Kryeministri Hoti: Shumë shpejt do të dihet emri i Presidentit


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se koalicioni qeveritar nuk i ka votat për zgjedhjen e një presidenti, kështu sipas tij do të diskutojnë me partitë opozitare dhe nëse nuk gjejnë dakordim, do të shpallet data e zgjedhjeve.

Hoti në një intervistë për Klan Debat ka thënë se shumë shpejt do të bëhet një zgjidhje, dhe këto janë rrugët kushtetuese për javët dhe muajt në vazhdim.

“Është më se e qartë se vendi s’ka president edhe në bazë të Kushtetutës ne duhet ta zgjedhim presidentin e ri, për zgjedhjen e tij duhen së paku 80 vota në Kuvend, të cilat vota sigurisht ky koalicion qeverisës nuk i ka. Që nënkupton nevojën që ne të ulemi me partitë politike parlamentare opozitare për të parë nëse ka ka dakordim për zgjedhjen e presidentit, të cilën gjë shpresoj se do ta bëjmë së shpejti. Nëse ka dakordim të tillë, atëherë sigurisht duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve, sigurisht një datë e përshtatshme për qytetarët. Këto janë dy rrugë kushtetuese që do të ndiqen në javët dhe në muajt e ardhshëm”, ka thënë Hoti.

Hoti mes tjerash ka thënë se vendi do të shkojë në zgjedhje, nëse nuk caktohet një emër i përbashkët nga të gjitha partitë.

“Unë besoj se shpejtë do të organizohet tryeza e parë e partive ku do të shtrohen këto tema. Edhe unë po angazhohem në këtë drejtim. Nëse ka vullnet për zgjedhje të presidentit, për emra konkret, drejt një emri të përbashkët e nëse s’ka flasim për datë të zgjedhje. Tjetër opsion nuk ka”., tha ai.

Kujtojmë se aktualisht detyrën e presidentit është duke e ushtruar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.