Ish-agjenti i SHIK-ut tronditë Thaçin, Veselin dhe të tjerët: Po mendoj të bëhem vullnetar i Gjykatës Speciale, për shkak se ju…

Ish-agjenti i SHIK-ut

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Policisë dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se dosjet e publikuara nga sekserët e PDK-së, kinse të Gjykatës Speciale janë gënjeshtër.

Sipas tij, ato dosje janë të blera nga SHIK-u prej prokurorëve serbë.

Miftari për gazetën “Bota sot”, thotë se, këtë gënjeshtër e kanë bërë sekserët e PDK-së.

“Tentimi i sekserëve dhe tupangjive të Hashim Thaçit, Ilmi Reçices, Kadri Veselit…që përmes zëdhënësve të tyre në OVL (PDK e vogël) ti paraqes kinse disa korrespodenca në mes SPO dhe Serbisë të blera përmes thesarëve të SHIK-ut nga disa prokurorë serbë, dhe shumicën e dosjeve tjera të shtuara me shkarravina të SHIK-ut ku disa janë deklarata të dhëna nga dëshmitarët në EULEX-it si kinse dokumente sekrete të SPO, janë një gënjeshtër e madhe”, thotë ai.

Ai pohon se, shumica e atyre dosjeve që këta po i konsiderojnë si top sekret, janë dokumente, deklarata të dëshmitarëve që janë ftuar zyrtarisht nga hetuesit e misionit evropian të ligjit në Kosovë, EULEX-ut, që i janë dorëzuar nga EULEX-i, pas skadimit të këtij misionit prokurorëve dhe hetuesve të Kosovës.

“Pastaj, këta servilat e Thaçit, Reçicës, Veselit…pra Lumezi, Millaku, Hoxha, Kalludra e Hajdaraj e kanë vjedhur këtë material nga zyrat e veta dhe ia kanë dorëzuar privatisht shefave të tyre të lartë cekur. E pas kësaj vijon me skeçin tjetër të dobët kinse, Raketa, Vetëtima… po iu bjen dosje top sekrete OVL-UÇK-së të SPO. Këto janë përralla dhe filma turk. Tentimi i Thaçit, për të shantazhuar SPO përmes këtyre skenave teatrale televizive që të mos ia konfirmojnë aktakuzën nuk do të kalon, pasi që SPO nuk është gjykatë e korruptuar e Malishevës dhe servilëve të pushtetit si Lumezi, Millaku, Hoxha, Kalludra, Hajdarajve…”, thekson ai.

Miftari në këtë prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për përmendjen e emrit të tij në një studio televizive nga Nasim Haradinaj.

“Përmendja e emrit tim në RTV-Mileven, nga baloshë të painformuar dhe të nxitur nga Veseli e Thaçi, është frika e këtyre dyve se nëse dëshmoj në SPO mundem me i dëmtua shumë rëndë. Sidomos këta dy të lartcekurit. Ky është tentim për me na etiketu dhe frikësu përmes RTV-Mileves. E kjo nuk bën punë pasi deklarata e jonë dhënë për misionin evropian të ligjit në Kosovë, EULEX te kryeprokurori Salustro edhe sot po të mbahej do të deklaroja njëjtë dhe nuk do të largojë asnjë fjali e as germë nga ajo deklarata, e ndoshta do të shtoja ekoma pasi që e kam treguar vetëm të vërtetën”, thekson ish-eprori i UÇK-së.

Miftari e quan gënjeshtër kur e quajnë se është dëshmitar i SPO, pasi që thotë se nuk është dëshmitar dhe është pyetur si qindra luftëtarë të tjerë të UÇK-së.

“As nuk kam kënduar e as nuk kam qajtë në Speciale, si dhe as nuk kam qesh, por kam thënë vetëm të vërtetën, si dhe nuk kam pranuar të dëshmoj pasi gjykata e Thaçit e 83 deputetëve nuk është e drejt ndaj Kosovës sa i përket mos dënimit të qindra mijërave krimeve të bëra gjatë luftës nga shteti serb kundër shqiptarëve. Pra kjo është gjykatë etnike dhe politike, por tani do të mendohem mirë pas këtyre goditjeve jo fer dhe të ulëta se a do të pranoj të bëhem dëshmitar vullnetar në SPO, nëse kjo ndodh i kam premtuar altoparlantit të Thaçit dhe Veselit në OVL se do ta njoftoj të parin atë e pastaj ai t’i lajmëron shefat e vet më lartë… Askush nuk do të dënohet, pra asnjë ushtarë i UÇK-së pse ka luftuar kundër Serbisë, apo prej dosjeve të Serbisë”, përfundon Naim Miftari.