Lajcak i zbulon keq politikanët kosovarë: Të gjithë konfirmuan se janë për themelimin e Zajednices(Asociacionit)


Në publik, Kuvend dhe debate televizive të gjithë politikanët kosovarë janë kundër formimit të Asociaionit të Komunave Serbe, mirëpo brenda takimeve me diplomatët e huaj ata po flasin ndryshe dhe po kanë qëndrime të tjera që bien ndesh me deklarimet e tyre.

Është emisari special i BE’së për dialogun, Miroslav Lajcak i cili ka zbuluar se të gjithë politikanët janë të pajtimit që Kosova t’i respekton marrëveshjet e nënshkruar, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave Serbe.

Lajcak duke dhënë detaje rreth takimeve që ka zhvilluar këto ditë me liderët politikë kosovarë, përfshirë ata në qeveri dhe opozitë, thotë se të gjithë kanë qenë të pajtimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

”Është kënaqësi të them që në të gjitha takimet partnerët e mi shprehën përkrahje për dialogun dhe mirëkuptimin se dialogu është i rëndësishëm. Dhe konfirmuan se Kosova do i respektojë të gjitha zotimet duke përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Lajcak, transmeton Gazeta Metro.

Sllovaku Lajcak thotë se nuk do të ketë normalizim dhe marrëveshjes me Serbinë nëse Kosova nuk themelon Asociacionin e komunave Serbe, duke lënë të nënkuptohet kështu se tani Qeveria e vendit ndodhet para një kushtëzimi nga ana e BE’së.

“Nëse nuk ka marrëveshje nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve. Dhe nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin. Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar. Asociacioni është pjesë e procesit, është pjesë e dialogut. Ne nuk kërkojmë të rihapim tekstin, por duam vetëm të implemetojnë atë që e kanë nënshkruar. Nuk e kam takuar asnjë partner gjatë këtyre tri ditëve që ka ndonjë problem me këtë çështje”, tha Lajcak.

Kujtojmë se Lajcak në Kosovë u takua ma presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren Vjosa Osmani, kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa, kryetarin e VV’së, Albin Kurti, kryetarin e PDK’së, Kadri Veseli, kryetarin e AAK’së, Ramush Haradinaj, kryetarin e Nismas, Fatmir Limaj, kryetarin e AKR’së, Behgjet Pacolli dhe përfaqësuesit e Listës Serbe