Haradinaj tregon se si e bleu shtëpinë luksoze në lagjen “Marigona” në Prishtinë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për jetën e tij ndërsa ka bërë të ditur se tashmë ka blerë një shtëpi në lagjen ‘’Marigona’’.
Megjithatë, ai thotë se këtë e bleu me të hyrat të cilat i siguron nga qiraja e një shtëpie tjetër të parë në lagjen ‘’Dragodan’’ në Prishtinë, pohoi se për ta ndërtuar para 20 vjetësh atë e kishin ndihmuar të tjerët.

”Ka me u shoshit shumë çështja, por asnjëherë nuk do të gjendet një rast, që e kam shfrytëzu popullin tim gabim ose keq. Dikush ka me të detyru me thanë të vërtetën”.

”Unë e kam shpinë e parë të ndërtuar në Dragodan, në vitin 2000 ka fillu ndërtimin, në 2002 kam hy. Para 20 vjetësh, as s’kemi pas shtet, as pushtet. Krejt kemi qenë ndër OKB, e besomni që shumicën e asaj shpie ma kanë maru njerëzit që ende sot janë gjallë por që m’kanë pas idol, e s’po di. Në atë kohë jam trajtu si zoti për ta. Të gjithë janë mobilize kushdo që ka pas më kanë ndihmu me e kry”.

”Unë atë shpi e kam lëshu me qira, që nja 10 vjet. Me ato të hyra jam mundu me bo edhe diçka tjetër, mos me mbet veç me duar në xhepa. Kam marrë kredi, jetoj ashtu si jetoj, nuk jam mangu, i gjindna naj miku, naj shoku, naj fukaraje, najherë kur muj se s’muj gjithë”

Tash keni edhe një shtëpi tjetër në lagjen ‘’Marigona’’?

”Po, kam ble në ‘’Marigona’’, e paguaj kredinë kadal-dalë në Raiffeisen. Por i kam të hyrat e qirasë, që fatmirësisht po ma mundësojnë jo veç me pagu atë, por edhe me ta qit një kafe ty nëse du”.

”Por, unë nuk mburrem me faktin që ne nuk operojmë në vendin tonë. Unë nuk urrej sektorin privat edhe sipermarrësit, po i çmoj, prandaj po çeli vende të punës në Kosovë”.