Nëse pacientët nuk japin më bakshishe, unë dhe mjekët e tjerë lemë punën që nesër në mëngjes!

Mjekët e spitalit të traumës, protestuan sot pas ndalimit të dy kolegëve, që akuzohen për korrupsion.

Serdi Memini dhe Ervin Sulaj u arrestuan pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet nga babai i njërit prej të plagosurve të Velipojës, i përfshirë në ngjarjen e rëndë ku u vranë 4 persona.

Kirurgu i përgjithshëm Dr.Myftar Torba, ishte sot i ftuar në emisionin “Top Talk” ne Top Channel, ku pranoi publikisht se mjekët në sistemin shëndetësor publik në vend, marrin ryshfet.

Sipas tij, “shërbimi shëndetësor, është një shërbim që duhet paguar, si të gjithë shërbimet e tjera”.

“Nuk jemi më në kohën e diktaturës, që shkon në spital dhe të tjerat i di shteti.

Shteti duhet të ndërhyjë dhe të sigurojë që të kryhen pagesat në spital, për çdo shërbim të marrë. Në spitalin tonë, shërbimi i laboratorëve është privat, paguhet me çmimin e tregut. Shërbimi i instrumenteve është privat, shërbimi i pastrimit është privat, shërbimi i ushqimit është privat, paguhen me çmimin e tregut”.

Duke folur për paga të ulëta të mjekëse, Torba thotë se askush nuk do të qëndrontre në punë, nëse s’do merrte ryshfet.

“Rroga neto e një kirurgu me 30 vite eksperiencë është 80.000 lekë. Cili kuzhinier në restorantet e Tiranës e ka rrogën kaq? Cili prokuror, gjyqtar apo hidraulik e ka rrogën kaq? Me këto rroga, unë të siguroj që po të hiqeshin bakshishet, nesër në mëngjes nuk do të kishe asnjë mjek në spitale”.

Përveçse pranoi se mjekët marrin bakshish, u shpreh se nëse pacientët nuk paguajnë më, mjekët lenë punën.

“Unë të siguroj, nëse nesër në mëngjes, pacientët nuk do të jepnin më asnjë lloj dhurate/ bakshishi, që në njëfarë mënyre e kompeson rrogën, nuk do të ngelte asnjë mjek. Asnjë orë, as mjek nuk do të kishe në spital”.

Megjithatë, thekson se ryshfeti dhe kërkesa e mjekëve për të marrë lekë para se të japin shërbimin, janë dy gjëra të ndryshme.
“Për mua dhe kolegët e mi, çdo pacient e ka marrë dhe e merr shërbimin shëndetësor, pavarësisht mundësisë për të paguar. Është kriminale nëse doktorët i venë kusht. T’i thuash tjetrit dua kaq lekë për të bërë operacionin, është kriminale, duhet të hetohet.
Në 90% të rasteve, pacientët japin bakshish është vetëm një pjesë shumë e vogël, që është skandaloze dhe duhet të hetohet nëse shërbimi jepet në këmbim të pagesës”.

Si zgjidhje për këtë problem, kirurgu jep ligjërimin e bakshishit.

“Ne kërkojmë të zgjidhet mënyra e financimit të spitaleve. Opsioni më i lehtë dhe më i ndershëm, është që çdo para që jepen në dorë, të lihen në recepsion me faturë dhe këto para të shkojnë te puna e gjithsecilit”.