premtuan për dy vite rresht se nëse edhe një herë merrni mandatin e popullit do të zyrtarizoni gjuhën shqipe; do të rregulloni statusin e dëshmorëve të kombit; do të përkujdeseni për gjendjen e mjerueshme të familjarëve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës;  do të abrogojë vendimin për ndalimin e përdorimit të lirë të flamurit kombëtarë; do të bashkoni Kërçovën me komunat rurale që ky qytet shqiptar të mbetet shqiptar; do të lironi të gjithë të pafajshmit nga burgjet maqedonase (madje spotin kryesor të fushatës elektorale e ndërtuat me pamjet tragjike të Masakrës së Brodecit); se do t’i jepni fund varfërisë së shqiptarëve në Maqedoni; se do të punësoni mbi 100.000 persona të papunë….

-          Ju premtuat se e mbani fjalën! Madje, kjo moto e përsëritur deri në bezdi, disa muaj më vonë u bë moto e fushatës elektorale për pushtet lokal!

Sapo u ulët  “në pushtetin e Gruevskit” harruat premtimet e dhëna!;

-          Ju shkatërruat Institutin për Trashëgimi Kulturore Shqiptare, si i vetmi institucion ku

     duhej  të përcaktohej mënyra e sistemimit të vlerave historike dhe kulturore, pa gjykuar

     për statusin politik të shqiptarëve, dhe krijuat  « Muzeun e Lirisë » !

    A ka tallje më të madhe se një populli të robëruar t’i servohet « Muzeu i Lirisë » ?!

-          Në vend të bashkimit të Komunës shqiptare të Kërçovës ju miratuat vendimin e vendosjes së 600 ushtarakëve maqedonas dhe familjeve të tyre në këtë qytet për të ndryshuar përqindjen e strukturës së popullsisë;   

-                    Në vend të lirimit nga burgu i shqiptarëve që padrejtësisht janë dënuar, montim i

                             procese të reja të gjyqësore dhe apel që ish ushtarët e ish UÇK-së, ata që kanë mbetur

të pa arrestuar deri tani, të mbledhin reliket e rezistencës dhe t’i

dorëzojnë në « Muzeun e Lirisë  » – Paradhomën e Burgut të Idrizovës!

BDI-ja është në pushtet ! BDI-ja ju garanton procese gjyqësore të drejta !

-          Rikthim i rasteve të ish ushtarëve të UÇK-së, që Gjykata e Hagës i hodhi si të pabaza;

-          Ekstradim i ish ushtarit të UÇK-së, Shkodran Idrizit nga Gjermania  në Shkup për t’u gjykuar;

-          Dënimi i civilëve të pafajshëm për Rastin e Brodecit me 190 vjet burg;

-          Dënimi me burg të përjetshëm të tre ushtarëve të ish UÇK-së, Ismail Etemin, Bashkim Bajramin dhe njërin nga udhëheqësit e luftës,z. Harun Aliun (Komandant Kushtrimin, nëse e keni harruar!);

BDI-ja është në pushtet ! BDI-ja ju garanton procese gjyqësore të drejta se jo mahi! BDI-ja e mban fjalën!

-          Në vend të zyrtarizmit të gjuhës shqipe ju caktuat prioritet programor në Kongresin e fundit dhe votuat vendimin që nxënësve shqiptar t’u imponohet mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë e arsimit fillor, si hap i parë drejtë maqedonizimit të arsimit shqip në Maqedoni.

Ju e mbani fjalën se jo mahi!

Tani deklaroni se “nuk jemi në komunizëm ku shteti ndërtonte fabrika dhe punësonte nga 15000 punëtorë. Tani jemi në treg të lirë dhe secili duhet të gjendet vet”!

Keni të drejtë. Nuk është kohë e komunizmit! Shpenzimet qindra milion euro për pyllëzimin e territoreve shqiptare me kisha ortodokse maqedonase në kohën kur varfëria e skajshme ka kapluar shumicën e popullit është në përputhje me kohën e mesjetës! Apo edhe më larg.  Me kohën e Faraonëve!

Ku mbetën premtimet elektorale për 100000 punësime të reja!  

Ju e mbani fjalën se jo mahi! Secili duhet të gjendet vet! Vizat u hoqën!Shqiptarët mund të shkojnë ku të duan!

Mund të vazhdoj pafund me ilustrimin e kuteve të dyfishta që përdorni kur jeni në opozitë dhe kur jeni argat të pushtetit antishqiptar në Shkup. Por, konkluzionin më të mirë dhe domethënien vërtetë të motos së fushatës elektorale “Ne e mbajmë fjalën!”e sqaruat vet.

Për herë të parë ishit të sinqertë para opinionit publik shqiptar kur si mysafir i  Emisionit “Rruga Drejtë “ të Alsat –M,  deklaruat se Nikola Gruevskit i keni premtuar se nuk do të hapni çështjen e zyrtarizmit të gjuhës shqipe, çështjen e përdorimit të flamurit kombëtare dhe asnjë çështje që kishit premtuar në fushatë elektoratit shqiptar. Dhe me arrogancë të paparë ju drejtuat gazetarëve. “Ja kemi dhanë fjalën Nikolla Gruevskit se nuk do t’i hapim këto çështje dhe ne nuk mund të bëhemi të pafytyrë me te”!

Po. Këtu e keni dëshmuar veten! Ju e mbani fjalën dhe nuk mund të jeni të pafytyrë karshi atij që shtyp shqiptarët!

Po me çfarë fytyre do të dilni të kërkoni edhe një herë mandatin e popullit?!!

Mbes me shpresë se shumë patriot dhe anëtarë të BDI-së, të cilëve u ka mbetur ndërgjegje kombëtare, do t’ju thonë një ditë: MJAFTË se e tepruat argatllëkun në këtë politikë zullumqare ndaj popullit shqiptar!  

Mjaftë se na lodhët me “Muzeun e Lirisë”!

Populli shqiptar ende mbetet i robëruar në Maqedoni dhe luftëtarëve të lirisë u është rezervuar burg i përjetshëm në këtë shtet ferr për shqiptarët.

Mos harroni fjalën e urtë popullore shqiptare: Çdo gjë këputet prej së holli! Vetëm zullumi prej së trashi!

Edhe këtij zullumi do t’i vij fundi siç do ti vij fundi edhe censurës që keni imponuar ndaj mendimit ndryshe !

Bashkimit Demokratik Shqiptar

Bardhyl Mahmuti

Kryetar

3 mars, 2010

Shpërndaje artikullin:
  • Print
  • Facebook
  • Google Bookmarks
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Add to favorites
  • PDF
  • Twitter

1 Koment

  1. Comments  Lirije   |  Saturday, 06 March 2010 at 13:07

    Bardhyli është i vetmi politikan shqiptar që guxon ta shpreh të vërtetën dhe ky shkrim shpresoj që i ka ngritur nga gjumi politikanët tonë dhe maqedonas dhe tani krejt evropa e kuptoj se ne shqiptarët të drejtat i kemi të shkruara në letër a realiteti ësht krejtsisht tjetër dhe kjo që ndodhë tani me shqiptarët që shkojn
    nëpër evropë dhe kërkojn azil ësht vetvrasje për maqedonët dhe maqedoninë dhe më skan si ta rejn botën dhe tju thujn se sa mire jetojn shqiptaret se krejt shtetet ku kan kerkuar shqiptaret azil do te vijn dhe do ta shohin se në perendim ma mire jetojn kafshet ne kopshtin zologjik se sa shqiptaret ne maqedoni dhe Bardhyli ishalla fiton dhe shume gjera kan me ndryshuar ne Maqedoni se me kta politikan te tanishem vetem ne humnere jemi duke shku, ata skan probleme,se e kan punsuar krejt familjen dhe nuk va nin per neve te shkretit qe kemi mbet rugve se neve na vizitojn vetem kur i duan votat dhe na knaqin me rena por tani u pa e verteta se populli me ken mire nuk e lishon vendin dhe te rije neper llogorat e evropes por syte u jan mbyllur dhe kur skan me e votuar BDI-n se kta vetem robri jan duke na sjelle dhe pasken luftu me na zhduk si popull dhe kta skan fjalor lene qe sdin shqip e aspak maqedonisht dhe cka presim ne nga ta, asgje, shkau i ren si te don se sdin te lexojn, krejt jan me 8 vjeqaren dhe i kan blejt diplomat ja ne bullgari ja ne shqiperi e mandej mbahen te menqur, jo more zotri te dashur, kot diploma kur mend ske a Bardhyli se ka blejt diplomen por e ka mare me dieni dhe din cka te shkruaje dhe din te sillet si njeri dhe cka ka then zotriu para 2 vjeteve krejt jan duke dal dhe ma zi ka me na mque, flm per shkrimin se na ke knaqur zotri Bardhyl Mahmuti,zoti të bekoft ty dhe familjen dhe ishalla shpejt zgjidhesh kryeminister i Mqadedonis dhe krejt kta politikana te tanishem i qojsh ne evrope te kerkojn azil dhe ta shohin se sa keq esht te rish ne llogor.

KOMENTO ARTIKULLIN




Modifikimet e Fundit

SI MË DIFERENCOI IDHULLI IM, AZEM SHKRELI

Shkruan: Çerkin Ismaili * Prishtinë, 21. 04. 2010-Fragment kujtimi

Në mbledhjen e 14 majit 1981, Azem Shkreli iu drejtua sekretarit të Komitetit Sava Komadinqiq: “Ju jeni fajtor shoku sekretar! Ju! Ju keni faj që e përkëdhelni këtë fundrinë nacionalizmi! Futeni atje ku e ka vendin dhe ai do këndoj e jo vetëm të bëjë autokritikë”.

Azem Shkreli rritej në mendjen time deri në natën e 14 Majit 1981, kur vdiq si njeri idhulli im, Azem Shkreli. Atë natë idhulli im Azem Shkreli ishte argat i Komitetit Krahinor në diferencimin tim ideopolitik. Sa do të doja që natën e 14 majit 1981 të mos e shihja e dëgjoja duke folur idhullin tim. Dy netë më parë më kishin marrë në UDB për organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratën e 3 prillit 1981 në Mitrovicë. Në mbledhje, pos faktorëve tjerë politik të qytetit, Nezir Prokshi, zëvendës sekretar i komitetit, i cili e nisi mbledhjen me një retorikë staliniste duke hedhur gurë mbi personalitetin tim vetëm për një argument: në dollapin tim të vitrinës së arsimtarëve, UDB’a kishte gjetur një numër të revistës “FJALA” me tregimin e Sabit Rystemit “Mysafirët e paftuar”.

Komitetliu i zi, argat i UDB’së bërtiste si bishë për “argumentin e fuqishëm” kundër meje. Të gjithë mysafirët ia mbajtën ison Nezirit. Madje ishin Rrystem Hasanaj, drejtori i shkollës, Mysherefe Zaifi Mustafa, Dragan Cvetkoviqi, si përfaqësues të Komitetit Krahinor ishin: Dr. Abedin Perroviqi dhe Azem Shkreli. Në mesin e kësaj bande mendoja, të paktën, idhulli im do të më përkrahi. Në shënjestrën e asaj bande atë natë ishin edhe prof. Skender Hamza, profesor kimie, dhe Mr Skender Tahiri, tash punëtor administrativ në Kuvendin e Kosovës. Po atë natë dëgjova nga sekretari i Komitetit të qytetit, Sava Komadinqiq, antishqiptarit të përbetuar të Mitrovicës, se isha bir ballisti.

Gjatë gjithë kohës idhulli im Azem Shkreli mbante kokën ulur. Mezi prisja ta marrë fjalën. Kur e mori fjalën u bë sikur nuk më njihte fare. Nuk m’u drejtua mua por Sava Komadinqiqit: “Ju jeni fajtor shoku sekretar! Ju! Ju keni faj që e përkëdhelni këtë fundrinë nacionalizmi! Futeni atje ku e ka vendin dhe ai do këndoj e jo vetëm të bëjë autokritikë”. Foli edhe shumë gjatë idhulli im Azem Shkreli. Kur mbaroi mbledhja, bëhet një pas mesnate. Ju afrova idhullit tim t’ia jepja dorën, por nuk ma morri. Në fund i thash: “Ngushllime Azem Shkreli, për shpirtin tënd që sot vdiq”. Të nesërmën më nxorën nga ora e fundit e mësimit dhe më dërguan atje ku i kishte porositur idhulli im Azem Shkreli, tashmë i urryer.

Pas kësaj nate ogurzezë vetëm edhe një herë, në vitin 1992, jam takuar me Azem Shkrelin, idhullin tim tani të urryer në një kafeteri në Mitrovicën e veriut jo fortë larg kafenesë: “Dolçe vita”, ku e kanë strofullën rojet e natës. Dëgjova se në atë kafiteri po promovohet një vëllim me poezi e një poeteshe të re. Më thanë se ishte i ftuar edhe Azem Shkreli dhe Ali Podrimja. Shkuam së bashku me mikun tim, poetin Jakup Ceraja.

Në fillim i kryqëzuam shikimet. Pastaj Azemi uli kokën dhe filloi të më shikoj nën vetulla. Asnjë fjalë nuk e folëm as unë as Azemi. Prisja që burrëria e malësorit rugovas të shkoj në vend. Por, ngeli. Azem Shkreli as pas 11 vjetësh nuk ishte penduar për fjalimin partiak të 14 majit 1981. Nuk i kërkoi falje viktimës së tij. Unë desha t’i kërkoj falje, por miku im, Jakup Ceraja, më tha: “Është ironike t’i kërkosh falje fajtorit”.

( * Autori është shkrimtarë. )

Kush është Çerkin Ismaili

Çerkin Ismaili u lind në vitin 1948 në fshatin Banjskë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e mbaroi në Smrekonicë, një fshat afër fshatit të tij të lindjes. Gjimnazin klasik e mbaroi në Vushtrri, kur edhe filloi të botojë në shtypin letrar të kohës krijimet e para letrare. Studimet në degën e albanologjisë i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Akoma si student filloi të punojë në gjimnazin e Vushtrrisë si profesor i gjuhës e letërsisë shqipe dhe gjuhës latine. Pas mbarimit të studimeve, një kohë, redaktoi gazetën “Trepça” në Mitrovicë, ndërsa pranvera e vitit 1981 e gjeti duke punuar në Shkollën e Mesme Ekonomike në Mitrovicë, kur për shkak të qëndrimit që e konsideron parimor, organizimit dhe pjesëmarrjes në demostratat e 3 prillit 1981, u diferencua politikisht, u largua nga puna, u dënua dhe u burgos. Për shkak të aktivitetit të mëtejmë ilegal dhe politik, ndonëse në vëzhgim të përhershëm, pas shpërn- darjes së trakteve politike në Mitrovicë dhe në minierën “Trepça” në vitin 1986, u detyrua që dy vjet të qëndrojë larg syve të pushtetit të kohës, në Dalmaci, ku punoi si punëtor krahu. Përndjekjet, arrestimet e shantazhet politike ndaj tij kurrë nuk kanë pushuar. U burgos përsëri në vitin 1992. Shërbimi sekret jugosllav në vitin 1999 e kishte klasifikuar në listën e intelektualëve të Mitrovicës, që i kishte paraparë t’i likuidonte. Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh si gjimnazist, kur edhe ka filluar t’i botojë shkrimet e para. Deri tash ka botuar: “Lindjet e shpërndara”, poezi,Prishtinë, 1993; “Tela të këputur,” poezi, Mitrovicë,1997; “Drama e qëndresës së Vocëve të Shalës së Bajgorës”, monografi, Prishtinë, 1998,“Shtrëngata”, roman,Prishtinë, 2006; “Ethe të trishta’, roman, Prishtinë, 2009. Përveç këtyre veprave, autori ka botuar edhe një mori recensionesh, vëzhgimesh letrare dhe esesh. Gjithashtu, për veprimtarinë e tij letrare janë shkruar një mori kritikash dhe studimesh letrare. Në dorëshkrim ka disa vepra letrare akoma të pabotuara. Disa herë ka marrë çmime letrare për poezi. Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Klubit Letrar “Lumi i bardhë” në Mitrovicë dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare “Fjalë e valë” që botohet në Mitrovicë. Është anëtar I Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë dhe kryesisht merret me krijimtari letrare.

Featuring Recent Posts Wordpress Widget development by YD