Specialja ndryshon aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve (Detaje)

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special dorëzoi aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjykata Speciale versionin e redaktuar të aktakuzës së re e ka publikuar në ueb-faqen e saj.

Në njoftimin për media thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe në Gjilan.

“Midis 4 korrikut 1998 dhe shtatorit 1998 dhe më ose rreth 28 ose 29 prill në vitin 1999, disa pjesëtarë të UÇK-së ndaluan së paku dymbëdhjetë persona pa një proces të rregullt ligjor ligji në Budakovë. Të arrestuarit, të cilët u mbajtën për periudha të ndryshme kohore, u ndaluan fizikisht dhe u mbajtën në dhoma të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosur.

Menjëherë pas ndalimit në Budakovë, të paktën një nga të arrestuarit u transferua në Semetishtë dhe po ashtu u mbajt aty deri rreth orës 19:00 deri më 20 gusht 1998. Në këto ndalime u përfshinë shumë anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë pjesëtarët e Brigadës 123 në Zonën Operative të Pashtrikut…”, thuhet në aktakuzë.

Ndryshe, aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas aktakuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.