S’e kemi ndërmend të dorëzohemi, jeta vazhdon – zgjedhjet vijnë shpejt!


Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të dorëzohet, ndonëse ka humbur njërin prej bastioneve kryesore të saj, Podujevën. Kështu ka deklaruar përIndeksonlinen, nënkryetari i këtij subjekti, Haki Rugova.

Sipas tij, LDK-ja do të mblidhet të analizojë më detajisht procesin e humbjes. Megjithatë, Rugova është shprehur optimist se do të ketë rezultate më pozitive në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Sigurisht zgjedhje janë ato, s’kam çka. Ne do të ulemi të diskutojmë cilat janë arsyet e dështimit aty. S’kemi thënë që s’kemi llogaritë, por kjo është një problem, kjo është politikë, kështu shkojnë senet… nuk kam çka me thënë tjetër.

Do të ulemi si kryesi, do ta diskutojmë cilat janë arsyet, mirëpo s’e kemi ndërmend të dorëzohemi. Jeta vazhdon, politika vazhdon, demokracia vazhdon, zgjedhjet vijnë shpejt. Gjithmonë jam optimist”, është shprehur ai.

Ndryshe, javën e kaluar, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka marrë besimin e 51.64 për qind të qytetarëve.