“200 euro për fëmijë”, kur do të fillojnë edhe komunat tjera që të ndajnë para


Disa komuna të vendit kanë filluar të ndajnë para për fëmijët e porsalindur. E para komunë që e kishte marrë një vendim të tillë është ajo e Suharekës, por që më pas shembullin e kësaj komune e kanë ndjekur edhe Vushtrria, , Ferizaj, Obiliqi, Skenderaj e Kamenica. Por, kur do të ndahen para për fëmijët që lindin në qytetet e tjera?

Menjëherë pas ardhjes në jetë, fëmijët që lindin në Kamenicë do të kenë në konto 200 euro. Vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve e ka marrë dje komuna që udhëhiqet nga Qëndron Kastrati.

“Shkalla e varfërisë së fëmijëve në Kosovë është ende e lartë. Shpenzimet në familje janë të mëdha e të hyrat e vogla. Kjo është më e theksuar në komunat e vogla sikurse Kamenica që ka zvogëlim të natalitet e shpërngulje të qytetarëve.

Andaj, tani e tutje do të mbështesim çdo lindje me nga 200 euro për të gjithë prindërit që jetojnë në Komunën e Kamenicës. Shpresojmë që kjo vlerë të ndihmojë sadopak në nga nevojat themelore për foshnje. Të vegjlit meritojnë të nisin jetën në kushte sa më të mira. Urime”, ka thënë Kastrati pas marrjes së këtij vendimi.

Në komunën e Kamenicës kanë treguar për Express se sa do të jetë kostoja e këtij vendimi për një vit dhe kohën se kur do të fillojë ndarja e këtyre mjeteve.

Zëdhënësja e kësaj komune, Margarita Rashiti ka thënë se ndarja e mjeteve do të fillojë pas kërkesës së çifteve dhe sjelljes së dokumenteve të nevojshme që janë të parapara nga komisioni i formuar për subvencione.

“Atëherë, sipas lindjeve mesatare brenda vitit në komunën tonë, shuma e cila do e mbuloj subvencionimin e foshnjeve të porsalindura është rreth 50 mijë euro në vit. Ndërkaq, ndarja e mjeteve për çiftet që do të bëhen prindër, do të filloj pas kërkesës së tyre dhe sjelljes së dokumenteve të nevojshme që janë të parapara nga komisioni i formuar për subvencione”, ka deklaruar Rashiti.