Vjosa Osmani është lidere e vërtetë, Kjo prishi “pazaret“ e nëntokës mes Thaçit e Haradinajt


U.d. Presidentja, Vjosa Osmani-Sadriu të mërkurën mbrëma ka shfuqizuar katër dekrete për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë.Përmes një komunikate Presidenca njoftoi se në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese si dhe bazuar në praktikat diplomatike e konsullore, Osmani ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

“Sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës”.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme, u.d. Presidentja është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm. Ajo do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës”, thuhet në njoftim

Lidhur me vendimin e fundit, nga ana e Vjosa Osmanit, ka folur edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, raporton gazeta “Bota sot”.

Mehmeti në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, vendimin e fundit nga Osmani e ka quajtur si të qëlluar dhe të ndërmarrë konform frymës qytetare.

“Reagimi i u.d. Presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, është i qëlluar dhe konfrom frymës qytetare, që njerëz me lidhje farefisnore të mos punësohen, por njerëz me dinjitet dhe meritë”, shprehet analisti Mehmeti.

Ai emërimin e Shalës si konsulli i përgjithshëm në Pragë të Çekisë e quan si një pazar të nëntokës mes Thaçit e Haradinajt, por që Vjosa Osmani u prishi të gjitha.

“Emërimi i djalit të deputetit Haxhi Shala ishte në frymën e pazareve të bëra nga Thaçi dhe Haradinaj, të cilën pushtetin e kanë konceptuar si tortë që duhet ndarë me jarana. Me veprimin e sotëm, Vjosa Osmani ka bërë veprim të mirë, duke prishur pazaret e nëntokës. Pra, shkarkimi i djalit të Shalës është veprim prej një lidereje të vërtetë”, ka theksuar njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se ish-konsulli i përgjithshëm në Pragë të Çekisë, Flakron Shala, gjatë ditës ka ofruar sqarime pas raportimeve për media për përzgjedhje të tij në këtë pozitë.

I biri i deputetit Haxhi Shala ka thënë se ka pasur sfond të mjaftueshëm profesional që është përzgjedhur në këtë pozitë.

Tutje, ai ka thënë se babai i tij nuk ka kurrfarë kompetence që të emërojë zyrtarë të MPJ-së.

Faton Mehmeti