Nëntë automjete me flamuj të kuq të cilët mbajnë emblemën e UÇK-së kanë dalë për të festuar në Skenderaj.
KALLXO.com ka siguruar video të kësaj ngjarje ku veturat kanë lëvizur duke bërë zhurmë me bori.
Një video të këtij festimi e ka publikuar edhe kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu.
“Drenica voton. Faleminderit UÇK”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Përveç rrugëve në periferi, të njëjtat vetura janë parë edhe brenda qytetit të Skenderajt.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që deri në orën 11:00 në të gjithë Kosovën kanë votuar 8,29% apo 145,763 qytetarë.
Në listën e votuesve janë gjithse 1,794,862.00 votues.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka njoftuar se nuk ka raportime për incidente që e dëmtojnë procesin e votimit.
Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Në të gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.