Thaçi gënjeu publikisht kur tha se nuk u intervistua nga Specialja!


Presidenti Hashim Thaçit nuk e kishte pranuar asnjëherë se është intervistuar nga Gjykata Speciale, deri në korrik të këtij viti, kur udhëtoij publikisht për të dëshmuar për disa ditë rresht në Hagë.Mirëpo, kjo nuk ka qenë hera e parë që Thaçi kishte udhëtuar për në Hagë për t’u intervistuar.Ndonëse nuk e kishte pranuar asnjëherë publikisht, sipas dokumenteve të publikuara nga ana e Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi kishte udhëtuar në Hagë edhe më herët.

Në raportin e publikuar nga ana e Gjykatës Speciale për kërkesën për arrestim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, prokurori ka përmendur një intervistë të Thaçit dhënë për televizionin T7, më 1 prill të 2020, kur kishte deklaruar se nuk është intervistuar nga ana e Gjykatës Speciale.“Nuk jam marrë në pyetje, por është krejt normale me m`u bo ftesa. Edhe nesër me ardhë ndonjë ftesë, nuk është shqetësim imi. Janë intervistuar rreth 220 njerëz, nuk është fare problem”, ishte shprehur Thaçi.Në raportin e hartuar nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar citohet kjo deklaratë e Thaçit, duke thënë se : “Thaçi flet nëse ai ishte intervistuar nga Dhomat e Specializuara. Thaçi në fakt ishte dorëzuar në një thirrje të SPO-së më 17 nëntor 2019 dhe u shfaq për herë të parë në Hagë për intervistë më 12 Dhjetor 2019”, thuhet në kërkesën për arrestimin e tij.Tutje, ai ishte shprehur se nuk është ‘evlia’ për të ditë nëse do të intervistohet apo jo, kur ishte pyetur se pse nuk është ftuar ende.

“Unë nuk jam evlia me ditë a intervistohem apo jo, por nëse më vjen ftesa, do t’i përgjigjem pozitivisht edhe unë”, ishte shprehur Thaçi në intervistën dhënë për Televizionin 7.Thaçi nuk kishte pranuar se ishte intervistuar nga Specialja as kur ishte pyetur në konferencë për media, më 4 mars të 2020.“Nuk jam intervistuar, as në Prishtinë as në Vjenë”, kishte deklaruar Thaçi më 4 mars të 2020.Por çfarë kishte publikuar ish presidenti Thaçi në profilin e tij në Facebook, më 12 dhjetor, ditën kur ishte intervistuar në Hagë.

Më 12 dhjetor kur Presidenti Thaçi, sipas të dhënave të publikuar nga ana e Gjykatës Speciale kishte dëshmuar në Hagë, në profilin e tij në Facebook, ai kishte ndarë një aktivitet të tijin që e kishe bërë në Prishtinë.Në këtë datë, Thaçi kishte dekoruar Fehmi Shaqirin me çmimin “Mjeshtër i Merituar”.Nuk dihet nëse aktiviteti për të dekoruar Fehmi Shaqirin ishte bërë ndonjë ditë më herët apo Thaçi kishte udhëtuar për në Hagë pasi kishte kryer dekorimin e Shaqirit.

Ndërsa me 13 dhjetor, vetëm një ditë pas intervistimit nga ana e Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi bashkë me ish zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacollin kishin udhëtuar për në Monako, ku ishin takuar me Princin e Monakos, Princin Albert II.

“Në një takim me Princin Albert II në Pallatin Principal, i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, e falënderova Princin e Monakos për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën. Kosova e ka gëzuar gjithnjë përkrahjen e Monakos, sidomos për anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe në forume sportive”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.Hashim Thaçi u arrestua më 5 nëntor pas ngritjes së aktakuzës nga ana e Prokurorit të Dhomave të Specializuara.