Skandal: Ministria e LDK-së u ndalon zyrtarëve të postojnë në Facebook, Instagram e Twitter


Që nga sot, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit që udhëhiqet nga ministrja e LDK-së, Vlora Dumoshi, duhet të kenë kujdes çfarë shkruajnë në Facebook, Instram e Twitter.

Kjo pasi, siç thotë një rregullore e re e brendshme, ata mund të përfundojnë në komision diciplinor, shkruan Reporteri.net.

Gazeta ka siguruar “Qarkoren Administrative”, ku u bëhet e qartë zyrtarëve që të mos publikojnë opinione politike në rrjete sociale.

“Me qëllim të ruajtjes së nivelit, paanshmërisë së nënpunësve civil, dhe mbi të gjitha ruajtjes dhe respektimit të shërbimit civil dhe misionit të këtij shërbimi në funksion të publikut dhe administratës shtetërore, me qëllim të ruajtes së integritetit të shërbyesit civil, dhe sjelljes konform rregullave të këtij shërbimi në relacion me publikun, kërkoj nga ana Juaj mbështetje duke treguar kujdes, sidomos gjatë deklarimeve në formë postimesh në rrjetet sociale në kuptimin e shprehjes së opinioneve, deklarimeve dhe konkretisht evitimin e veprimeve të cilat do të të konsiderohen si cënim i shërbimit civil”, thuhet në vendimin e MKRS.

Ani pse kjo po konsiderohet si shkelje e lirisë së shprehjes, Ministria thotë se kjo është praktikë që është marrë nga vendet evropiane.

“Me këtë rast dua të ju siguroj se kjo iniciativë nuk ka në asnjë rast qëllim që të ndikojë në opinionet e pavarura të askujt, por e cila është domosdoshmëri për të mbajtur dhe ruajtur shërbimin civil si të pavarur dhe të paanshëm në harmoni të plotë me misionin e tij”, thuhet në po të njëjtin vendim.

Sidoqoftë, kështu nuk po mendon një zyrtar i kësaj ministrie, i cili thotë se kjo përbën shkelje të të drejtës për liri të shprehjes. Madje, ai ironizon duke thënë se mund të dërgohet në komision diciplinor nëse shkruan keq për LDK-në edhe jashtë orarit.