Serbia shkel marrëveshjen e Washingtonit, falënderon Angolën që se njeh Kosovën

Serbia

Kryediplomati i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka shkelur me dy këmbët marrëveshjen e nënshkruar në Washington, derisa ka falënderuar ambasadorin e Angolës për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Daçiq sot ka takuar ambasadorin e ri të Angolës në Beograd, Alcino dos Prazeres Isata Francisco da Conceicao, të cilin e ka falënderuar që Angola respekton ‘integritetin territorial të Serbisë’, shkruan KosovoOnline, trasnmeton Express.

Këto fjalë të Daçiq janë thënë pasi që ambasadori i Angolës ka konfirmuar se shteti i tij nuk do të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kosova dhe Serbia në Washington ishin pajtuar për një moratorium një vjeçar, sipas të cilit, Kosova do të pushojë së kërkuari anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia do të pushojë kampanjën e saj kundër Kosovës përmes ‘çnjohjeve’, raporton Gazeta Express.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhet në pikën e parafundit të marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.