Kosova livadh i madh… Kush po e kositë? Kush po e han?


…të dashur lexues

Mjerë e drejta po mirë po i prin e shtremta…
E thoshte jo rrallë imi gjysh, e që tani po më kujtohen edhe këto fjalë të tij : Kosova është livadh i madh babo. E hanë edhe kualtë e verbër, qorr.
Ai, imi gjysh / Zeneli /, kishte pas qenë asker i Perandorisë Osmane dhe luftërat e kishin qitur që ai të jetojë në Stamboll hiç më pak se 13 vite.

Histori e gjatë e tij, por në këtë rast më kujtohet një detaj që e tregonte shpeshherë kur bëheshin trazira në Kosovë…Tregonte ai, se si Baba Mbret i Turkisë, sa herë qohej, me sabah shkonte te kali-at i tij dhe lutej “ Ma bafsh baglën në Kosovë”, demek, që Kosova është një pasuri që ka ditë e ka falë veç Zoti në këtë dynja, andaj edhe prej herët, perandori, krajli e mbretëri turli- turli…- e lakmojnë të gjithë që ta pushtojnë, ta fitojnë, të ta bëjnë e ta kenë të veten, të bëjnë jetë aty…

Tregim ky që për momentin aktual tonin flet shumë… Flet dhe tregon shumë pse-ha për problemin që s’ largohet nga Kosova tash e shekuj me radhë… Po përsërisë fjalën e tim gjysh: Kosova livadh i madh…
Kush po e kositë? Kush po e han? /gani. dili