RISI E STRATEGJISË SË RE – VJETËRSIA E SAJ!

 

  (“Nuk ka asgjë më të lehtë se sa ta gënjesh atë i cili ka dëshirë të gënjehet”)

   Pasi që njeriu ta ketë lexuar strategjinë e re për veriun e Kosovës të përfaqësuesit ndërkombëtar të zyrës civile, z. Piter Feith, nuk mund të mos ndalet e të mendojë: a thua përfaqësuesit e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë të jenë kaq injorantë?! Apo mos ndoshta ata për vete janë të zgjuar dhe e dinë se çka janë duke kërkuar nga situata, por po na konsiderojnë ne injorantë!? Deri te këto përfundime të çon pashmangshmërisht analiza e zhvillimit të situatës së deritashme në veri të Kosovës dhe strategjia më e “re” për zgjidhjen e saj.

                      Në strategjinë e re për veriun nuk ka asgjë të re! Aty janë të përshkruar tezat e vjetruara e të përsëritura tash e dhjetë vjet! Tezat e vjetruara e të pasuksesshme! Qasje e njëjtë ndaj problemit! Dinamikë e njëjtë! Metoda të njëjta pune! Katër shtyllat në të cilat është bazuar strategjia e re janë konsumuar e stërvjetruar me kohë. 1) “Komunë e re e Mitrovicës veriore”, 2) “zgjedhje lokale në Leposaviq në bazë të kornizës ligjore të Kosovës”, 3) “strukturat paralele do të margjinalizohen dhe Zyra e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës do të mbyllet”, 4) “EULEX-i do ta forcojë praninë e vet në tërë pjesën veriore të Kosovës dhe do ta forcojë në mënyrë të dukshme sundimin e ligjit”, janë këto katër shtyllat e strategjisë së re të cilat ne i kemi dëgjuar mijëra herë, deri në monotoni! Këtu nuk ka asgjë të re!

                      Për më tepër, edhe strategjia e vjetër për veriun, e pasqyruar besnikërisht në të renë është e ndërtuar mbi tri premisa të gabuara, të cilat nuk të japin asnjë mundësi për sukses. Së pari, sipas strategjisë së re dhe të vjetër nuk paska çështje të pazgjidhur shqiptare, së dyti, me pavarësinë e Kosovës paska marrë fund çështja shqiptaro-serbe, pavarësisht Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e veriut të Kosovës, kurse Kosova mbetet tokë e askujt dhe, së treti, çështja e qytetit të Mitrovicës e fshatrave përreth paska mundësi të zgjidhet pa marrë parasysh faktin se nga ato troje janë shpërngulur dhjetëra mijëra shqiptarë dhe në pronat e tyre janë vendosur uzurpatorët serbë. Kështu nuk zgjidhet asgjë! Kështu vetëm sa komplikohet problemi e nxiten edhe më tepër ambiciet shoviniste serbe e njëherësh ruhen e forcohen edhe tensionet ndëretnike.

                      Mirëpo, kur faktorët ndërkombëtarë na e shesin një strategji të tillë si të re ata nuk janë fare injorantë dhe e dinë shumë mirë çka janë duke kërkuar nga situata në krejt Kosovën e sidomos në veri të saj. Ata nuk e konsiderojnë as popullin injorant. Por ata e kanë kuptuar shumë mirë se qeveria e dizajnuar nga vetë ata është e aftë që për shkak të privilegjeve që i gëzon nga pushteti të shtiret si injorante. Prandaj strategjia e vjetër shitet si strategji e re.

Avni KLINAKU

Kryetar i Lëvizjes për Bashkim

avniklinaku@levizjaperbashkim.com

 

 

Shpërndaje artikullin:
  • Print
  • Facebook
  • Google Bookmarks
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Add to favorites
  • PDF
  • Twitter

KOMENTO ARTIKULLIN




Modifikimet e Fundit

Komplotet dhe vrasjet që shkatërruan derën e bajraktarëve

Komplotet dhe vrasjet që shkatërruan derën e bajraktarëveGjomarkajt e Mirditës, dera princërore e historive të mëdha

Dera princërore e Gjomarkajve mbetet simbol i Mirditës vetëqeverisëse, ata i dhanë zë asaj ashtu sikundër ajo u dha atyre si prijës. Sipas studiuesve të hershëm, Gjomarkajt janë degë e familjes së famshme princërore mesjetare të Dukagjinëve.

Në librin e tij “Antologji historike”, autori Gjet Ndoj i referohet një dëshmie që përcjell M.Marleku, ku thuhet se “për të shpëtue prej furisë së turqve, Mark Kola i Pal Dukagjinit,u largua prej vendit të të parëve,që mund të ketë qenë Hasi (Pashtriku), ose Fandi, treva të sundimit të Dukagjinëve dhe vajti e u fut në Gryke të Oroshit. Prej këndej, Oroshi, u bë vendbanimi i derës së Gjomarkut dhe kryeqendra historike e Mirditës dhe e zonave përreth saj…”

I biri i Markut e pati emrin Gjon, e prej këtej familja në fjalë pagëzohet me emrin “dera e Gjomarkajve”. I biri i Gjon Markut është Marka Gjoni i I, i cili në rivalitet me Begollajt e Pejës fiton të drejtën e sundimit, e vetme në zonën katolike të Veriut, kryesisht në Mirditë.

Më pas Gjon Marku II, fitoj simpatinë e portës së Lartë, pasi në luftën austro-turke të v.1737, pas Gjonit, paria i bie në dorë Llesh Gjonit e më vonë pas vrasjes së tij në Peqin, Prengë Lleshit, Lleshit të Zi dhe Dodë Lleshit.

Prenga u lidh me Ali Pashën, pasi ishte armiqësuar me Mustafa Pashën, sepse vrau dy djemtë e Ibrahim Pashës për t’i marrë vezirllëkun e Shkodrës “shtëpisë së Bushatit”. I biri Dodë Prenga, pasi Prenga u vra në krye të mirditasve në Mali i Zi, ndoqi një politikë tjetër nga i ati, duke e ndihmuar Mustafa Pashë Bushatin për të shtypur kryengritjen greke në More.

U helmua nga një grua turkashe në Kotorr. Pasardhësi kapidan qe Lleshi i Zi me histori të shumta lufte përkrah Mustafa Pashës në Greqi, në Epir, në Mali i Zi etj.

Paqja e qëndrueshme me Bushatlllinjtë u vendos vetëm kur këta të fundit i njohën Mirditës bajrakun e Dibrrit (zona Kacinar deri në Vau i Dejës). Pas një lufte për pushtet brenda familjes së Gjomakajve,shpëtojnë për fat dy djem për të trashëguar “kapidanin” e Mirditës, Bibë Doda dhe Gjoni i Marka Lleshit.

Te sarajet kapidanore në Shkodër, ku “mohikani i fundit” i derës së Gjomarkajve shtyn ditët në shoqërinë e motrës dhe Pjetër Arbnorit. Ndërtesa e famshme ku dikur nënshkruheshin traktatet me kancelaritë e huaja që sot mban vetëm dy të moshuar.

Rrëfimi nga sarajet e Preng Bib Dodës, i 90-vjeçarit Dedë Gjomarku për historinë e lavdishme, komplotet dhe përndjekjet nga koha e perandorisë osmane te komunizmi.

89- vjecari Ded Gjomarku, ka mbetur si “mohikani i fundit” në sarajet e princ Preng Bib Dodës në qendër të Shkodrës, në një shtëpi të veçantë me “torren” pesëkatëshe, që tashmë është monument kulture.

Gjithë jetën e ka kaluar nëpër burgje dhe internime, tani jeton i vetëm pa fëmijë, me të renë e vëllait, Xhildën, një grua shkodrane e fisme që kujdeset për gjithçka aty.

Sarajet e Preng Bib Dodës në Shkodër, ndonëse janë kthyer thuajse në gërmadha, mbajnë të fshehur brenda madhështinë e tyre. Shërbyer për dekada të tëra si konvikt i shkollës tregtare, duket se pak e nga pak po e marrin formën e dikurshme.

Kalojmë dhomë më dhomë e kat më kat ndërsa historia na vjen përmes ca imazheve të ngelura diku në tavan, diku në ndonjë oxhak të hershëm, pusi dhe muret rrethuese të larta, biblioteka si dhomë nga më të mëdhatë e Shkodrës, por sot paradoksalisht pa asnjë libër në të sepse gjithçka këtu është zhdukur…

E gjejmë me miqtë e përhershëm, Zefin, një hokatar të këndshëm shkodran dhe motrën e Pjetër Arbnorit, një grua e fisme, që edhe pse e mbetur nga mosha dhe sëmundja, orët më të mëdha të ditës i kalon aty në biseda me miqtë e vjetër.

Të ngjall emocione, por edhe keqardhje teksa sheh se në të 25 dhomat jetojnë vetëm dy të moshuar në ekstrem dhe Xhilda që mbahet më shumë për t’i shërbyer gjithë këtij vendi, ku dikur kancaleritë europiane shpesh herë janë detyruar të kryejnë marrëveshje që lidhen me Shqipërinë e Epërme, por që kanë lidhje të forta me fatet e vendit në momente kyçe. Kalojmë orë të tëra në bisedë me Dedën, duke na risjellë historitë e derës së famshme me emër në Europë.

Zoti Dedë, nga ku mund të nisë historia e derës suaj?

Shumë herët, por e kanë thënë historianët me kohë,unë do doja të ndalesha me ata që bënë emër në historinë kombëtare,duke filluar me Bib Dodë Pashën, i cili shënohet dhe i pari Pasha i krishterë, ndër më të zëshmit kapidan nga dera jonë, por padyshim ndër ndër personalitetet më të shquar të kohës së vet në mbarë territoret shqiptare.

Për meritat e tij e të Mirditës në vitin 1849, Bib Dodës iu dha titulli “Pasha” dhe iu njoh e drejta të komandonte një ushtri prej 10 mijë ushtarësh. Ai njihet si i pari pasha i krishterë, i cili për pak kohë pati si sekretar të tij edhe Vaso Pashën (ky i fundit gjithashtu pasha i krishterë) një personalitet i madh i letrave shqipe dhe një autoritet i lartë shoqëror e politik.

Mos kjo ka lidhje me luftën ruso turke?

Po. Në vitin 1852 në përkrahje të forcave turke të Omer Pashës, ai bllokon ushtritë malazeze që donin t’i binin turkut.

Në vitin 1854 merr pjesë në luftën ruso-turke në brigjet e Danubit, ku tregoi trimëri e aftësi të rralla dhe ku mori famë. Është kjo arsyeja që Sulltan Abdyl Mexhiti, me Dekret nr.124 e gradon “Gjeneral Brigade”, dekorimi me urdhrin “Mexhidie” të klasit të tretë dhe titullin “Iftibar” të shoqëruar me rrogë dhe shumë shpërblime.

Napoleoni i III-të, që gjithashtu luftonte krah turqve, i dhuroi atij “Shpatën e Argjentë” në shenjë miqësie dhe pranoi ta merrte në mbrojtje Mirditën në arenën ndërkombëtare të atij shekulli.

Nga nivelet e larta të aristokracisë së Europës merr shumë tituj princërorë. Me propozim të Ipeshkëvisë së Lezhës, Papa e dekoron me urdhrin e shën Gregorit. Shpejt diplomaci të larta si ajo e Francës, apo Napoleoni i Tretë vendosin lidhje me të.

Duket se historia e kësaj dere rrezatoi më tej pikërisht me djalin e vetëm të Bib Dod Pashës, të famshmin princ Prengën?

Është e vërtetë se Bib Dod Pasha la vetem një djalë, Preng Bib Doda, pasi vdiq në moshë të re 48- vjeçare, në 18 korrik 1868. Trupi i tij varroset me nderime të jashtëzakonëshme në Shkodër.

Preng Bibe Doda mund të konsiderohet një fenomen në jetën politike të Shqipërisë, me jetëgjatësi 61 vjet dhe 39 vite në iternim! Djali i vetëm i kapidanit Bibë Dodë Pasha, mbetur 10 -vjeçar me vdekjen e babait te tij, vetëm me nënën, te fisshmen Margjelën e Bibë Dodës dhe një motër, duhet ta ruante pozitën e babait të vet në kushtet kur ai funksion lakmohej nga brenda dhe nga jashte për arsye te ndryshme, por që të gjitha kishin në fund një qëllim: të largonin djalin e Bibë Dodës nga pushteti.

Pse u internua disa herë Preng Bib Doda?

Turqit menduan se me vdekjen e Bibë Dodës erdhi rasti per t’i dhënë goditjen e parë autonomisë tradicionale të Mirditës, duke e dërguar Prengën, atëhere vetëm 10 vjeç, për në Stamboll, gjoja për arsye sigurie.

Me këtë veprim ata menduan se mirditasit do të pranonin një udhëheqës tjetër, qoftë ky edhe brenda shtëpisë së Gjonmarkajve, duke e ditur se pastaj në një moment te dytë do ta kishin më të lehtë ta likuidonin autonominë.

Por mirditasit që atë vit kur iku Preng Bibë Doda dhe deri në vitin 1876 nuk pranuan asnjë qeveritar tjetër dhe në vend sundonte anarkia e plotë. Më pas, vetëm katër vjet do të qëndronte Preng Bibë Doda në Shqipëri dhe pastaj do të fillonte internimi i dytë, i cili zgjati plot 28 vjet.

Dihen pasojat e këtyre internimeve, që zgjatën 39 vjet. Prenga u sterilizua që të mos kishte mundësi të linte pasardhës. Kjo do të kishte pasoja të rënda në jetën e Tij. Plot 39 vite internime, megjithatë mirditasit i kaluan ato vite duke kërkuar kthimin e Preng Bibë Dodës dhe asnjë person që u përpoq të zëvendësonte Prengën nuk u njoh nga paria dhe populli i Mirditës.

Kryengritja e Mirditës e vitit 1877, sa ndikim pati në lëvizjet e mëdha shqiptare të viteve më pas deri në Rilindjen kombëtare?

Po, pikërisht kjo kryengritje megjithëse u shtyp, duhet konsideruar si pararendëse e lëvizjeve të mëdha kombëtare të shqiptarëve, që filluan me Lidhjen e Prizrenit dhe përfunduan me shpalljen e Pavarësisë”.

Me shpalljen e Pavarësisë, Ismail Qemali e kuptoi domosdoshmërinë e vlerësimit te rolit të Mirditës e të Gjonmarkajve, duke i dhënë Prengës rolin e nënkryetarit të Qeverisë, po ashtu dhe Princ Vidi, dhe ku shënohet se ai u bë mbrojtësi kryesor i Princit dhe luftoi shumë për shtypjen e rebelimit në Shqipërinë e Mesme, në krye të gjitha forcave të Veriut.

Edhe në vitet që pasuan, Prengë Bibë Doda mbeti njëri ndër politikanët më të shquar te vendit, duke u bërë nënkryetar i Qeverisë së Durrësit dhe luftëtar i palodhur për çështjen shqiptare. Në këtë situatë ai e kuptoi më mirë karakterin arkaik të vetëqeverisjes në kushtet e ekzistencës së shtetit dhe luftoi pa u lodhur për integrimin e Mirditës në strukturat shtetërore.

Si ndodhi vrasja e Preng Bib Dodës?

Preng Bibë Doda (Pasha) u vra nga njerëz që njihen me emër dhe mbiemër. Me 22 mars të vitit 1919, Preng Pasha kishte patur ndërmend të udhëtonte nga Durrësi në Shëngjin me anë të detit.

Por atë ditë ndërron mendim dhe udhëton përmes rrugës automobilistike. Në makinën e tij ishte dhe konsulli anglez Eden. Ishte vetë komandanti italian që lajmëron vrasësit për udhëtimin e Prengës me rrugë automobilistike.

Prita organizohet diku pranë Zejmenit në Lezhë. Kur kërcet pushka Prenga ngrihet në këmbë dhe thërret: “Më vrisni mue e mos qitni mbi të huejt se asht kundra zakonit tonë”. Pasha dhe disa nga njerëzit e tij vriten, kurse konsulli anglez plagoset në krah. Kështu Preng Pasha vritet prej italianëve me duart e shqiptarëve dhe kjo ndodhi për arsye të forta politike. Gjithsesi ky moment duhet studiuar mirë dhe më gjakftohësi.

Çfarë ndodhi me derën e famshme pas vrajses së Preng Bid Dodës?

Fjalën duhet ta thonë historianët dhe të mos shihet vetëm bardhë e zi, ashtu sikundër e bëri historiografia komuniste. Por dera e Gjomarkajve vazhdoi të jetë në fokus të politikës kombëtare në gjithë qeveritë që erdhen si me Princ Vidin dhe më pas në atë të Zogut dhe më pas, ndërsa i rezistoi instalimit të komunizmit në vend, duke e luftuar ballas atë.

Deri sa mbi këtë familje u ushtrua një genocid i paparë për ta shfarosur deri në rrënjë, që nga djegia e sarajeve ne Orosh dhe vrasjet e përndjekjet e krerëve të familjes sonë.

Pas vrasjes së kapidan Mark Gjomarkut, shumë nga krerët e familjes u detyruan të emigrojnë jashtë vendit, por dhe ata ia kushtuan jetën lëvizjes antikomuniste në Shqipëri, që nga Ndue Gjomarku, apo Gjon Gjomarku dhe plot të tjerë që dhanë jetën në mbrojtje të idealit të lirisë.

Çfarë ishte komunizmi në Shqipëri sipas jush?

Persekutimi komunist mund të shihet në katër etapa, duke e filluar me dekada, por më të rrezikshëm mund të konsiderohet 1944-1954, kur u vranë, e u masakruan nacionalistët shqiptarë, tregtarë e të pasur si dhe inteligjenca e vendit.

Faza e dytë lidhet me persekutimin e bijve, nipër dhe të afërm. Faza e tretë, është momenti kur komunizmi po “hante” bijtë e vet dhe ne nuk kuptonim më çfarë po ndodhte. Po ashtu dhe dekada e fundit.

E keqja se dhe sot ende nuk është vënë në vend nderi i nacionalizmës shqiptare dhe fati i keq i familjeve të mëdha që i kanë dhënë emër historisë shqiptare, po lihen në heshtje për ta zhbërë me pa të drejtë këtë histori sa heroike aq dhe tragjike.

Torturat e hetuesve, Marie Tuci lakuriq në thes me macen

Padyshim mbetet ndër maltrajtimet më çnjerëzore që i janë bërë nga regjimi komunist, bijës së derës së Gjomarkajve, Marie Tucit, e cila kishte mbaruar shkollën e murgeshave stigmatine në Shkodër por që shërbeu në disa zona si mësuese, e shquar si kurajoze, për shkathtësinë dhe trimërinë e saj dhe “dukun” e saj tejet tërheqës.

Duke sajuar akuza false e arrestojnë në vtin 1949 dhe e mbajtën në izolim të plotë në hetuesi duke kryer mbi të tortura që as fatanzia më e çmendur nuk mund të shkonte deri aty.

Hetuesit komunistë për të kënaqur instinktet e veta kafshërore, u munduan me të gjitha mënyrat, por vajza rezistoi heroikisht. Pastaj e përdhunuan në mënyrë barbare, sipas deklaratave të shoqeve të saja të burgosura me të.

“Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi trupin tim”, sipas një letre që nuk arritën ta bënin të dilte jashtë nga burgu; ndër të tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace! Vdiq në spitalin e burgut me 24 Shtator 1950. Është në proces kanonizimi në Vatikan si martire.

Bardhok Biba, deputeti komunist i derës së Gjomarkajve

Historia e derës kapidanore të Mirditës ka të përmendur dhe njërin prej pinjollëve të kësaj dere, deputetin komunist Bardhok Biba që u vra në gusht të vitit 1949.

Ndryshe nga paraardhësit e derës së tij, por dhe të tjerë që ishin rrjeshtuar në anën antikomuniste, Bardhoku, i rënë në kontakt në Shkodër me idetë komuniste i përqafoi ato dhe përfshihet në luftën NACL, ndërsa pas çlirimit zgjidhet deputet për Mirditën në Kuvendin Popullor dhe në dhjetor 1948 emërohet sekretar politik i PK Mirditë.

Në gusht të vitit 1949 vritet në një pritë në Qafë Valmiri,duke shënuar më pas dhe fillimin e një “mandate të zezë” për Mirditën që tashmë do të ndahej në dysh pas masakrës komuniste mbi dhjetëra familje mirditore, me dhjetëra të pushkatuar si dhe qindra familje të internuara.

Vrasja e tij mbetet enigmë, por ka dhe një pjesë studiuesish që e këndvështron këtë vrasje si një strategji nënshtrimi të Mirditës nga regjimi komunist në bashkëveprim me agjenturat e huaja.

Vrasja e Bardhok Bibës ka qenë fatale edhe për vrasësit, pasi vrasja e tij do të ekspozonte gjithë fisin Gjomarkaj para persekutimeve të shumëllojshme, ashtu si dhe familjeve të tjera mirditore, një tragjedi që do ta ndante më dysh Mirditën për 50 vjet, por dhe sot e asaj dite.

Enver Hoxha, dhuratë Hrushovit shpatën e Bib Dod Pashës

Një ndër dhuratat për Bib Dodën ka qenë shpata e argjentë e dhënë nga Napolon Bonaparti, dhuruar në luftën ruso-turke të Krimesë, si prijës në koalicionin e njohur prorus.

Dihet se fatet e kësaj lufte u përcaktuan nga mirditasit nën drejtimin e Bib Dodë Pashës. Kjo shpatë ka qëndruar në muzeun kombëtar për disa vite, ndërsa ka të dhëna të besueshme se me rastin e vizitës Hrushovit në Shqipëri, Enver Hoxha ia ka dhuruar në shenjë miqësie të fortë.

Nga ana tjetër nuk dihet fati i kostumit të Bib Dodës, i orendive të servisit, pjesët e kafesë, filxhana, qypi i kafesë, kutija e sheqerit apo materiale të tjera të çmuara, trashëgimi e familjes princërore.

Sidomos pas viteve 1930 kur vritet Mark Kapedani, shumë dokumente të kësaj familjeje u vunë në pikëpyetje të madhe, sepse Gjon Kapedani ishte fare i vogël dhe e ëma e tij u nxuar nga shtëpia. Me këtë rast humbën dhe dokumentet.

Një dëmtim më i madh iu shkaktua me ardhjen e regjimit komunist kur iu vu flaka sarajeve në Orosh duke asgjësuar gjithë materialet dhe dokumentacionin e ndryshëm për të kthyer në “memece” një pjesë të madhe të historisë së Mirditës, dhe jo vetëm të saj.

Barqet

Janë katër “barqe” të shënuara ndër Gjomarkaj: i Preng Markoles, i Preng Lleshit, Dode Lleshit dhe Llesh Lleshit (Lleshit të Zi)

Genocidi komunist mbi Gjomarkajt

6 vetë të varur e pushkatuar

12 të burgosur politikë, 2 prej tyre të vdekur në burg

57 pjesëtarë të familjes Gjomarkaj me vite të tëra në iternim

2 prej tyre vdiqën në internim.

Kapidanët e Mirditës

Bibë Dod Pasha (nga vitit 1820-1868)

Gjon Marku, qendroj 8 vite deri sa u kthy Preng Pasha

Prenga Pasha (1876-1880),dhe (1908-1919);

Kol Prenga (1880-1902);

Preng Kol Prenga (1902-1905);

Marka Gjoni (1905-1908 dhe 1919-1924);

Gjon Marka Gjoni (1924-1939).

Pas pushtimit fashist Mirdita nuk pati kapedanë sepse si e gjithë Shqipëria u pushtua nga të huajt.

Deputetë ndër vite nga dera kapidanore

Që prej krijimit të shtetit të parë shqiptar e deri në ditët e sotme e kanë përfaqësuar Mirditën në parlamentin shqiptarë 3 deputetë nga dera e Gjomarkut dhe kanë konkuruar por nuk kanë fituar 2 të tjerë.

Deputetë të zgjedhur:

Mark Kapidani, (deputet në parlamentin e Zogut, vritet në vitin 1933 duke hyrë në audiencë në pallatin mbretëror nga një mirditor tjetër.

Në periudhën e pushtetit komunist, deputet u zgjodh Bardhok Biba, i cili u vra në vitn 1949

Gjon Mark Gjoni, i biri i Mark Gjon Markut, vrarë në vitin 1946 nga forcat e ndjekjes.

u zgjodh deputet nën siglën e Partisë Republikane (1996). Vdiq në vitin 2003 nga një sëmundje e rëndë.

Featuring Recent Posts Wordpress Widget development by YD