Rrena e kryeministrit Hoti rreth emërimit të djalit të Haxhi Shalës si konsull (DOKUMENT)


Deklarata

Avdullah Hoti (25.11.2020): “Për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua. Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike”

Avdullah Hoti

Vlerësimi

RRENË E KRYPTË

KALLXO.com ka gjetur se deklarata e kryeministrit Hoti, e dhënë sot, lidhur me emërimin e Flakron Shalës konsull në Pragë është rrenë e kryptë, sepse, ish-presidenti Thaçi dekretin për emërimin e Shalës ua kishte dërguar Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Flakron Shalës.

Artikulli

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se nuk ka qenë i informuar për emërimin e djalit të deputetit Haxhi Shala, Flakron Shalës, në pozitën e konsull i Përgjithshëm në Pragë.

“Për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua. Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Mirëpo, në dekretin e ish-presidentit për emërimin e Shalës në këtë pozitë, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, bëhet e ditur se ky vendim i është dërguar Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Flakron Shalës.

Flakron Shala ishte dekretuar më 20 tetor në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm në Pragë.

Emërimi i Shalës në këtë pozitë kishte ardhur pas rekomandimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Stublla- Haradinaj, e cila përmes një shkrese të datës 28 shtator.

Emërimi i Flakron Shalës në këtë pozitë vjen pak muaj pas formimit të Qeverisë Hoti.

Vota e deputetit Haxhi Shala ishte konsideruar si vendimtare për këtë Qeveri.

Madje Shala në seancën e 3 qershorit kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishin vizituar pas mesnate për t’ia ndërruar mendjen për të votuar pro Qeverisë Hoti.