Kush i paguan shpenzimet e qëndrimit të Kurtit në Greqi? – Flasin nga Vetëvendosje

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka treguar agjendën të cilën kryeministri Albin Kurti e ka zhvilluar gjatë vizitës në Greqi.

Sipas Kryeziut shpenzimet për këtë vizitë janë të mbuluara nga organizatori.

“Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre.

Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka shkruar ai.

Zëdhënësi i qeverisë ka treguar edhe për takimet të cilat kryeministri Kurti i ka zhvilluar në shtetin grek.

“Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendës presidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota”, ka shkruar Kryeziu.

Tutje Kryeziu ka bërë të ditur se kryeministri Kurti ka biseduar edhe me kryetarin e Komunës së Deçanit për situatën me helmimin e qytetarëve atje.

“Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj”, ka theksuar ai.

Zëdhënësi i qeverisë Kurti thënë që janë duke zhvilluar të gjitha mundësitë që situata në Komunën e Deçanit të përmirësohet.

“Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje”, ka theksuar ai.

Në Komunën e Deçanit janë helmuar mbi 800 banorë nga shkaqe ende të panjohura.

Partitë opozitare kanë kritikuar kryeministrin Kurti se përse nuk është afër banorëve të Deçanit.

Dje për vizitë në këtë komunë e cila ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kanë qenë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ministria e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Ndërsa kryeministri Kurti përmes një njoftimi ka thënë që qeveria do ti qëndron afër qytetarëve të Deçanit.