Çka po ndodh? Edhe Vuçiq nuk e njeh Marrëveshjen e Washingtonit

Serbia nuk e ka respektuar afatin kohor në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit për zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka lënë të kuptohet se nuk do ta ndërmarrin një veprim të tillë, meqë thotë se interesat e Serbisë kanë ndryshuar në momentin që Izraeli ka vendosur ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, për Gazetën Express kanë folur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd. Amerikanët thonë se besojnë që partnerët do të vazhdojnë t’i respektojnë zotimet e bëra në Washington.

“Ne shpresojmë që partnerët tanë do të veprojnë në mirëbesim dhe do të vazhdojnë t’i respektojnë zotimet e bëra në Washington”, kanë thënë nga Ambasada e ShBA-së në Beograd për Gazetën Express përmes një përgjigje me e-mail.

Vuçiqi, më 1 korrik të këtij viti, kur ishte edhe dita e fundit e afatit të Marrëveshjes së Washingtonit, tha se Izraeli s’mund të presë që Serbia ta zhvendosë Ambasadën në Jerusalem, pasi shteti izraelit e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.

“Mos u shqetësoni për pozitën e Serbisë. Ne do të veprojmë në pajtim me ligjin ndërkombëtar, por edhe me interesin e Serbisë, dhe këto interesa kanë ndryshuar, që kur Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ne e respektojmë miqësinë me Izraelin, por e respektojmë edhe veten. Ju s’mund të na thoni që ne e kemi njohur pavarësinë e një pjese të territorit tuaj dhe ju vazhdoni, sepse jeni nën presion nga ata që na kanë bërë presion neve, bëjeni të njëjtën”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqi edhe më 4 shtator, gjatë kohës kur Donald Trumpi po fliste rreth marrëveshjes për zhvendosjen e Ambasadave, e kishte shikuar me habi letrën e marrëveshjes dhe e kishte kthyer kokën mbrapa, nga Marko Gjuriqi, duke e lënë përshtypjen se nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte.

Administrata e Joe Bidenit edhe zyrtarisht ka konstatuar se Marrëveshja e Washingtonit duhet të jetë rruga përpara për bashkëpunim, ndërsa ka kërkuar nga Kosova e Serbia që t’i respektojnë zotimet e bëra në Washington më 4 shtator, nën ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump.

Kosova, e përfaqësuar nga Avdullah Hoti, dhe Serbia, nga Aleksander Vuçiq, kishin nënshkruar një numër zotimesh, që kryesisht ndërlidhen me zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve. Zbatimi i zotimeve do të ndihmohej nga ShBA-ja./GazetaExpress