“SHBA, vërejtje Serbisë”: Kjo i pret shtetet fqinje nëse provojnë ndërhyrjen në Kosovë

Tërnava: SHBA, mesazh se është pranë shtetit të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar si donacion Kosovës 55 automjete ushtarake. Ndërkohë që flitet se së shpejti vijnë edhe helikopterët. Në Serbi këtë e kanë komentuar si “përgatitje e Kosovës për luftë”.

Duke komentuar këto raportime, eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se donacioni i Amerikës është vërejtje për Serbinë, se ajo do të vazhdojë të qëndrojë pranë shtetit të Kosovës.

Sipas tij, armatimi modern përcjell mesazhin te shtetet fqinje që në rast se ndërhyjnë në Kosovë, mund t’iu ndodhë si Olluja në Kroaci.

Hajrullah Tërnava

“Mesazhi i gjithë këtij furnizimi me armatim modern është vërejtje Serbisë, se shteti i Kosovës tani është i pavarur dhe si i tillë do të është deri në ekzistimin e tij, dhe se pranë shtetit të Kosovës edhe më tutje do të qëndrojë Amerika. Prandaj, ky armatim është mesazhi ndaj shteteve fqinje që mos të provojnë me ndërhy në Kosovë, sepse mund t’iu ndodhë si Olluja në Kroaci”, ka thënë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.