Kush ishte Vjosa Berisha, jeta dhe karriera profesionale e producentes kosovare

Ditën e sotme (e enjte) u bë e ditur se ka vdekur regjisorja dhe producentja e njohur, Vjosa Berisha.

Ajo prej më shumë se një viti ishte e diagnostikuar me kancer në vezore, ndërkohë që menjëherë kishte filluar me trajtimet jashtë vendit.

E njëjta prej shumë vitesh ka qenë e përfshirë në industrinë e filmit, e në projekte të ndryshme që kryesisht lidhen me artin.

Por, kush ishte Vjosa Berisha?

Regjisorja, që la pas vetes një karrierë të bujshme artistike, ka lindur më 23 korrik të vitit 1972 në Prishtinë.

Ajo ka mbi 20 vjet përvojë në marrëdhëniet me publikun, median e po ashtu edhe industrinë e filmit.

Artistja kishte krijuar një kompani të quajtur ‘B2’ së bashku me partnerin e saj, Fatos Berisha, me zyrë në Kosovë dhe Shqipërisë.

E ndjera është gjithashtu bashkëthemeluese dhe ka menaxhuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë (PriFest) që nga fillimi, në pozitën e drejtorit që e ka rikthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e filmit në Kosovë.

Festivali në fjalë ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike, të mesme dhe dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit PriFORUM.

Berisha në vitin 2015 mori kursin e EAVE Producers Workshop, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në EAVE Generation 2015.

Mes tjerash, Vjosa prodhoi dy filma artistikë deri më sot, filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” (2019) me skenaristin dhe regjisorin Fatos Berisha dhe bashkë prodhuar filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) me regjisorin Borjan Zafirovski.

Ka punuar gjithashtu edhe në shumë projekte të tjera video dhe televizive.