Haxhi Avdyli: Eh more Agim Veliu, dyfytyrësh ishe ti…


Deputeti Haxhi Avdyli në emisionin “PA MASKË” është shfaqur i ashpër me ministrin e MPB-së Agim Veliu, për të cilin ka thënë se ka punuar natë e ditë kundër koalicionit me VV-në. Sipas tij, të jesh kundër koalicionit me VV-në dhe ta lësh Podujevën për t’u bë ministër i Albin Kurtit, është dyfytyrësi.

Madje, ai ka thënë se tani në kohë pandemie kur Veliu do të duhej të ishte në krye të detyrës, nuk i dëgjohet zëri. Deputeti Avdyli e ka sfiduar Agim Veliun duke thënë se nëse ka guxim le të matet në zgjedhje dhe të shohim se sa vota do të fitojë, njofton 24-ore.info

“Ne nuk kemi asgjë kundër as ndaj Isa Mustafës e as asnjërit në LDK, por kemi të bëjmë me mënyrën e bërjes politikë të tij dhe të disa njerëzve të cilët janë afër tij dhe janë përfitues.

Konkretisht, disa nga nënkryetarët, mund të përfoli edhe me emër, p.sh Agim Veliu i cili ka qenë shumë i zëshëm edhe për mos t’u bërë koalicioni me Vetëvendosjen që ishte parim i vendosur në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Ka punuar natë e ditë kundër atij koalicioni, ka hyrë në qeveri për ta rrëzuar përmes gjendjes së jashtëzakonshme fiktive të cilën vetëm imagjinata e tij e mendonte dhe në fund arriti te një qëllim i cili si duket ka qenë i paramenduar”, ka thënë deputeti Avdyli.

Sipas tij, është në rregull të kesh afërsi më të madhe me PDK-në, por është dyfytyrësi të jesh kundër koalicionit me Vetëvendosjen dhe të bëhesh ministër i Qeverisë së Albin Kurtit, siç veproi Agim Veliu.

“Të kesh parime kundër një koaliconi dhe të hysh në atë koalicion, të kërkosh me ngulm ta lësh një komunë, p.sh si Podujeva pa kryetar komune, edhe të këkrkosh të bëhesh ministër i dikujt që nuk i beson ti, në këtë rast ministër i Albin Kurtit, me të vërtetë kjo nuk ka kuptim…

Kjo tregon njëfarë dyfytyrësie sepse siç duket ai e ka pasur qëllimin që të hyjë në atë qeveri për ta prishur atë koalicion… Mendoj që në politikë ka shumë dyfytyrësha, e njëri prej tyre është edhe Agim Veliu”, ka deklaruar deputeti Avdyli i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që skenari i rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe koalicioni me kryeministër Avdullah Hoti, mund të ketë qenë i gatuar qysh më parë./24-ore.info