Gruaja muslimane e ndërtoi për herë të parë në botë…

Spitali më i vjetër në botë është ndërtuar në Kajseri të Turqisë në vitin 1206 nga një grua muslimane, e njohur në histori si Sulltana Gevher Nesibe

Në epokën selxhuke, spitalet njiheshin me emrin “Darushifa” (Shtëpitë e Shërimit), ndërsa osmanët më pas kanë përdorur emra si “shifahane”, “bimarhane”, “timarhane” dhe “darushifa”.
Darushifa’të ishin projektuar posaçërisht për të ofruar shërbime mjekësore në përgjigje të nevojave shëndetsore të shoqërisë.

Nga shekulli i 11-të e këtej, Anadolli mbart tiparet karakteristike të qytetërimit selxhuk.

Një nga kontributet më të rëndësishme të Perandorisë Selxhuke e gjejmë në fushën e mjekësisë, siç është koncepti i ndërtimit të spitaleve dhe shtrimit të të sëmurëve, gjë që u përhap gradualisht edhe përtej Anadollit, deri në botën perëndimore.
Disa prej spitaleve publike të hershme janë ndërtuar në Anadoll krahas atyre në metropolet e rëndësishme, si Damasku, Bagdadi dhe Kajro.

Një ndër spitalet më të vjetra të botës islame është spitali që mban emrin “Gevher Nesibe”. Godina e tij është ndërtuar nga mbreti Giyaseddin Keykhrusev I, në vitin 1206, dedikuar të motrës, Sulltaneshës Gevher Nesibe. Sot, kjo ndërtesë përdoret si Muze Historik i Mjekësisë në Kajseri.

Thuhet se Gevher Nesibeja u sprovua me sëmundje shumë rëndë që në moshë të re dhe kur i vëllai, mbreti Keykhrusev I e vizitoi, e pyeti nëse kishte ndonjë dëshirë apo kërkesë prej tij.

Nesibeja iu përgjigj kështu: “Unë do të doja që ti ta shpenzoje pasurinë time për ndërtimin e një spitali, ku të sëmurët të mund të kurohen falas dhe pacientët me sëmundje të pashërueshme të jenë nën kujdesin e duhur. Ky fondacion do të mbajë emrin tim.” Giyaseddin Keykhrusevi nisi ta ndërtonte spitalin nën emrin e saj më 1204.

Ndërtesa përfundoi brenda dy vjetësh dhe u vu në shërbim të njerëzve në vitin 1206.

Modele të tilla si Sulltana Gevher Nesibe kanë shërbyer si frymëzim për mjaft pasanikë e pronarë të mëdhenj të botës islame, të cilët pasurinë dhe pronat e tyre i kanë lënë vakëf në shërbim të njerëzve.
I lutemi Zotit që në mesin tonë të ketë njerëz me shpirt të madh, që pasurinë e tyre e vënë në shërbim të shoqërisë.

E pasuria më e mirë është ajo që shpenzohet për hir të Zotit të lartësuar.