Hoti: ‘Në katër muaj e kam larguar fjalën korrupsion nga politika Kosovës’


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në katër muaj qeverisje e kemi larguar fjalën korrupsion nga diskursi publik, shkruan Gazeta Metro.
Hoti këto deklarime i bëri pas takimit me Komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, ku ky fundit foli për ekonominë në vend, duke thënë se plani i investimeve ekonomike pritet të rrisë ekonominë e rajonit deri në 5%, që sipas tij është kontribut i konsiderueshëm për rimëkëmbjen ekonomike.

Verhelyi tha se kërkojnë nga Kosova që të përshpejtojë reformat.

“Sot është ditë e madhe për ne dhe shpresoj që e konsideroni si të tillë, si ofertë të madhe nga ana jonë dhe si çdo ofertë tjetër vjen me disa kërkesa. Kërkesa është të përshpejtoni reformat, sepse këto investime shkojnë së bashku me përpjekjet për reforma. E di që qeveria juaj është mjaft e angazhuar por gjithashtu duhet të zotohet dhe angazhohet më shumë në përshpejtimin e punës në reforma në lidhje me ligjin, por gjithashtu na duhen të gjitha kapacitetet e nevojshme të jenë funksionale për t’i shfrytëzuar këto fonde”, ka thënë Varheyli.

E kryeministri Hoti kur përmendi raportin e progresit të cilin Kosova e pranoi një ditë më parë, tha se qeveria e drejtuar nga ai e ka hequr fjalën korrupsion nga diskursi publik.

“Në katër muaj të qeverisjes sonë fjalën korrupsion e kemi larguar nga diskursi publik, dhe kemi treguar vendosmëri të madhe në luftimin e krimit të organizuar. Aksionet që janë zhvilluara para dy jave vazhdojnë ende e do të shihni edhe tjerat në ditët në vijim në gjithë vendin pa përjashtim, për të vendosur rend e ligj, cep më cep, me mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtar”, tha Hoti.