Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar pas takimit të sotëm me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se Kosova nuk do të pranojë zgjatjen e marrëveshjes së përkohshme për targat e veturave përtej 15 shtatorit, kur edhe skadon afati i kësaj marrëveshje të arritur shumë vite më parë në Bruksel.
Bislimi tha se Kosova do të sillet njësojë siç bën Serbia me veturat me targa të Kosovës (RKS), duke paralajmëruar reciprocitet.
Sipas marrëveshjes, në Serbi mund të futen nga Kosova të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë futen lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.
Dhe kjo pritet të ndryshojë pas 15 shtatorit, sipas Bislimit, shkruan RTK.