Ministrja Bajrami: Nuk jap dorëheqje, do t’i kthejmë milionat


Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka deklaruar se nuk do të jap dorëheqje nga ky post, siç po e kërkon Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pas skandalit me avullimin e 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Bajrami në një linje telefonike në “Debat Plus” në Tv Dukagjini ka thënë se në vend të dorëheqjes, është duke u përballë zbardhjen e këtij rasti dhe kthimin e milionave që u transferuan në një gjirollogari të zyrtarit të këtij dikasteri.

“Jo absolutisht jo bazuar në kërkesën e PDK-së. Ndoshta me e lehta në këtë rast do të ishte të jap dorëheqje dhe të marrë një përgjegjësi qe nuk më takon dhe mandej ata që e kanë bërë këtë krim të organizuar, i cili duket të jetë i organizuar, të lëvizin të lirë për shkak ‘ministrja ka dhanë dorëheqje edhe e ka marr fajin’. Unë në vend të asaj kam vendosur që të përballem, i kam njoftu të gjitha institucionet. Siç e dini, po merret prokuroria, policia, aki edhe njësia e inteligjencës financiare. Ne i kemi gjetur personat, janë gjurmimet e të gjitha transaksioneve dhe po vazhdon hetimi. Deri më tash është suspenduar edhe zyrtari që tashmë është arrestuar, dy të tjerë janë në arrati dhe po i kërkon Policia, është suspenduar edhe eprori i tyre. Dhe ne po e qojmë këtë situatë deri në fund”, ka thënë Bajrami.

Ndërlidhur me kërkesën e PDK-së për dorëheqjen e saj, Bajrami tha se kur kanë ndodhur vjedhjet në dhomën e dëshmisë askush nga PDK nuk ka dhënë përgjegjësi.

“Sa i përket PDK-së, ka pas raste që është vjedh dhoma e dëshmive, jo vetëm që nuk janë zënë po askush nuk ka dhanë përgjegjësi. E unë po jap përgjegjësi e po ju dal përballë krimit”, u shpreh ajo.

“Janë avullu, por do të kthehen, edhe ose nëse nuk munden të gjitha, së besoj. I gjith sistemi i transaksionit është gjurmu, janë blloku gjirollogaritë e të gjithë përfituesve. Ky nuk është vetëm krim kibernetik por i organizuar mirë ekonomik”, u shtoi ministrja nga radhët e LDK-së.

Gjatë një aksioni i cili është zhvilluar mbrëmë në Prishtinë një person është dërguar në mbajtje, pasi që i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës duke transferuar para në vlerë 2,077,995.90 milionë euro.

Pas hetimeve të policisë dy persona të tjerë gjenden në arrati.

“Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit”, thuhet në raportin policor.

PDK ka kërkuar dorëheqjen e Hykmete Bajramit nga posti i ministres së Financave.