Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në Podujevë ku LDK humbi bastionin e saj më të rëndësishëm të cilin në të kaluarën e fitonte pa balotazh, brenda LDK-së kanë nisur të shpërthejnë zërat e pakënaqur të cilët kërkojnë nga kryesia e kësaj partie përgjegjësi.
Në rrjetet sociale tashmë haptazi anëtarët e kësaj partie kanë filluar që të kërkojnë përgjegjësi nga kryetari Isa Mustafa dhe nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu.
Burime të portalit 24-ore.info bëjnë të ditur se një prej emrave më të zëshëm brenda partisë është nënkryetari Lutfi Haziri i cili në opinion është shfaqur shpeshherë kritik ndaj qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti si dhe mbrojtës ndaj figurave të cilat e pushuan aktivitetin në këtë parti, Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut.
Në emisionin “PA MASKË” deputeti nga radhët e LDK’së, Haxhi Avdyli pati deklaruar se Isa Mustafa ka uzurpuar në masë të madhe kryesinë e kësaj partie mirëpo, sipas tij, ai nuk mund të kontrollojë strukturat e LDK-së të cilat kanë pakënaqësi të thella me rezultatet e kësaj kryesie. Deputeti Haxhiu kishte veçuar emrat e Lutfi Hazirit dhe Anton Qunit brenda kryesisë si njerëz të cilët janë duke reflektuar racionalisht pas zhvillimeve të fundit në LDK. /24-ore.info