Stina e protestave sociale dhe retroaktiviteti i pagave të deputetëve-ministra

Valon Murati- 1.Stina e protestave sociale po fillon. Në Kosovën të cilën e kanë lodhur për dekada problemet e mprehta politike, po fillon të zgjohet edhe ndjenja e një revolte sociale që gjithnjë është zgjatim edhe i situatës dhe problemeve politike. Kjo revoltë sado në fillimet e saj, sado e paorganizuar, po dëshmon se ne po hyjmë në një periudhë kur pakënaqësitë sociale do t’i përcjellin tensionet politike dhe ndonjëherë edhe do të dyzohen për të shpërthyer si një e vetme: si reagim ndaj garniturës politike vendore dhe ndërkombëtare që po e qeveris Kosovën dhe si reagim ndaj kornizës politiko-juridike që ia kanë veshë Kosovës. Protestat e mjekëve, të policëve, të punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, paralajmërimet për grevat e tjera të punonjësve të institucioneve publike për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës duket qartë se do të jenë uverturë të një procesi të gjatë pakënaqësish sociale dhe politike. Nuk ka dyshim se niveli i organizimit të këtyre pakënaqësive është ende në fazën fillestare. Ende shihet se forca e protestave përballë qeverisë është e dobët. Ende vërehet se qeveritarët mund të manipulojnë edhe me kërkesat e punëtorëve, edhe me organizimin  e tyre. Gjithashtu ky organizim pakënaqësish këto ditë më shumë sesa e vuri në pah forcën e sindikatave, tregoi për nivelin organizativ ende të brishtë të tyre. Protestat e copëzuara ende po janë kafshatë e lehtë për Qeverinë. Sidoqoftë, nuk ka dyshim se këto protesta mund të shërbejnë për një konsolidim të radhëve të punëtorëve të Kosovës, si të atyre që punojnë në institucionet shtetërore dhe publike, ashtu edhe të atyre që punojnë në sektorin privat, organizimi i të cilëve do të mund të bëhej në një të ardhme të afërt. Një organizim më koheziv jo vetëm që do të ishte më vështirë për t’u thyer e manipuluar, por do t’i kishte edhe kërkesat më të artikuluara dhe do të ishte më i pranuar nga opinioni i gjerë.

2.

Një prej argumenteve themelore të qeveritarëve tanë kur ballafaqohen me protestat sociale të punëtorëve të institucioneve publike në Kosovë është se kaq janë mundësitë buxhetore të Kosovës. Dhe nuk ka dyshim se mundësitë buxhetore të Kosovës janë të kufizuara. Por në anën tjetër, cila është porosia që qeveritarët tanë japin me mënyrën sesi sillen me paranë publike dhe me shpenzimin e saj, pra me këto të ardhura të pakëta që ne e kemi si shtet? Sigurisht që porosia është shumë e keqe. Ajo çka qytetarët tanë shohin dhe dëgjojnë çdo ditë janë papërgjegjësia në qeverisje, nepotizmi, korrupsioni, e deri tek shpërdorimet marramendëse të parasë publike. Të kësaj paraje që ata po na thonë se është e kufizuar. Mjekët dhe punëtorët e tjerë mjekësorë, mësuesit e  arsimtarët, policët e gardianët e burgut, prokurorët e gjyqtarët, shërbyesit e tjerë civilë, duhet çdo ditë t’i shohin me sytë e tyre e t’i dëgjojnë me veshët e tyre të gjitha papërgjegjësitë e eprorëve të tyre, të shohin sesi njerëzit janë pasuruar brenda natës duke keqpërdorur paranë publike dhe pozitën qeveritare, e në anën tjetër të luten të mos protestojnë për shkak të kufizimeve buxhetore. Ata gjithashtu do t’i krahasojnë pagat e tyre me punëtorët e PTK-së, të Aeroportit e të KEK-ut, por edhe me ato të deputetëve të Kuvendit të Kosovës e të Qeverisë së Kosovës dhe nuk kanë se si të mos dëshpërohen. Thellë në vete e ndiejnë se nuk janë më të padobishëm se këta shërbyes civilë që kanë paga disa herë më të larta se ata. Megjithatë, po qe se shërbyesit civilë do ta kishin ndier se qeveritarët po i rreken me seriozitet shërbimit të interesave publike, se ata vërtet po bëjnë ç’është e mundur që me politika të përgjegjshme ekonomike e fiskale dhe me qeverisje të mirë e të përkushtuar në të gjitha drejtimet ta ngritin në këmbë këtë vend, atëherë mirëkuptimi i tyre do të ishte sërish i madh. Seriozitetit në qeverisje dhe në menaxhimin e parasë publike ky popull do t’i përgjigjej me seriozitet në punë dhe me mirëkuptim ndaj kufizimeve buxhetore të vendit. Sidoqoftë, në Kosovë po ndodh diçka e kundërt me këtë. Qytetarët në lëkurën e vet e kanë ndier se buxheti i limituar i Kosovës për dikë ka qenë nënë e për dikë njerkë. Dhe duke u sjellë kështu me buxhetin, ai vështirë e ka të rritet me normën e duhur, dhe, si rrjedhim, gjithnjë do të mbetet buxhet i keqpërdorur nga pakica (qeveritarët e ndryshëm) në dëm të shumicës (qytetarët e Kosovës).

3.

Për ta dëshmuar papërgjegjësinë e qeveritarëve, këto ditë, në kulmin e pakënaqësive sociale u ndez debati mbi një vendim kontradiktor të Qeverisë së Kosovës, që 13 ministrat dhe zëvendësministrat që janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ta marrin edhe gjysmën e rrogës së deputetit në mënyrë retroaktive që nga janari i vitit 2008. Dhe ky vendim pason një vendim tjetër të qeverisë në fillim të vitit 2008, kur vendoset se të gjithë shërbyesit civilë, duke përfshirë edhe të emëruarit politikë, nuk mund të marrin më shumë se një pagë nga buxheti i Kosovës. Ky vendim shkaktoi edhe reagimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës që e quajti të paligjshëm. Por ta lëmë mënjanë ligjshmërinë e këtij vendimi. Çka mund të themi për moralin e tij? Si është e mundur që buxheti i Kosovës nuk ka kufizime kur kemi të bëjmë me ministrat e zëvendësministrat, por ka kur kemi të bëjmë me mjekët, policët, mësuesit, prokurorët, gjyqtarët etj.!? E ardhmja evropiane e Kosovës është shndërruar në dogmën e re që garnitura politike ia imponon këtij populli. Po si mund të hyhet në Evropë me një mjekësi buzë kolapsit, me një arsim me dinjitet të nëpërëmbur, me një ekonomi të rrënuar dhe me gjyqtarë, prokurorë e policë të pakënaqur me pozitën e vet në këtë shoqëri. Hyrja në Bashkimin Evropian, përtej retorikës boshe, do të duhej të ishte motiv për ta ndërruar realitetin në të gjitha fushat e jetës, për ta bërë jetën e qytetarit tonë më me dinjitet. Përndryshe, hyrja në BE si qëllim në vete nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Kështu dje protestat sociale relativizoheshin në emër të pavarësisë, sot në emër të buxhetit të limituar dhe “perspektivës evropiane të Kosovës”. Por këto motive do të fillojnë të mos çojnë peshë më. Ndryshimi i kornizës së ngushtë juridiko-politike në të cilën është ndrydhur Kosova, fitimi i sovranitetit dhe vetëvendosjes së plotë së bashku me protestat sociale për ngritje pagash, kushte dinjitoze në punë e kundër qeverisjes së keqe që do të mobilizojnë gradualisht shumë shtresa të popullsisë do të jenë motivet e protestave të ardhshme të qytetarëve të Kosovës. Të mos habitemi kur këto dy motive do të dyzohen herë pas here në një motiv: atë për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Prishtinë, 10.2.2010

Valon Murati

anëtar i KP të Lëvizjes për Bashkim

valonmurati@levizjaperbashkim.com

Shpërndaje artikullin:
  • Print
  • Facebook
  • Google Bookmarks
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Add to favorites
  • PDF
  • Twitter

KOMENTO ARTIKULLIN




Modifikimet e Fundit

Rruga e gabuar e Enver Hoxhës pas vdekjes së Stalinit

Nga Dr. Stavri J. Dajo
Doktor i Shkencave Historike në Universitetin “Aristotelis” të Selanikut

Më 5 mars 1953, Josif Visarjanoviç Xhugashvili (Stalin) vdiq. Vdekja e tij, disi e papritur, shkaktoi apati dhe konfuzion në Perëndim, dhe, gjithashtu, ngurrim në strategjinë diplomatike të Uashingtonit dhe të Londrës.
Nga ana tjetër, humbja e “babait të popujve”, shkaktoi amulli, nervozizëm dhe reagime kundërthënëse në vendet satelite të Kremlinit. Siç është logjike, shumica e vendeve vasale, e, më së pari Tirana, u vithis në zi, ngaqë Stalini linte kampin socialist pa krye dhe gjasa për ndryshime në kursin politik të Moskës nën shembullin e Beogradit nuk ishin të papërfillshme, ndërsa më anë tjetër, Titoja e të tjerë udhëheqës të veçantë në kryeqytetet lindore kishin çdo të drejtë të fërkonin duart se, më në fund, kishte ardhur dita të shpëtonin nga tutela mbytëse e Moskës dhe nga spastrimet staliniste.
Madje, të ndjekurit dhe të persekutuarit e politikës staliniste si dhe gjithë ata që ishin dënuar për shkak të konfliktit Stalin-Tito më 1948 shpresonin se tani konjukturat dhe zhvillimet politike mund të merrnin rrugë tjetër dhe, s’ishte aspak çudi, që një ditë të rehabilitoheshin ose, më së paku, të harroheshin pa u amnistuar.
Për më tepër, ardhja në fuqi e grupit të Hrushovit, pak muaj më vonë, zgjoi më të vërtetë iluzione të tilla. Në këtë suazë, arrestimi i L. Berias, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Stalinit, vazhdues i veprës së Xherxhinskit dhe kreu i shërbimit sekret sovjetik për vite me radhë, tre muaj pas vdekjes së tij dhe ekzekutimi në dhjetor 1953, i akuzuar për krime të rënda, përveç kuptimit simbolik që pati, paralajmëronte një epokë të re dhe krijonte një psikozë tjetër politike.
Ku e çonte, pra, Bashkimin Sovjetik Nikita Sergejeviç Hrushovi dhe ç’politikë do të ndiqte Kremlini? Po me vendet aleate ç’qendrim do të mbante kreu i Kremlinit, e në mënyrë të veçantë me nxënësit e bindur të Stalinit dhe me rebelët?
Interes të veçantë paraqiste rasti i E. Hoxhës, nxënësi besnik i udhëheqësit sovjetik, i cili u bë shkas që të derdhej kupa në tensionin Moskë-Beograd, në vitin 1948 dhe angazhimi i tij i hapur si zbatues i verbër i dogmës staliniste. Në këtë prizëm, a do të revizionohej politika e jashtme e Bashkimit Sovjetk me Beogradin, pas një periudhe pesëvjeçare ngrirjeje?
Nëse do të ndodhte kjo, çka kishte shumë gjasa, ç’ politikë do të ndiqte Kremlini me të gjithë ata, që, në një formë ose në një tjetër, kishin dënuar pa rezerva, Josif Broz Titon? Shkurt, një ndryshim në politikën sovjetike do të thoshte efekte zinxhir edhe në vendet e tjera të orbitës sovjetike. Kjo, në krye, lidhej me politikën e Moskës ndaj Tiranës dhe E. Hoxhës.
Perëndimi mbante një distancë diakritike nga zhvillimet në Lindje, por jo pa shprehur një kënaqësi të përmbajtur. Orientimet nga Uashingtoni që u vinin diplomatëve perëndimorë ishin që të rezervoheshin në konstatimet dhe konkluzionet e tyre dhe, aq më shumë, të mos ngatërroheshin në zhvillimet e brendshme të Bashkimit Sovjetik pa u zbardhur plotësisht skena politike.
Por më kryesorja, si në Perëndim edhe në Lindje, njerëzit demokratë besonin se me ekipin e ri të udhëheqjes sovjetike dhe me shenjat e para të demokratizimit të brendshëm të shtetit sovjetik kishte shumë gjasa që lufta e ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit, që kishte nisur me Stalinin dhe Churchill-in, që në vitin 1947, të çohej drejt një deflacioni të shumëdëshiruar për të mirën e mbarë njerëzimit. Treguesit politikë premtonin bindshëm për një gjë të tillë.
BALLKANI PAS VDEKJES SË STALINIT (1953-1962)
Pas mbarimit të Luftës Civile Greke, në gusht të vitit 1949 dhe konfliktit të Greqisë me Jugosllavinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë për problemin e ndihmës që këto vende u ofronin në masë gueriljeve grekë, dhe, veçanërisht, pas konfliktit të hapur të E. Hoxhës me J. B. Titon (pranverë 1948), Ballkani paraqiste prirje gjithfarësh, mëri dhe acarime.
Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria i përkisnin përfundimisht kampit socialist dhe Traktatit të Varshavës, Greqia dhe Turqia i takon sferës perëndimore të influencës dhe ishin anëtarë të NATOS (1955), ndërsa Jugosllavia e Titos, në një orbitë disi retrogresi, herë flirtonte me Lindjen e herë me Perëndimin, duke konfirmuar marrëveshjen e Moskës në tetor 1944 që ndikimi i Lindjes dhe i Perëndimit mbi Federatën Jugosllave do të ishte i balancuar.
Titoja, një politikan i shkathët, me nuhatje dhe dhelpëri diplomatike, disa vjet më vonë, u vu në krye të lëvizjes së vendeve të paangazhuara me përfitime të mëdha, kryesisht ekonomike por edhe prestigj politik, për Federatën Jugosllave.
Ardhja e ekipit hrushovian në krye të Kremlinit, hapte horizonte të reja për mëtimet dhe ëndrrat e Beogradit. Flirtet e tij me ShBA-në dhe vendet e tjera perëndimore ishin të njohura. Dhe kreditë duarlëshuar nga institucionet monetare kredituese të Perëndimit. Kjo e shqetësoi udhëheqjen e re të Kremlinit.
Për t’u vënë fre këtyre prirjeve qendërikëse udhëheqja e re e Kremlinit intensifikoi kontaktet me vendet socialiste, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, si në nivel partiak ashtu dhe në nivel shtetëror, pas një periudhe stanjacioni për shkak të kursit dogmatik të Stalinit.
Në këtë suazë, politika e Kremlinit ndaj Beogradit dhe ulja e tensionit me Titon kishte rëndësi parësore, pasi ky i fundit mund të tërhiqte pas vetes edhe vende të tjera që kërkonin një pavarësi më të madhe nga Moska.
Pa dyshim, kreu i Beogradit ushtronte një ndikim të madh në kryeqytetet lindore, ishte politikan i vjetër, i kurorëzuar me shumë dafina lavdie në luftë, ambicioz, dinak dhe këmbëngulës.
Nuk ishte aspak i predispozuar të futej në kallëpe ideologjike dhe t’i bindej Moskës apo Uashingtonit verbërisht. Përkitazi, Jugosllavia ishte vend i madh, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, dhe udhëheqja e saj gëzonte autoritet të padiskutueshëm.
Këtë politikë të pavarur të Beogradit, vendet e ndikimit perëndimor, përpiqen të shfrytëzojnë dhe të lidhin marrëveshje si kundërpeshë e politikës së Kremlinit në Ballkan.
Si pasojë, në shkurt të vitit 1953, Greqia dhe Turqia, bindin Jugosllavinë për të lidhur një traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi, i cili më 9 gusht 1954 e mori emrin “Traktati i Ballkanit”. Pos të tjerash, ky traktat parashikonte edhe bashkëpunimin e ngushtë të këtyre vendeve në lëmin ushtarak dhe në mbrojtjen e përbashkët të kufijve nga armiqtë e jashtëm.
Traktati nuk funksioni asnjëherë dhe në interes të asnjë vendi por, edhe pse dështoi që pa lindur, alarmoi, asesi, Moskën sepse ishte një lëvizje që dilte jashtë kontrollit të saj dhe, përkitazi, rasti i Beogradit mund të bëhej shembull dhe për vende të tjera. Ndaj, Kremlini bënte ç’është e mundur që t’u vinte fre prirjeve të tilla qendërlarguese që kishin si qëllim shkëputjen nga orbita sovjetike dhe shpërbërjen e kampit socialit.
Por marrëdhëniet tradicionalisht të acaruara të Athinës me Ankaranë, për shkak të çështjes qipriote, nuk premtonin perspektiva të largëta të marrëveshjeve të tilla. Titoja, nga ana e tij, duke parë se nga ky traktat asnjë dobi nuk mund të kishte, përpos përfitimeve konjukturale e telasheve me Kremlinin, më 1956, e cilësoi atë si të pavlefshëm dhe u largua nga strukturat e tij.
Marrëdhëniet e Athinës me Beogradin në një masë të madhe, vareshin nga e ashtuquajtura “çështja maqedonase”, që, në mënyrë të mefshtë, qarqe të caktuara të Shkupit e mbanin të konservuar në aktualitet. Kërkesa jugosllave për të njohur Athina etnitetin maqedonas në Greqinë Veriore, shkaktonte acarime të kastës politike të Athinës, e cila jo vetëm nuk njihte etnitet sllavomaqedonas, por, për më tepër, simbolet dhe përmasat historike të Maqedonisë e konsideronte dhe vazhdon të konsiderojë pjesë të historisë dhe të trashëgimisë kulturore të saj.
Pakicën e popullatë që flisnin dialektin sllavo-maqedonas në viset e Greqisë Veriore i quante të ardhur, në fazat e ndryshme të historisë së re.

Featuring Recent Posts Wordpress Widget development by YD