Dorëzohen në Polici djali dhe vëllai i Nuredin Lushtakut (DETAJE)

Djali i Nuredin Lushtakut bashkë me xhaxhain e tij, Arifin janë dorëzuar në Polici.

Kështu ka raportuar Sinjali, që duke u thirrur në burime ka mësuar se personat që ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës për rastin mes datave 2 dhe 3 korrik, tashmë janë dorëzuar në stacionin “Jugu”.

Ata dyshohen për veprën penale “sulm”.

Rasti “Skënderaj” ishte tema më e diskutuar gjatë gjithë ditës së sotme, pasi në të u përfshi ish-nënkryetari i komunës e ish-deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku.

Ky i fundit gjatë ditës së dielës u paraqitë në polici, me ç’rast u ftua si një prej të dyshuarve kryesorë.

Në një deklarim për Kallxo.com, Lushtaku kishte thënë se policët ishin plagosur mes vete dhe se ai nuk ka gisht në rastin respektiv.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia.

Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, kishte deklaruar gjatë ditës Lushtaku.

Megjithatë, këto zëra i mohoi Inspektorati Policor i Kosovës.

Përmes një komunikate konfirmoi se pas konsultimit me autoritetet relevante arritën në përfundim se asnjë prej zyrtarëve policorë nuk ishte i dyshuar.

“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Ajo që është e rëndësishme, të dy policët janë në gjendje të mirë, pra jashtë rrezikut për jetë, teksa janë duke u kuruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për këtë foli edhe mjekja kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe

Binqe tha se gjendja e pacientit të plagosur në këmbë është stabile dhe po merr trajtimin e duhur.

“Polici ka arritur është pranuar në ora 3:28 domethënë në mëngjes, gjendja e tij është stabile, analizat janë në normë, sa i përket lëndimit, ka pësuar lëndim në shputën e majtë, domethënë është një plagë tejshpuese me armë zjarri, është trajtuar, është vendos imobilizimi me gips, është dhënë terapia e cila jepet për këtë gjendje, antibiotikë, mbrojtje antitetanike, analgjetikë, për momentin gjendja e tij është stabile dhe nuk ka ndonjë pengesë”, tha ajo për RTK-në.

Njëri nga policët e plagosur është Mërgim Geci, i cili nuk ka lidhje me familjen e ish-deputetit të LDK-së, Ganisë.

Ky i fundit, e pranoi për Nacionalen se nuk është i tyre.

“Jo, jo, jo nuk është i joni. S’kemi na as në TMK as në FSK as në polici asnjë hiq. Njo e kemi pasë në polici edhe ky ka dalë në penzi. S’osht i joni, Gec tjetër është ai”, ka thënë Gani Geci.

Lidhur me këtë rast ka folur edhe nënkryetari aktual i komunës, Sami Lushtaku.

Në një prononcim për Nacionalen gjatë orëve të ditës, ai pohoi se nuk ka informacione nga vendi i ngjarjes, porse lajmin e mësoi nga mediat.

“Po lajmin e pashë në media, por në të vërtetë nuk kam informacione se çfarë ka ndodhur” tha Lushtaku.

Kjo është përmbledhja në pika të shkurtra e gjithë asaj çfarë ndodhi në Skënderaj gjatë ditës së sotme, teksa përmendim gjithashtu faktin se nuk është hera e parë që policët bëhen pjesë e sulmeve të tilla apo të përafërta, duke kujtuar rastin e djemve të Adem Grabovcit, vëllait të Rexhep Selimit e së fundi edhe të Zafir Berishës.