Kosova do ta zyrtarizojë në fund të këtij muaji ambicien për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian me dorëzimin e aplikimit në Bruksel. Por, një hendikep në këtë synim është mungesa e njohjes dhe përkrahja e pesë shteteve të BE’së meqë për këtë proces kërkohet unanimitet nga të gjitha vendet anëtare të Unionit.
Për këto vende, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ka përparim në lobimin për të marrë njohjen dhe mbështetjen e tyre për procesin e anëtarësimit të Kosovës. Ajo shtoi se këtë kohë Kosova synon ta shfrytëzojë për të shtyrë reforma që e afrojnë me BE-në dhe për t’i bindur shtetet anëtare që t’ia japin statusin e vendit kandidat.
Gazeta Express ka kontaktuar qeverinë sllovake për të parë nëse ka ndonjë lëvizje nga qëndrimi i saj kundërshtues për pavarësinë e Kosovës. Në Bratisllavë thonë se ende e konsiderojnë të njëanshme shpalljen e pavarësisë dhe se ndryshimi i kësaj fryme është parakusht për ndryshimin e qëndrimit, që i bie se një marrëveshje Kosovë-Serbi mund t’i ndryshojë gjërat.
“Siç e kemi thënë dhe përsëritur vazhdimisht, qëndrimi sllovak vis-à-vis ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës bazohet në deklaratën e Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake. Plotësimi i kësaj fryme të deklaratës është parakushti kryesor për ndryshimin e qëndrimit tonë”.
Por, a do ta mbështesë Sllovakia kërkesën që Kosova do ta bëjë për anëtarësim në BE?
“Ne kemi të drejtën të mos komentojmë për ngjarjet e ardhshme. Pasi të dorëzohet aplikacioni, Sllovakia do të studiojë përmbajtjen dhe rrjedhimisht do të vendosë për qëndrimin e saj”.
Sllovakët po ashtu theksojnë se janë duke i dhënë mbështetje të fortë bashkëkombasit të tyre Miroslav Lajçak që po ndërmjetëson në dialogun Kosovë -Serbi.
“Procesi i dialogut mund të perceptohet si një mjet për të përmbushur frymën e deklaratës së lartpërmendur të Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake. Prandaj, ne jemi mbështetës të fortë të procesit të dialogut dhe përpjekjeve të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak”.
Plani i njohur si franko-gjerman që i është vënë palëve në tavolinë, i cili – sipas asaj që është publikuar – ofron një zgjidhje pa njohje de jure të pavarësisë së Kosovë nga Serbia, përkrahet edhe nga Sllovakia.
“Për të njëjtën arsye, ne gjithashtu mbështesim çdo iniciativë, e cila mund të na afrojë me marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme”, përfundon përgjigjja e MPJ-së.
Ngutja e Kosovës për dorëzimin e aplikimit para se të fillojë viti i ri po bëhet për arsyen e Presidencës çeke, e cila udhëheq Presidencën e Këshillit të BE-së deri në fund të dhjetorit. Pasuese e saj do të jetë Suedia, e cila është shumë më pak e interesuar për zgjerim.
Shtyrjen përpara të procesit të vizave nga Presidenca çeke u mor si argument edhe nga presidentja Osmani për të treguar arsyen e zgjedhjes së dhjetorit si datë për të dorëzuar aplikimin.
“Praga i ka dhënë shumë mbështetje Kosovës dhe rajonit, si dhe për shkak të shpresës që liberalizimi i vizave të finalizohet deri në fund të muajit”.
E pyetur nëse ka ndonjë strategji apo qasje specifike që po përdoret me pesëshen mosnjohëse, Osmani tha se po shkojnë hap pas hapi dhe se është bërë përparim.
Me disa, tha Osmani, tashmë ka një nivel të lartë të bashkëpunimit ekonomik, njohjes së dokumenteve, turizmit, kulturës, që do të thotë se ajo që ka mbetur është njohja formale./Express