Erdhi të bënte fermë si ato jashtë! Shqiptari falimenton: Shteti s’e ndihmoi, iku në Gjermani ta lajë borxhet!

Ëndërronte të ndërtonte një fermë me parametra të BE në fshatin e tij, në Samaticë të Beratit dhe u kthye nga Holanda në vitin 2010 për të bërë realitet ëndrrën e tij.

Jo vetëm që nuk mundi, por falimentoi pak muaj më parë. Dashamir Çela u nis sërish si emigrant drejt Gjermanisë për të punuar, pasi iu refuzua mbështetja me subvencion nga programi IPARD, dhe arsyeja lidhej me distancën e stallës nga banesa.

Në fshat tani jetojnë nëna, gruaja dhe fëmijët, ndërsa Dashamiri punon në Gjermani për të larë kredinë që mori, në vend të mbështetjes që priste nga programi IPARD. Nëna e Dashamirit, Sabire Çela tregon se djali i saj ka një muaj që ka ikur.

“Ai me tha ‘mama do iki dhe po arrita të stabilizohem do ju marr edhe juve’. Ne kemi marrë vetëm kredi 70 milionë lekë, do lahen avash-avash. Stalla ka 6 vjet që është ndërtuar dhe bën 3 vjet që po falimenton.

Ka investuar shumë dhe vuante me shpirt e me zemër, por falimentuam. Bëmë letrat për grantet, por na thanë se stalla duhet të ishte 500 metra larg shtëpisë. I kemi të tëra letrat dhe nuk morëm gjë. Ai atje punon me alumine, jo me stalla. Hoqi dorë nga puna këtu për të larë borxhet”, thotë nëna e Dashamir Çelës.