Simmons vazhdon përpIasjen me EULEX-in: E vërteta do të dalë në pah

Ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX, Malcolm Simmons, ka vazhduar polemikën me misionin e BE’së për sundimin e ligjit në Kosovë.

EULEX-i, me anë të një postimi në ‘Twitter’ e akzoi Simmons se ai filloi të raportonte sjelljet e papërshtatshme për gjykatë të caktuar në mënyrë që të shmangte vëmendjen se po hetohej nga misioni i BE’së.

“Simmons punoi në Eulex për 9 vjet e gjysmë. Ai filloi pretendimet se gjyqtarë të caktuar ishin sjellë në mënyrë të papërshtatshme vetëm pasi filluan procedurat disiplinore kundër tij. Ai e bëri këtë thjesht për të shmangur vëmendjen nga hetimet e kryera kundër tij”, tha ai.

Ndërkaq, ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve e konsideroi këtë gënjeshtër, duke thënë se ai filloi të raportonte për sjellje të papërshtatshme të gjyqtareve tri vite para se të fillonin hetimet ndaj tij.

“Kjo është gënjeshtër. Unë raportova për sjellje të papërshtashme më 2013-ën – TRE VITE PARA se EULEX të fillojë hetim disiplinor. E vërteta po del në pah dhe EULEX nuk mund ta ndalojë atë”, ka kundër replikuar ai në ‘Twitter’ ndaj EULEX-it.

Simmons ka filluar polemikat me misionin e BE’së që prej se raportoi në prani të deputetëve për pretendimet e tij për parregullsi në misionin për mbikëqyrjen e gjyqësorit.

Ai ka kërkuar që të bëjë një hetim të plotë publik, e më pas “t’ua lënë qytetarëve të Kosovës të gjykojë kush po e thotë të vërtetën”.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka reaguar pas deklaratave të sotme të ish-kryesuesit të gjykatësve të këtij misioni, Malcolm Simmons, i cili ka përmendur shumë skandaIe që thotë se e kanë karakterizuar këtë mision evropian.

“Nëse prania e parregullsive ishte aq e qartë për të, atëherë pse ai nuk e kreu punën e tij si mbikëqyrës dhe pse nuk i lajmëroi menjëherë autoritetet e BE-së? Në vend që ta bënte atë, Simmons zyrtarisht raportoi pretendime për shkelje që përfshinin stafin e EULEX-it dhe EEAS-it më 2 shtator 2017, që është vetëm pasi në tetor 2016 kishin filluar disa procedura disiplinore kundër tij për pretendime për shkelje. Pas përfundimit të angazhimit të tij në EULEX, Simmons nuk shërbeu më si gjyqtarë në Mbretërinë e Bashkuar”, u tha ndër të tjera në reagimin e tyre.

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons para deputetëve sot, përveç tjerash, ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale.

“Në Gjykatën Speciale kam po aq besim sa do të kisha pasur në një gjykatë në Rusi apo në Iran. Ky është niveli i besimit që unë e kam në Dhomat e Specilizuara të Kosovës”, tha Simmons.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të reagojë pasi tha se Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së”.