Behrami: As që kam menduar të luaj për Kosovën bile, jam krenar që Zvicrës i dhashë gjithçka

Valon Behrami e ka pranuar se në kokën e tij kurrë nuk kishte menduar ta përfaqësojë atdheun e vet, Kosovën, madje as kur një gjë e tillë ishte bërë e mundur për të, si dhe ka nënvizuar se ndihet krenar që i ka dhënë gjithçka Zvicrës, vendit që e pranoi si refugjat.

Mesfushori i Genoas në Serie A – i lindur në një fshat të Mitrovicës – e përfaqësoi Zvicrën në 83 ndeshje ndërkombëtare para se ta humbiste vendin në kombëtaren helvetike në mënyrë zhgënjyese, raporton Gazeta Express.

Behrami, bashkë me kosovarët e tjetër Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, e kishin mundësinë për ta zgjedhur ta përfaqësojnë Kosovën në vitin 2016 kur kombëtarja verdhekaltër u pranua në FIFA dhe UEFA, por ata zgjodhën të vazhdojë ta veshin fanellën e Zvicrës.

Duke folur për gazetën zvicerane NZZ am Sonntag , Behrami tha: “Ju e dini si kam mbërritur në Zvicër. Me asgjë. Nuk ka qenë e lehtë për mua si shqiptar. Jam krenar që kam dëshmuar se bëj gjithçka për Zvicrën.”

Në lidhje me Kosovën, 36-vjeçari shtoi: “Unë kurrë nuk e kam konsideruar të luaj për Kosovën, as kur u bë e mundur. Ka qenë shumë e qartë për mua se do t’i jepja gjithçka Zvicrës”.

Behrami shkoi në Zvicër si refugjat dhe u rrit në Ticino.

Ai i ka bërë 83 paraqitje për Zvicrën dhe ka marrë pjesë katër herë në Kupën e Botës me të, përfshirë në vitin 2018 në Rusi.

Pas Botërorit të 2018-es, trajneri serb Vladimir Petkovic e përjashtoi kosovarin nga planet e tij për kualifikime për Euro 2020, vendim të cilin Behrami e kishte quajtur politik.