“Bravo nanush, po m’pëlqen”, kështu krenohet Zemaj kur Gaxherri përplaset me Nagavcin


Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka përkrahur Besa Gaxherrin, në përplasjen me nënkryetaren e Kuvendit, Arbërie Nagavcin.

Deputetja e LDK’së, Besa Gaxherri po kërkonte fjalën nga nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, për të replikuar rreth ankesës së saj për kushtet e Kuvendit për seancën e sotme solemne ku do të jetë prezent komisioneri i BE’së për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Unë nuk po du me ma përthy fjalën që du ti, unë po du me folë çka du unë, jo me ma ndërpre ti”, i ka thënë Gaxherri Nagavcit, derisa e kishte të ndalur mikrofonin.

Në këtë moment, ministri i Shëndetëissë, Armend Zemaj, ka përkrahur Gaxherrin.

“Bravo nanush, po m’pëlqen”, i ka thënë Zemaj Gaxherrit.

Përplasja mes Gaxherrit dhe Nagavcit nisi kur Gaxherri u ankua se nuk ka përkthim në seancë.

“Seancë pa përkthim, dikush duhet me jap përgjegjësi…S’ka kufje dhe kjo është papërgjegjësi totale e Kuvendit…Duhet me i plotësu kushtet për me mbajt seancën”, tha Gaxherri ndër tjera, transmeton Gazeta Express.

Ndërsa, Nagavci tha se nuk ka informacione që seanca po zhvillohet pa përkthim.

“Ju lus të jemi me kohë në vendet tona, t’i respektojmë masat e IKSHPK-së. Nuk kam informata për përkthimin”, tha Nagavci ndër të tjera.

Më pas Gaxherrit iu ndalua fjala dhe deputetja vazhdoi të fliste pa mikrofon.

Nagavci propozoi që Kuvendi të shkojë 10 minuta në pauzë, teksa theksoi se çështja e përkthimit është e njëjtë sikurse në seancat e kaluara.