Amerika e dërgon një porosi të qartë tek politikanët e Kosovës, ka të bëjë me Gjykatën Speciale


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u kishte kërkuar me ngulm deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në vitin 2015 ta votonin Gjykatën Speciale. Tani, kjo ambasadë kërkon që politikanët në Kosovë ta lënë këtë institucion që ta vazhdojë punën, duke mos e ndryshuar mendimin e shprehur atëherë se “Gjykata Speciale është thellësisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në një përgjigje, ambasada e SHBA-së në Prishtinë u ka kërkuar politikanëve në Kosovë që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Speciale.

“Pozita e SHBA-së është e pandryshuar. Ne e mbështesim punën dhe mandatin e Dhomave te Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dhe nxisim të gjithë të interesuarit qe t’i lejojnë ata që të vazhdojnë punën e tyre pa ndërhyrje të çfarëdo lloji”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

Po kështu, në prill të vitit 2014, ambasada e SHBA-së u kërkonte deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votonin për ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale.

Atëherë, SHBA vlerësonte se për të ecur përpara, Kosova duhej të tregonte përkushtimin e saj në një proces të paanshëm juridik e të pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, që do t’i jepte epilog pohimeve të Raportit të Këshillit të Evropës në vitin 2010. Kështu edhe vepruan deputetët, 82 prej të cilëve një vit pas ngritën duart për themelimin e Gjykatës Speciale.