Milionerët e PDK-së/ 19 deputetë që vlejnë 9.6 milionë euro

Pse duhet ta kërkosh pushtetin kur ndoshta je lodhur prej tij? Apo pushteti në Kosovë kërkohet vetëm pasi të janë lodhur ‘mashqit’? Pas 12-vjetëve si pjesë e çdo qeverie, PDK-ja po del të jetë më e rehatuar në opozitë, se VV-ja në pushtet.

Pse PDK-ja është rehat, më së miri e vërteton pasuria e deputetëve që e përfaqësojnë elektoratin e partisë në Kuvend.

Vlera e pasurisë së këtyre 19 deputetëve të PDK-së shkon në 9 milionë e 614 mijë e 49 euro.

Deputetët e PDK-së nuk i kanë ka 2-3 milionë, siç thoshte Xhavit Haliti, por mesatarisht, secili deputet i ka saktësisht 534 mijë euro pasuri, që i bie se secili prej tyre është gjysmë-milioner.

Këtu kihet parasysh fakti se vetëm pesë deputetë të PDK-së kanë pasuri 5 milionë e 800 mijë euro.

Nëse lëmë anash pasurinë e paluajtshme, të luajtshme, dhe paratë në bankë, deputetët e PDK-së brenda vitit marrin bashkë 612 mijë euro, ku secili prej tyre mesatarisht merr 38 mijë euro – aq sa fitohet mesatarisht në Itali [shtet i BE-së].

Shefi i tyre në Kuvend, Abelard Tahiri, renditet i dyti për nga vlera e pasurisë. Më e pasura ndër ta është Blerta Deliu Kodra. Menjëherë pas tyre vijnë Mërgim Lushtaku e Xhavit Haliti [i cili çuditërisht s’i ka 2-3 milionë].

Milionerët e PDK-së:

Blerta Deliu Kodra | 1 milion e 390 mijë euro,

Abelard Tahiri | 1 milion e 200 mijë euro,

Mërgim/Sami Lushtaku | 1 milion e 171 mijë euro,

Xhavit Haliti | 1 milion e 111 mijë euro,

Floretë Zejnullahu | 981 mijë euro,

Pasuria e madhe PDK-në e ka nxjerrë nga roli i opozitës [edhe i pozitës]. Madje goxha mërzi i vjen nëse mediat i zgjojnë nga gjumi letargjik për ndonjë pyetje rreth zhvillimeve.

E brenda partisë ka kohë që po paralajmërojnë ‘Qeverinë nën Hije’ të Hashim Thaçit, me shpresën se njëra ose tjetri do t’i kthejë prapë në pushtet.

‘Qeveria nën Hije’ momentalisht veç plan e Hashim Thaçi në Hagë, PDK-në e lënë larg pushtetit edhe për një kohë të gjatë.

Në sondazhet e fundit që janë bërë, PDK-ja del te vota e saj tradicionale prej 19%, ende 20% larg VV-së.

Ngjashëm si PDK-ja, edhe LDK-ja – me kryetar të ri, e copëtuar në Kuvend, me vetëm 15 deputetë, nuk kanë gati asnjë qëndrim për asnjë prej zhvillimeve në vend.

E atëherë kur dalin me qëndrim, sigurohen të përdoren nga Kurti për t’ia kthyer shtizat shteteve të Quint-it.

Hera e parë ishte kur shtetet e Quint-it kërkuan nga Qeveria e Kosovës që referendumi serb të mbahej në Kosovë. Kurti nuk pranoi, e pos kryeministrit, shteteve të Quint-it u doli kundër edhe PDK-ja e LDK-ja.

Hera e dytë po vjen tash me zgjedhjet serbe, ku shtetet e Quint-it prapë kërkuan që zgjedhjet të mbahen në Kosovë. Ato arritën ta bindin Serbinë që të bëhet kërkesa, siç kërkonte Kurti, për t’u mbajtur zgjedhjet.

Por meqë kjo kërkesë u bë në zyrën ndërlidhëse në Beograd, Kurti nuk u mjaftua. Kryeministri kërkoi që kërkesa t’i bëhet drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës. Ndoshta Kurti pas kësaj kërkese pret që Serbia ta njohë Kosovën dhe të mos vazhdohet me dialog fare.

Refuzimi i Kurtit bëri që shtetet e Quint-it të zhgënjehen, madje lëshuan edhe një kërcënim ku thuhet se pas këtij veprimi, e ardhmja e Kosovës drejt integrimeve evropiane rrezikohet seriozisht.

Tash kur marrëdhëniet me ndërkombëtarët janë acaruar, aq sa shtetet e Quint-it kanë filluar ta kërcënojnë Kosovën, PDK-ja e LDK-ja prapë po ua bëjnë argatin Kurtit, duke dalë kundër këtyre zgjedhjeve.

Me PDK-në dhe LDK-në në gjumë, Kurti përveç se nuk po ka telashe në qeverisje, shpesh po i përdor këto dy parti.

Fatkeqësisht opozita më e fuqishme në vend nuk është në Kuvend. PSD-ja me aktivistë më pak se PDK-ja e LDK-ja deputetë në Kuvend, po e nervozon Kurtin më shumë se opozita brenda Parlamentit.