“Keni thënë se jeni personi më i urryer në Kosovë”: Hallakamë në KQZ, Daka del nga mbledhja

Është mbyllur nën tensione mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Kjo pas deklaratave të përfaqësuesit të VV’së në KQZ, Alim Rama. Ai tha se video-mesazhi për tu bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk duhet të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin dhe që e konsideron veten person të urryer, shkruan Gazeta Express.

“Ju vet kryesuese keni deklaruar se jeni personi më i urryer në Kosovë. Nuk po e shoh të arsyeshme që tash video-ftesa të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin. Unë kisha kërkuar që KQZ’ja si e tërë të bëj thirrje votuesve për zgjedhje”, ka thënë Rama.

Pas kësaj deklarate të përfaqësuesit të VV’së reagoi edhe Daka.

“A e keni pyetur ndonjëherë veten se pse kam deklaruar ashtu”, ka thënë Daka.

Në ndërkohë Rama, tha se ajo vet e ka pranuar një gjë të tillë , përgjigje pas së cilës, Daka bashkë me anëtarët e tjerë e lëshuan sallën dhe braktisën mbledhjen e KQZ’së.

“Po sepse ju vet votuat që mos t’ia lejoni qytetarëve që të votojnë të shtunën apo ti dërgojnë votat të shtunën”, ka thënë Rama.

Ndërsa pas lirimit të mbledhjes, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Sami Kurteshit, i cili këtë veprim të Dakës dhe të tjerëve e ka cilësuar mënyrë qyqare.

“Kjo është mënyrë qyqare e mbylljes së një mbledhje. Është një pyetje që u bë. Nëse e bën një pyetje atëherë duhet ta dëgjosh përgjigjen. Ti vet ke deklaruar që je personi më i urryer”, ka thënë Kurteshi. /Gazeta Express.