Bundesrati gjerman miratoi një vendim për punëtorët nga Ballkani, vlen edhe për Kosovën


Bundesrati gjerman ka miratuar zgjatjen e të ashtuquajturave Rregulla për Ballkanin Perëndimor, sipas të cilave qytetarët e këtij rajoni ende mund të vijnë në Gjermani për punë.

Qytetarët e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë, pavarësisht nga kualifikimet e tyre zyrtare, mund të të vazhdojnë të vijnë në Gjermani deri në vitin 2023 për punë. Risi është futja e një kuote vjetore prej 25,000 personash, raporton Deutsche Welle.

Sipas qeverisë gjermane, ka një kërkesë të madhe për punë nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht në industrinë e ndërtimit. Sidoqoftë, Agjencia Federale e Punës duhet të pajtohet me këtë. Ajo vërteton nëse për vendin e hapur të punës a ka punëtorë gjermanë ose punëtrë nga vendet tjera të BE-së, dhe se a janë kushtet e punës të njëjta si edhe për qytetarët gjermanë.

Vitin e kaluar, 2019-ën, 27,259 viza u lëshuan si pjesë e projektit “Rregullat për Ballkanin Perëndimor”, por agjencitë e punësimit miratuan më shumë se 62,000 vende pune. Mirëpo, ndonjëherë për viza duhej pritur shumë gjatë.

Deputetja e Gjelbër Filic Polat kritikon kufirin e sipërm të sapo futur.

“Megjithëse është e qartë se ekziston një nevojë reale, kufiri i sipërm i futur artificialisht nuk mund të justifikohet,” tha ajo.

Nevoja më e madhe për punë është, si më parë, në industrinë e ndërtimit, logjistikë dhe transport, dhe ekziston ende një nevojë e madhe – për kujdestarët.