Fatos Nano:Ja pse nuk e arrestova Berishën
Modifikimi i fundit në Sunday, 14 February 2010 12:14 Publikuar nga admin Sunday, 14 February 2010 12:14
Pas kërkesave të shumta, gazeta “Tirana Observer” ka vendosur të ribotojë edhe njëherë intervistën e dhënë nga Fatos Nano. Ish-lideri i PS-së duke qenë pesë herë kryeministër i vendit dhe një ndër politikanët më karizmatikë në Shqipëri ka dhënë me qindra intervista. Por janë të rralla intervistat, për të mos thënë asnjë, që ai të tregojë në 360 gradë për jetën e tij. Ky ka qenë edhe shkaku që për intervistën e Fatos Nanos ka pasur një numër jashtëzakonisht të madh kërkesash. Në intervistën e dhënë për stacionin televiziv ERT, Fatos Nano flet për gjithçka në jetën e tij. Për rininë në rrugët e Tiranës, e deri tek martesa me Xhoanën. Ai flet edhe futjen e tij në politikë, burgimi për katër vjet. Por edhe për dorëheqjen si kryeministër dhe përse nuk e arrestoi Berishën. Në këtë intervistë Fatos Nano flet edhe për martesën me Xhoana Nanon, si janë njohur dhe cili ishte takimi i parë mes tyre. Edhe pse kanë kaluar disa kohë nga dhënia e intervistës, kjo mbetet intervista më e mirë që ka dhënë ndonjëherë ish-kryeministri i vendit, pasi në një intervistë të vetme i ka dhënë të gjithë jetën e tij, duke bërë kështu një biografi të jetës së tij, duke treguar hobet e tij. Në këtë intervistë Nano tregon se ai ka qenë fans i Bitëllsave, e deri tek fakti që ai ka i rënë kitarës kur ka qenë i ri. Pra, një intervistë kjo, që asnjëherë nuk i humbet vlerat, pavarësisht se sa vite kalojnë. “Tirana Observer” ripublikon të plotë të gjithë këtë rrëfim të jashtëzakonshëm.
A mund t’iu pyes, cili ka qenë momenti më i rëndësishëm në jetën politike?
Ishin fillimet e viteve kur unë hyra në politikën e vërtetë. Më kërkuan të hyj në qeverinë komuniste, dhe unë e pranova me kushtin e pasjes së një mandati për të filluar reformat e ekonomisë së tregut. Dhe kështu ndodhi përgjatë tre muajve të parë të 1991-shit. Mu desh të bindja veten time për të kryer këtë sforco kaq të madhe, sepse kam qenë mjaft liberal gjatë gjithë jetës, gjithnjë më ka pëlqyer Perëndimi. Prandaj të bëje diçka brenda një qeverie aspak miqësore, ishte tronditëse, por unë e pranova këtë sfidë si mënyra më e mirë për të penetruar brenda sistemit, për ta shkatërruar atë. E pranova sfidën edhe për shkak të prindërve të mi, të cilët kishin luftuar për lirinë kundër fashizmit dhe nazizmit. Në momentet e fundit, kur unë isha gati të mos pranoja, mëma ime, e cila më la gjatë kohës që unë isha në burg, me lot në sytë e saj më tha: “Ty nuk të lejohet të na lësh jetimë, prandaj pranoje sfidën, shpëtoje vendin dhe sakrificat që kemi bërë për këtë vend”. Ky ishte momenti i parë, me të vërtetë unik, dhe më pas i dyti, ishte eksperienca e re e të qenit në opozitë. Dhe unë kam qenë vërtet një opozitë demokratike. Menjëherë pasi opozita e 1991-shit fitoi zgjedhjet, unë i telefonova konkurrentit tim dhe i urova fitoren, por ia ktheva me të njëjtën monedhë brenda gjashtë muajve në zgjedhjet lokale. Fitorja e këtyre zgjidhjeve pas vetëm gjashtë muajve është kryesisht arsyeja që u burgosa prej tij, sepse isha vërtet konkurrues. Momenti i tretë i rëndësishëm është kur në krye të qeverisë risollëm normalitetin dhe stabilitetin në vend pas kolapsit të 1997-ës.
Ishte një ëndërr për ju që të bëheshit kryeministër?
Më lejoni ta shoh pak ndryshe. Isha në Kinë rreth dy javë më parë, në një vizitë zyrtare. Kjo ishte një ngjarje, sepse ishte pas 38 vjetësh që një kryeministër shqiptar vizitonte Kinën. Në ato momente mendoja se kur isha veçse një fëmijë 14-vjeçar, nuk do të kisha guxuar kurrë të mendoja se do të ndiqja kryeministrin komunist Shehu, që ka jetuar tamam në këtë shtëpi ku vrau edhe veten në vitin 1981.
Në këtë shtëpi?
Po.
U rritët në një vend komunist. Si mund ta përshkruani këtë gjë?
Një gjë është e sigurt, kishte shumë pak hapësirë dhe liri për të organizuar jetë tënden. Por, ndoshta kjo më ndihmoi të mbijetoja dhe në burg, sensi i mungesës së lirisë.
Pra komunizmi ju mësoi se si të mbijetonit pa lirinë?
Asokohe njeriu arrinte ta mbante të disiplinuar shpirtin dhe mendjen e tij edhe nën shtypje dhe izolim. Për shembull, kam marrë një formim arsimor shumë të mirë gjatë viteve të komunizmit, për shkak të njohjes së disa gjuhëve të huaja, të cilat i mësova prej mëmës dhe babait tim.
Më ka rënë në vesh se ju dëgjonit Beatles?
Jo vetëm kaq. I kam kënduar, dhe kam qenë mjaft i zoti në interpretimin këngëve të tyre në kitarë.
Oh, me të vërtetë, a luani më në kitarë?
Vetëm ndonjëherë. Kitara dhe të qenit kryeministër janë vlera që nuk shkojnë shumë mirë bashkë.
Mos e thoni këtë. Cila ishte kënga juaj e preferuar nga Beatles?
Le të themi “Let it be”
A mund të na e këndoni?
E pse jo? Mirë, mjaft tani.
A ishte e ndaluar t’i këndonit ato këngë?
Ishte. Por çfarëdo që të bësh, është e pamundur të ndalosh vlerat e vërteta. Dua të them, ato vinin bashkë me ajrin që thithnim, me këngët e protestës që i dhanë jetë edhe shoqërisë suaj gjithashtu. Ne nuk mund të mos iu ndiqnim.
A ju lejojnë të drejtoni automjetin kurdo që dëshironi?
Jo gjithmonë. Dua të them se më duhet të jem bashkëpunues me ta. Nuk mund ta bëj këtë gjë në qytet, siç dhe nuk më lejohet të thyej rregullat e qarkullimit dhe sigurisë.
Si ka qenë fëmijëria juaj?
Jam rritur si fëmijë normal, në një familje normale me të gjitha vështirësitë e asaj epoke (kohe). Kam qenë shumë mirë me mësime dhe isha një tip mjaft popullor mes shokëve.
A mund të na e përshkruani një ditë në burg?
Ata donin që të më çmendnin në burg. Më ndaluan të lexoja, më ndaluan të takohesha me njerëz; organizonin provokime me kriminelë që gjendeshin atje dhe ziheshin me njëri-tjetrin. Ata donin që unë të humbisja kontrollin e mendjes sime. Në mesnatë të gjithë qetësoheshin e shkonin të flinin, ishte pikërisht momenti kur unë mund të lexoja apo shkruaja ndonjë gjë, apo të përfitoja nga njohjet e ndryshme atje. Rojet e burgut ishin më së shumti njerëz miqësorë.
Pra ju kanë ndihmuar…
Po, ata më kanë ndihmuar. Dhe në fakt nuk i humba kontaktet me botën jashtë burgut për asnjë ditë të vetme. Zgjohesha në orën 09:00 të mëngjesit, pasi flija rreth 5 ose 6 orë. Kisha shansin të përgatisja diçka për të ngrënë në qelinë time; gjëra të thjeshta si një omeletë për shembull. Kurrë nuk preka ndonjë gjë që ishte përgatitur në burg.
Nuk prekët gjë sepse kishit frikë se mos ata fusnin ndonjë gjë në ushqim?
Të gjithë mendonin se kështu isha më i sigurt. Qëndrova pothuajse 4 vjet në burg. Regjimi i Berishës ishte mjaft i egër. Ata burgosën çdo oponent të tyre, deri edhe biznesmenët që nuk paguanin për ta. Ishin të njëjtat momente kur 5 minoritarë grekë, gjithashtu u burgosën nga Berisha.
Përse u burgosën ata?
Sepse ata ishin të Të Drejtave të Njeriut dhe të organizatave mirëbërëse.
A po luftonin ata për të drejtat e minoriteti grek?
Ata ishin luftëtarë të lirisë për minoritin grek dhe u trajtuan si armiq, spiunë nga regjimi i Berishës dhe u burgosën. Ishte një skandal edhe i përmasave ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës protestuan mjaft kundër këtij akti. Unë isha burgosur në të njëjtën kohë me ta.
Çfarë mësuat nga e gjithë kjo?
Eksperienca ime personale tregon se kur qëndron pak kohë në burg, ndjenja e hakmarrjes është mjaft e fortë, dhe kur del jashtë do të marrësh hak ndaj atyre që të burgosën, me të drejtë apo pa të drejtë. Kur qëndron për shumë kohë, nuk vlen më për asgjë. Kur qëndron për një periudhë të ndërmjetme, siç ishte rasti im, për 4 vjet, atëherë ke kohën e mjaftueshme për të arsyetuar dhe reflektuar thellë, dhe arrin në konkluzionin se je pikërisht ti që duhet të kontribuosh për të shmangur ripërsëritjen e padrejtësisë. Pra, ti del që andej edhe më tolerant. Dhe prandaj më është dashur të luftoj me militantët e mi, që më kërkuan të fus Berishën në burg, pas rifitimit të lirisë, pas ngjarjeve të 1997, ku çdonjëri humbi shtëpinë, kursimet dhe shteti u shkërmoq. M’u desh t’iu thosha atyre “Jo”, nuk do t’ia kthejmë atij me të njëjtën monedhë. Ai më ktheu mua në hero, duke më futur në burg për arsye politike, dhe nuk doja t’i jepja atij të njëjtin avantazh.
Zoti Nano, a mund të kujtoni 48 orët tuaja të fundit në burg?
Ishte me të vërtetë një situatë dramatike. Pati një rebelim të papritur në burg. Të burgosurit u rebeluan në vijim të situatës kaotike në kryeqytet. Dy ditë përpara se kjo të ndodhte, unë u solla me helikopter, natën, në burgun e Tiranës, sepse jugu i Shqipërisë kishte dalë jashtë kontrollit në mars të 97-ës. Isha në qelinë time, i izoluar dhe nën vëzhgim të rreptë. Ishte një qeli për një njeri të vetëm, vetëm 10 metër katrorë, d.m.th 5 metra e gjatë dhe dy metra e gjerë dhe 5 metra e lartë.
Dhe ju kishit të njëjtën qeli për 4 vjet rresht?
Po. Unë dëgjoja zhurmat që vinin nga jashtë brenda e që afroheshin gjithnjë e më shumë, kishte të trokitura dhe goditje në dyert e qelive të ndryshme, kishte rreth 50 qeli përgjatë korridorit, të cilat po shpërtheheshin njëra pas tjetrës. Të burgosurit po lironin njëri-tjetrin qeli pas qelie. Dhe në vend që të dilnin jashtë për të fituar lirinë, ata vazhdonin të qëndronin dhe prandaj zhurma sa vinte e i afrohej qelisë time. Rojet jashtë burgut filluan të qëllonin në ajër për shkak të këtij rebelimi të brendshëm, duke mos ditur më ç’të bënin. Unë nuk e dija ku po qëllonin, në ajër apo tek dritaret. Unë kisha derën në një cep (anë) të qelisë dhe një dritare të vogël pa xham në cepin (anën) tjetër, dhe po mendoja se ku duhej të rrija që të mos merrja ndonjë plumb rikoshet, nëse ata do të qëllonin tek dritarja, kur dera u shpërthye dhe një turmë prej 45 vetash hynë brenda 10 metrash katrorë sa hap e mbyll sytë.
Ishin të burgosur?
Po, ishin të burgosur dhe ideja ishte se nëse nuk rrimë me Nanon, nuk do të arrijmë të fitojmë lirinë. Prandaj ata nuk dolën jashtë, sepse nuk ndjeheshin të sigurt. Në këtë kuptim unë isha pengu i tyre. Është e paimagjinueshme që të kesh në një qeli prej dhjetë metra katrorë, njerëz si ish-presidenti komunist, Alia, z. Alia.
Oh, po ishte dhe ai aty?
Po, ai ishte aty. U soll brenda nga ajo turmë. Kriminelë që kishin hesape personale me njëri-tjetrin, të cilët, pasi kishin qenë të izoluar gjetën njëri-tjetrin dhe filluan të zihen me njëri-tjetrin me thika apo hunj. Kishte dhe një çift të huajsh që ishin arrestuar 45 ditë më parë. Një zonjë italiane dhe një venezuelian që ishin të fejuar dhe të ngatërruar në një trafik droge, panë njëri-tjetrin papritur dhe filluan të përqafoheshin. Kështu, dy veta po ziheshin nga njëra anë, çifti po puthej, të gjithë po ulërinin, një nga kriminelët po përpiqej të mbronte veten, duke vërvitur hurin majtas e djathtas dhe goditi ish- presidentin në ballë, duke e gjakosur, dhe unë po përpiqesha që të vendosja pak rregull. Mu desh të bërtisja, sepse gjaku i një prej kriminelëve të goditur me thikë spërkati jastëkun tim, ku unë isha mbështetur 10 minuta më parë. Kërkova të vendosja rregull, duke bërtitur me zë të lartë. Një prej të burgosurve, kriminel apo jo, asnjëherë nuk mund ta dish se sa të rrezikshëm mund të jenë, kishte një autoritet që i nxori të gjithë jashtë menjëherë dhe filloi të organizonte dhe të vendoste rregull në atë burg të thyer (shpërthyer). Kishte shtatë gra aty brenda dhe asnjërës prej tyre nuk iu prek një fije floku.
Dhe kush ju nxori juve jashtë?
Ky është një moment i veçantë, sepse gjithkush iku ditën e nesërme pasdite, pas 40 orësh, ndërsa unë zgjodha të mos largohesha nga burgu.
Po pse?
Sepse do të ishte një shkelje e ligjit. Unë mbahesha i burgosur padrejtësisht dhe nuk i kisha shkelur asnjëherë deri atëherë. Gjysmë ore pasi ishin larguar të gjithë, dëgjova disa hapa të afroheshin dhe tre njerëz mu shfaqën përpara. Ishte drejtori i burgut, shefi i policisë dhe shefi i sigurimit, të cilët po hetonin ç’kishte ndodhur, kush ishte atje akoma e kush kishte ikur. Ata më panë mua bashkë me disa njerëz, dy gra dhe katër të burgosur të tjerë politikë në një cep dhe thanë: “ç’po bëni këtu, të gjithë kanë ikur”. Unë u thashë: “Më lejoni të prezantohem, unë jam z.Nano. Po ju kush jeni”? Ai mu përgjigj se ishte drejtori i burgut. Dhe më pas unë i thashë të njëjtën gjë që sapo shpjegova. I thashë që mua nuk më lejohet të kapërcej atë prag, sepse është shkelje e ligjit. Nuk je ti fajtori që po më mban mua padrejtësisht këtu, po tregomë se ku duhet të kaloj kusurin e 16 muajve të dënimit tim. Ai më tha: “E kuptova. Hajde me mua”. Ai më shoqëroi jashtë ndërtesës së burgut në zyrën e tij, që ishte rreth 100 metra larg, dhe u tha të gjithëve rojeve që ishin rreshtuar në oborrin e burgut: “Vëruni siguresat armëve”. Ishte si një paradë ushtarake, pasi mu desh të kaloja përpara tyre dhe ai më shoqëroi në zyrën e tij. Aty ai më tha se do të merrte një makinë që do ta drejtonte ai. Ishte nja autoambulancë, sepse qyteti ishte në kaos dhe kishte njerëz që qëllonin nëpër rrugë. Ai na futi ne, 10 veta në këtë autoambulancë dhe na shoqëroi secilin prej nesh në adresat e sakta të shtëpive tona. Unë isha i fundit që lashë makinën dhe shkova tek dera ime dhe thjesht trokita pas katër vjetësh që isha larguar. Përqafova babanë dhe fëmijët.
Babai juaj ishte aty?
Po, babi im ishte aty. Pas kësaj mu desh të qëndroja 5 ditë i fshehur derisa Berisha, si Presidenti i Republikës i asaj kohe, nënshkroi dekretin e lirimit për z. Nano… Për gati një javë, mijëra njerëz donin të më shihnin. Mes tyre edhe një numër gazetarësh të huaj që po ndiqnin ngjarjet e asaj kohe. Kjo është. Është pjesë e historisë.
Duket si film! A keni ndonjë film të preferuar?
Ju pëlqen apo jo, filmi i fundit që më vjen në mendje është “Martesa” juaj, jo imja, e madhe (majme), e shëndoshë greke. E kam parë gjatë një udhëtimi me avion.
Shumë e këndshme. A mund t’iu pyes si ishte martesa juaj e madhe, dhe e shëndoshë?
Ishte një festë private kryesisht. Kisha vetëm 100 familjarë dhe miq të ngushtë në ceremoninë në kishë ku Janullatos na bekoi.
Peshkopi Anastas?
Po.
Keni bërë diçka mjaft të diskutueshme dhe po kaq progresiste, doja të thosha, duke qenë një politikan dhe duke qenë në Shqipëri. Ju u divorcuat nga gruaja juaj e parë, të cilën e njihnin të gjithë në Shqipëri.
Po. Ajo ishte shoqja e jetës sime për shumë vjet, veçanërisht në periudhën kur unë isha i burgosur. Është nëna e fëmijëve të mi. Kur një dashuri merr fund, nuk mund ta lësh të degjenerojë veten tënde, gjysmën tjetër, familjen apo jetën e secilit. Kështu, dashuria e dytë nuk ka të bëjë fare me divorcin tim, sepse kanë ndodhur në kohë të ndryshme. Por duke qenë një person publik, një politikan, mu desh t’i flas hapur publikut në mënyrë që askush të mos spekulonte. Nuk e bëra këtë thjesht me qëllimin për të edukuar publikun, sepse nuk mund të luash me jetën tënde për publikun.
Pra Xhoana nuk ishte arsyeja pse ju u divorcuat?
Nuk është tamam kështu. Për të qenë i ndershëm me veten, me familjen time, me ish-gruan time dhe me fëmijët e mi, miqtë dhe armiqtë e mi, filozofia është se askujt nuk i lejohet të vazhdojë të degjenerojë një marrëdhënie që nuk funksionon më. Kishte shumë mes bashkëpunëtorëve të mi që më thoshin se duhet të bëja atë që bënin të gjithë, mbaj gruan në shtëpi dhe të dashurën jashtë. Kjo është diçka që morali im nuk mund ta pranojë.
Na thoni diçka në greqisht. çfarë i thoni gruas tuaj kur doni t’i thoni diçka greqisht?
Të dua vogëlushja ime.
Ishte shumë e këndshme. Ju keni qenë e martuar, kishit një fëmijë të vogël dhe jetonit në Greqi? Në Greqi e njohët Kryeministrin?
Xhoana: Nuk e njoha në Greqi, por në Tiranë, ku kisha ardhur për shkaqe pune. Prej vitesh vija shpesh në Shqipëri për shkak të biznesit tim, siç ju thashë, dhe u takuam në një ambient miqsh të përbashkët.
Dhe sapo e patë u dashuruat me të?
Tani mund të them që ishte nj dashuri me shikim të parë.
Ishte dashuri rrufe?
Po, por në atë moment nuk mundja ta kuptoja, e megjithatë kjo nuk do të thotë që reagova si adoleshente.
Kush ishte fjala e parë që ju tha?
Ajo që ishte më e çuditshmja kur u prezantuam, sado që ai nuk kishte nevojë të prezantohet, më tha fare thjesht: Fatos Nano. Dhe unë iu përgjigja: Xhoana Nano.
Pra kishit të njëjtin mbiemër?
Po, kishim të njëjtin mbiemër, por nuk kemi asnjë lidhje fisnore me njëri-tjetrin.
Dhe e dinit këtë?
Për mua ishte e ditur, por ai as që e dinte që ekzistonte një Xhoana Nano, sepse isha një grua e thjeshtë që jetoja jetën time, normalisht si gjithkush tjetër.
çfarë janë ato? (Gazetarja sheh gjurmë plumbash në muret e rezidencës qeveritare).
Plumba 12.7-sh, të qëlluara gjatë sulmeve të dhunshme ndaj vilës dhe zyrës sime në shtator ’98 nga një turmë e dhunshme e nxitur nga z. Berisha, që aktualisht është lideri i opozitës, që donte të merrte jetën time.
Ata donin t’ju vrisnin?! Dhe ku ndodheshit ju në ato momente?
Unë isha në zyrë, ndërsa babai im ishte këtu së bashku me familjen time. Sidoqoftë nuk është më një tragjedi, por shenja të disa ngjarjeve të mbrapshta duhet të mbeten përgjithmonë.
Pra ju doni t’i mbani ato si një suvenir apo kujtim?
Unë jam angazhuar personalisht që z. Berisha të jetë i lirë dhe jo në burg, dhe ato janë (gjurmët) provat e lëna prej tij, të cilat nuk i lejohet askujt t’i harrojë.
Po mendoja që ju mbështetët luftën në Irak dhe Afganistan. Pse e bëtë këtë gjë?
Para së gjithash ne e dimë fare mirë se çfarë është shtypja, mungesa e demokracisë dhe lirisë, për shkak të terrorit shtetëror, për shkak të një regjimi që kontrollon shpirtin dhe trupin e qytetarëve të vetë. Prandaj ne e mbështetëm pa mëdyshje dhe kjo u shndërrua në një iniciativë politike gjithashtu, bashkimin me koalicionin ndërkombëtar kundra terrorizmit dhe terrorit shtetëror. Ky koalicion udhëhiqej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më duhet të them se SHBA ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë tonë. Ne nuk mund të ishim një komb dhe shtet i pavarur pa kujdesin, asistencën dhe mbështetjen e tyre pas Luftës së Parë Botërore kur presidenti Ëilson mbështeti fort pavarësinë e Shqipërisë.
Pesë arsye të forta, pse bota është prishur?
Arsyeja e parë është se këngëtari më i mirë i rep-it është i bardhë. Eminem. Më pëlqen shumë.
Arsyeja e dytë e fortë është se lojtari më i mirë i golfit është një zezak. Tiger Ëoods
Arsyeja e tretë pse bota është prishur është se Kupën “Amerika” të lundrimit me vela e ka fituar Zvicra, që s’ka asnjë dalje në det. E katërta, Franca akuzon Amerikën për arrogancë. Dhe e fundit që është me të vërtetë më e bukura.
Le ta dëgjojmë
Gjermania për asnjë lloj arsyeje nuk do të marrë pjesë në një luftë tjetër botërore.
“Tirana Observer”








