Qeveria s’dëgjohet në veri të Mitrovicës, dita e pazarit grumbullon shumë njerëz (FOTO)


Qeveria e Kosovës të premten mori një varg masash me qëllim të ndalë trendin e rritjes së infektimeve me koronavirus.

Për të gjithë territorin e Republikës u ndalua veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë, njofton Klan Kosova.

Por, përkundër këtyre masave, qytetarët në veri të Mitrovicës nuk e prishën terezinë në ditën e pazarit të tyre.

Një numër i madh i tyre dolën sikur zakonisht të bëjnë tregti afër urës së Ibrit, pa u penguar nga institucionet.

Dëshmitarët thanë për klankosova.tv se po ashtu edhe shumë lokale të gastronimisë janë të hapura dhe po funksionojnë normalisht. Por, zëdhënësi i policisë për veriun e Mitrovicës tha se lokalet e gastronomisë janë mbyllur qysh mbrëmë me kohë të caktuar pasi Qeveria mori vendim.