









Përveç si hapësirë reklamuese për personat të cilët kanë llogari në këtë rrjetë social, TikTok tanimë është shndërruar në një burim shumë profitabil të të ardhurave për ata që i kushtojnë kohë aktivitetit të tyre brenda, mirëpo që kanë edhe numër të madh të ndjekësve.E këtij trendi në rritje nuk i kanë ikur as artistët shqiptarë. Një shumicë dërrmuese e tyre kanë llogaritë e hapura në TikTok, ku madje janë edhe shumë aktiv.Ndonëse në pamje të parë kjo mund të duket si formë e përshtatshme për mbajtjen në nivel të audiencës së krijuar, arsyeja e këtij aktiviteti në rritje të emrave të njohur të estradës në këtë rrjet social po qëndron diku tjetër.





E ajo është përfitimi i madh që ata janë duke pasur nga videot që publikojnë, qofshin ato të postuara, apo edhe në formën Live.Modalitetet e monetizimit të atyre që në TikTok njihen si “gifts” apo në shqip dhurata, për Telegrafin i ka shpjeguar eksperti i njohur i rrjeteve sociale, Valon Kerolli.Ai sqaron se artistët në Kosovë, përfitojnë në dy mënyra nga TikToku; Duke bërë marrëveshje personale me biznese për reklamim, si dhe në dhuratat/gifts që marrin nga audienca.





“Aktualisht në Kosovë artistët kosovarë përfitojnë në dy mënyra nga TikTok: Duke bërë marrëveshje personale me biznese të ndryshme për reklamimin e produkteve të tyre në videot e postuara si dhe nga dhuratat/gifts që marrin nga fansat e kryesisht nga dhuratat që marrin gjatë kohës që janë LIVE në një lojë dueli 5 minutash”, ka sqaruar Kerolli.Valoni tregon se vlera e dhuratave në këtë rrjet social, varion nga 0 e deri në 500 dollarë, gjersa sipas tij dhurata më e shtrenjtë është “TikTok Universe”.





Cilado të jetë shuma që artistët monetizojnë, 50 për qind të saj e merr vet rrjeti social në fjalë. “Në TikTok, dhuratat konvertohen përmes monedhave digjitale (coins) dhe vlera e tyre në para sillet prej 0 e deri në 500 dollarë (35000 coins) që është vlera e dhuratës më të shtrenjtë që njihet me emrin TikTok Universe. Ata që i marrin këto dhurata mund t’i konvertojnë në para, ku 50% të vlerës i merr TikTok e 50% të mbetura i merr artisti”, thotë tutje Kerolli.