Me rritjen e numrit të rasteve pozitive me C0VíD-19, Ministria e Shëndetësisë përsëri do t’i vendosë ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare të tërë territorit, njofton Insajderi.
Komuna e Vushtrrisë ka mbuluar pikën kufitare në Jarinje me staf mjekësor në fazën e parë të pandemisë.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Sylejman Meholli, ka thënë se për ta bërë përsëri këtë u duhet ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, si me staf mjekësor, ashtu edhe me mjete financiare.
Të gatshëm janë shprehur edhe nga Komuna e Prizrenit, megjithatë edhe atje përmendet numri i vogël i stafit mjekësor.
Përderisa Asociacioni i komunave të Kosovës nuk e ka përkrahur idenë që komunat të dërgojnë staf mjekësor nëpër pikat kufitare, pasi që thonë se matja e temperaturës mund të bëhet edhe nga dikush tjetër, raporton koha.net.
Sipas AKK-së, gjatë kësaj periudhe komunat kanë marrë shumë përgjegjësi nga niveli qendror dhe ato e kanë nën përgjegjësi që t’i vizitojnë familjet e prekura nga C0VID-19, ndër shumë përgjegjësi të tjera.