“Mesazh i qartë nga Amerika”, ja pse Albin Kurti është garantues i marrëveshjes me Serbinë

Sekretari Amerikan i shtetit, Antony Blinken i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Duke e uruar Kurtin për zgjedhjen e tij në postin e kryeministrit, Blinken ka kërkuar përfshirjen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, ky proces të kalojë pa vonesa dhe të jetë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike. Sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në letrën e Anthony Blinken.

E sipas drejtorit ekzekutiv të institutit EPIK, Demush Shasha, kjo letër është vazhdimësi e qëndrimit të qartë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Konsideroj se letra e fundit e Sekretarit Blinken është në vazhdimësi të qëndrimit të qartë të SHBA-ve për nevojën e vazhdimit të dialogut. Konsideroj se edhe z. Kurti e njeh rëndësinë e dialogut. Prandaj, edhe z. Kurti ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut në takimet e tij me Përfaqësuesin Special te BE-së z. Lajcak”, thotë Shasha .

Më tej, Shasha ka thënë se me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, Kosova është në pozicion shumë më të mirë në dialog.

“Konsideroj se tani pala e Kosovës është me një pozicion shumë më të mirë negociator pasi që Kryenegociatori i Kosovës, respektivisht z. Kurti ka një mandat plotësisht legjitim për udhëheqjen e dialogut dhe si i tillë ai do jetë në gjendje që të influencoj rrjedhjen e negociatave në formën në të cilën paraardhësit e tij nuk kanë mundur. Poashtu, tani z. Kurti është edhe në pozicion që të jetë garant i zbatimit të një marrëveshje potenciale në mes Kosovës dhe Serbisë”, shprehet Demush Shasha.

Për fund, Shasha deklaron se në procesin e dialogut duhet të përfshihet edhe opozita.

“Njëkohësisht, është jashtëzakonisht e mirëseardhur se tani Kryeministri dhe Presidentja do sigurojnë një koordinim thelbësor dhe mirëfilltë te procesit negociator me Serbinë, për dallim nga procesi jashtëzakonisht kaotik dhe joserioz i viteve të kaluara. Sidoqoftë, është me rëndësi të nënvizohet nevoja për përfshirjen e afërt të opozitës në gjithë procesin negociator me Serbinë”, përfundon, drejtori ekzekutiv i institutit EPIK, Demush Shasha.