Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka shkuar sot në Podujevë për të shpalosur planin e ndërtimit të Spitalit të Përgjithshëm në këtë komunë.
Zemaj bashkë me kabinetin e tij u prit nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari dhe ish-kryetari Agim Veliu, njofton Klan Kosova
Gjatë takimit u përmend që ndërtimi i këtij spitali ka qenë nismë e kamotshme.
Rudari mes tjerash u shprehë falënderues ndaj punës së ish-kryetarit Veliu.
“Jam falënderues ndaj punës së palodhshme të Veliut për të filluar punimet për Spitalin e Përgjithshëm”.
Rudari i pyetur nga Klan Kosova mohoi se ndërtimi i këtij spitali po bëhet për fushatë politike.
“Ndërtimi i këtij spitali nuk po bëhet për fushatë politike pasi moti ka qenë në plan që të ndërtohet, por tani i ka ardhur momenti”.
Tutje ministri Zemaj tha se ndërtimi i këtij spitali lehtëson punën edhe për spitalet e Prishtinës, pasi qytetarët e Podujevës do të kontrollohen në spitalin e tyre.
Kujtojmë se Klan Kosova dje siguroi planin e ndërimit që parashihet të jetë 7 mijë e 700 m2 dhe ndërtimi kap koston e mbi 9 milionë eurove.