Që nga themelimi e nisja e punës, Dhomat e Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë në Hagë janë akuzuar me të madhe për trajtim jashtë çdo norme ligjore të të akuzuarve, e konkretisht ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Ky institucion, i cila dita ditës me veprimet e tij po ia venit vetes kredibilitetin e besueshmërinë, para disa ditësh ka publikuar raportin për vitin 2021, në të cilin janë vënë re disa detaje të cilat dëshmojnë apo me njëfar forme i japin një pasqyrë arsyes se pse veprimet e Speciales thuajse çdo ditë po konsiderohen si anti-ligjore, si dhe ndesh me të drejtat e njeriut, të përcaktuara e të mbrojtura me ligj, shkruan lajmi.net.
Në faqen 59 të raportit të saj, Specialja ka dhënë një pasqyrë të nacionaliteteve të personave që punojnë në këtë Gjykatë. Aty, vërehet se një numër i madh i punëtorëve vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.
Në grafikonin e paraqitur, vërehet se në Speciale, aktualisht ka të punësuar më së shumti persona të nacionalitetit holandez, shtet ky që ka njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo që njihet për politikën e saj kundërshtuese për heqjen e vizave.
Pas Holandës, Rumania, shtet ky mosnjohës i Kosovës është vendi nga i cili ka më së shumti persona të punësuar në Dhomat e Specializuara të Prokurorisë e Gjykatës në Hagë.
Në masë më të vogël, mirëpo të punësuar në këtë institucion ka edhe nga shtete tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, përfshirë Spanjën e Greqinë.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë, kanë qenë epiqendër e kritikave për qasjen ndaj të akuzuarve të deritanishëm, të cilëve u është mohuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri.
Së fundmi, kritika ka pasur edhe nga vet pushteti aktual në Kosovë, Vetëvendosje, me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se institucionet duhet të jenë të brengosura me atë çka po ndodhë në Hagë, duke aluduar në një tendencë të qëllimshme të izolimit të ish-pjesëtarëve e krerëve të UÇK-së.
“Po bëhen gati dy vite prej kur ata janë marrë, faktikisht janë bërë dy vite prej kur ka dalë aktakuza sepse në qershor të vitit 2020 e pamë aktakuzën për herë të parë, e deri tash ende nuk ka filluar procesi gjyqësor. Në terma të gjykatave dhe proceseve ku kemi të bëjmë me të pandehurit, kjo mund të quhet lirisht njëfarë tendence e izolimit të personave, pra izolim që ata të mos mund të jenë me familjet e tyre, që të mos mund të jenë në vendin e tyre dhe të jenë të shkëputur prej aktivitetit të tyre publik që e kanë pasur faktikisht. Kjo është për mendimin tim shumë shqetësuese, edhe institucionet tona për këtë arsye janë të brengosura me çka po ndodh atje”, ka thënë Konjufca.
E sot, lajmi.net ka raportuar se si mbrojtja e Veselit ka kërkuar nga Gjykata Supreme – e cila funksionon brenda Gjykatës Speciale në Hagë – që ta urdhërojë lirimin e përkohshëm të tij, ndërsa ka vlerësuar se praktikat e deritashme lidhur me këtë çështje të treguara nga Dhomat e Specializuara janë alarmante.
Kështu, Emmerson ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të mos lejuar lirimin e përkohshëm të Veselit, dhe të njëjtën gjë ia ka kërkuar edhe Gjykatës Supreme, pasi që, sipas tij, paraburgimi i Veselit tani është bërë i paarsyeshëm dhe se në çdo rast gjykatat më të ulëta kanë bërë shkelje dhe gabime në vendimet e tyre.
Në shkresën e tij, e cila është publikuar në faqen e Gjykatës Speciale, Emmerson ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara kanë ndaluar 100 % të të gjithë të akuzuarve të saj në paraburgim, ndërsa ka shtuar se për një institucion që supozohet t’u përmbahet standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, kjo praktikë nuk është veç e mjerueshme, por edhe alarmante.
“Paraburgimi duhet të jetë përjashtim, jo rregull. Megjithatë, praktika e Dhomave të Specializuara tregon krejt të kundërtën”, ka thënë Emmerson.